Shumë shpejt do të nisin punimet për rikonstruksionin e pjesshëm të shkollës së mesme artistike “Tefta Tashko Koço” në qytetin e Korçës. Ky është një investim i Këshillit të Qarkut që kap vlerën e 6.5 milion lekëve dhe konsiston në termoizolimin e godinës dhe disa punimeve të brendshme, duke mundësuar kushte më të mira për zhvillimin e mësimit. lajmin e ka bërë të ditur Ana Verushi, kryetare e Këshillit të Qarkut Korçë.
Ndërhyrjet që do të kryhen kanë qënë kërkesa të vazhdueshme të stafit të kësaj shkolle dhe ky projekt është në vazhdimësi të punës së bashkisë në objektet e arsimit parauniversitar, ka thënë kryebashkiaku Sotiraq Filo.
Për drejtorin e shkollës Ilir Zguri, ky investim ishte i domosdoshëm, por nevojat e shkollës janë të shumta. Ndërhyrjet që do të kryhen për rikonstruksionin e godinës nuk do të ndikojnë në zhvillimin e procesit mësimor.
Punimet për rikonstruksionin e shkollës së muzikës janë parashikuar të zgjasin rreth 3 muaj. Pranë kësaj shkolle ndjekin studimet rreth 200 nxënës nga klasa e parë në të 12-tën.