Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi sot pikat kryesore të reformës së inspektimit, duke theksuar rëndësinë e punës paraprake për krijimin e bazës ligjore që do të mundësojë arritjen e objektivave të reformës. Sipas ministres, qëllimi i reformës është arritja e disa objektivave kyçe, sikurse konsolidimi i inspektorateve për një strukturë më efikase dhe koherente; thjeshtimi i procedurave të inspektimit për të reduktuar kompleksitetin dhe burokracinë; rritja e transparencës në të gjitha procedurat e inspektimit; rritja e kapaciteteve të inspektorëve, për të garantuar profesionalizëm dhe efikasitet; ulja e konfliktit të interesit, përmes ndarjes së ankesave dhe ankimimeve të gjobave nga inspektoratet që i vendosin ato; si dhe kryerja e inspektimit përmes modulit të riskut, për të targetuar prioritetet reale dhe për të shmangur inspektimet e panevojshme.
“Qëllimi ynë kryesor është konsolidimi i inspektorateve, thjeshtimi i procedurave të inspektimit, rritja e transparencës dhe kapaciteteve të inspektorëve, si dhe ulja e konfliktit të interesit”, tha ministrja.
Ajo shtoi se për këtë do të përdoret edhe moduli i riskut, që do të lejojë inspektimet të jenë të fokusuar dhe të targetuara.
“Inspektimet nuk duhet të jenë të shpeshta dhe të përsëritura nga inspektorate të ndryshme. Gjoba nuk duhet të jetë masa e parë ndëshkuese për bizneset. Masa parandaluese dhe paralajmërimi për vendosjen e penaliteteve duhet të jenë hapi i parë”, tha ajo.
Ministrja theksoi se reforma ka për qëllim të krijojë një sistem inspektimi më të drejtë dhe profesional, duke ofruar transparencë, standarde të qarta dhe mbështetje për bizneset.
“Qasja jonë ndaj bizneseve ka qenë gjithmonë lehtësuese. Synimi është që çdo inspektim të ndihmojë bizneset të vetëkorigjohen dhe jo të jetë një surprizë e papritur ose një gjobë e menjëhershme”, tha ajo.
Sipas ministres, përmes këtyre ndryshimeve, inspektorët do të kenë plane të qarta pune, ndërsa bizneset do të përfitojnë nga një mjedis i rregulluar, i parashikueshëm dhe i fokusuar në parandalim, jo vetëm në penalizim.