17.5 C
Tirana
27 / 07 / 2024

Rriten me 76% vizitorët e huaj në Shtator, INSTAT: Dominojnë italianët dhe gjermanët

Ecuria pozitive e turizmit ka vijuar dhe gjatë muajit shtator. Të dhënat e INSTAT për strukturat akomoduese, tregojnë për një rritje të  numrit të vizitorëve me mbi 70% në krahasim me vitin e shkuar. Rritjen më të madhe e kanë vizitorët e huaj me mbi 76%, ndërsa vizitorët rezident kanë pësuar rritje me 60% në krahasim me shtatorin e vitit 2022. Pjesën kryesore të turistëve gjatë këtij muaji e përbëjnë kosovarët dhe italianët.

Hoteleve gjatë muajit shtator u është dyfishuar puna në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, pasi veç vizitorëve në rritje, është rritur dhe norma e shfrytëzimit të dhomave dhe netët e qëndrimeve.  INSTAT raporton se netë-qëndrimet e rezidentëve vendas në strukturat akomoduese janë dyfishuar, ndërsa netët e qëndrimit të të huajve kanë pësuar rritje me 81%.

Jugu ka tërhequr më shumë turistë në numër, por rritja më e lartë e netëve të qëndrimeve është konstatuar në zonën e veriut, Dibër; Durrës, Kukës, Lezhë dhe Shkodër.

Sipas INSTAT, numri i netë-qëndrimeve të vizitorëve jo-rezidentë të cilët kanë zgjedhur veriun ka shënuar rritjen më të lartë me 3 herë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Sipas të dhënave të INSTAT gjatë shtatorit, sërish italianët vijojnë të jenë të renditur të dytët pas turistëve nga Kosova, por diferenca mes tyre është ulur në krahasim me muajit e mëparshëm. Turistët nga Kosova përbëjnë 9% të totalit të turistëve në shtator, italianët u janë afruar ndjeshëm duke arritur në 8.8%, gjermanët 7.2%, polakët mbi 6% e më pas renditen spanjollët dhe britanikët. Për muajin shtator numri total i turistëve të huaj që kanë hyrë në vend është 1.1 milionë ndërsa për periudhën Janar-Tetor kanë hyrë rreth 9 milionë.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x