9.5 C
Tirana
27 / 02 / 2026

Ramazani dhe Kreshma të treguara nga një baba imam dhe djali i tij prift

Adrien është prift, rregulltar i Etërve Bardhë, nga Burkina Faso. Al-Hâdjdj Issa është imam e babai i Adrienit. Babë e bir, ata po jetojnë së bashku periudhën e agjërimit të Ramazanit dhe Kreshmës, të cilat këtë vit përkojnë Nuk ka qenë gjithmonë kështu. Kur Adrien e ndërroi fenë, u dëbua nga familja e tij. Procesi i pajtimit zgjati 30 vjet.


Është mjaft e rrallë të gjesh dy thirrje të mishëruara kaq thellë brenda të njëjtës familje. Në vitin 1992, Adrien Sawadogo, djali më i madh, pothuajse u godit nga një takimi me Krishtin “në mënyrën e Shën Palit”, “përtej përvojës njerëzore”, siç pohon ai. Ky takim e transformoi jetën e tij e edhe atë të familjes së tij. I parëlinduri i vëllezërve dhe motrave, “djali më i madh besnik, që nderon babanë e tij në fe”, Adrien papritmas bëhet “diçka që askush nuk mund ta shpresonte në një familje të devotshme myslimane”: “bir i parëlindur që kthehet në krishterim”. “Ishte tronditje“, shpjegon ai.

Në të vërtetë, babai i tij, Al-Hâdjdj Issa, dhe komuniteti mysliman, i kthyen shpinën. Kjo është një përçarje e thellë që i ndau ata. “Unë jam ai që e linda dhe i dhashë emrin e Profetit. Por kur, pas studimeve të tij, u kthye në rrugën e Nabi Issa (Jezusit), personalisht, unë nuk e pranova në fillim”, dëshmon imami. Por Zoti është në veprim. Ngadalë, Ai po punon drejt pajtimit. “Vëllai im më i madh më këshilloi ta lija të qetë, sepse nëse do ta detyroja të kthehej në Islam, rrezikonte të humbiste gjithçka,  e nuk do t’i përkiste vërtet asnjërës fe”, vazhdon Al-Hâdjdj Issa, i cili në fund e lejoi Adrienin të vazhdojë studimet e tij teologjike. “Zoti donte të më tregonte se kisha bërë gjënë e duhur, duke e lënë të ndiqte rrugën e tij; ai më pas studioi edhe Kuranin. Kështu, arriti atë që donte të bënte, e edhe atë që unë dëshiroja për të. Kështu vullneti i Zotit u përmbush. Atë që Zoti nuk e dëshiron, askush nuk mund ta arrijë”.

U deshën 30 vjet, nga viti 1992 deri në vitin 2022, për të arritur në këto fjalë paqeje. “Babai pranoi se feja e krishterë është me të vërtetë fe e vërtetë dhe e sinqertë. E sot thotë: ‘Vërtet, ju të krishterët e njihni Zotin’”, rrëfen Adrieni. “Ne shpesh debatojmë në diskutime të pakuptimta”, shton babai i tij. “Por nëse mendojmë vërtet për atë që po ndodh, jemi ne fajtorë; kjo nuk i ndodh kurrë Zotit. Është më e dobishme për ne ta falim njëri-tjetrit dhe të punojmë së bashku, sesa të nisim grindje të padobishme. Nëse Zoti do të donte të na çonte në fatkeqësi, ai do ta bënte këtë përmes përçarjeve dhe argumenteve tona të pakuptimta. Por në të vërtetë, Zoti nuk na urdhëron ta kundërshtojmë njëri-tjetrin”.

Ramazani dhe Kreshmët: kohë për takim

Me një lojë fjalësh, Adrien bën shaka për rastësinë e Kreshmëve dhe të Ramazanit të këtij viti: “Një nga vëllezërit, në një manastir të Salisbury, Britani e Madhe, kishte shkruar në derën e tij, anglisht, për ngjarjet e jetës: ‘Disa njerëz i quajnë rastësi, unë i quaj rastësi nga Zoti’”.

E kjo është pikërisht ajo që Ati i Bardhë e percepton sot. Ky përkim kohor është  ftesë për traditat e mëdha të Islamit e të Krishterimit për të jetuar në “misticizëm takimi”, shpjegon misionari në Afrikë, duke kujtuar, përmes kësaj shprehjeje, letrën apostolike të Papës Françesku, drejtuar të gjithë personave të shuguruar, botuar në vitin 2014. Është çast i përshtatshëm që ta dëgjojnë njëri-tjetrin, të kërkojmë së bashku një rrugë e një metodë për të jetuar së bashku. Dëgjimi është gjithashtu në zemër të mesazhit të Kreshmëve të Papës Leoni XIV: “Dëgjimi krijon shtigje çlirimi, duke na bërë më të shpejtë e më të zellshëm në kontributin për ndërtimin e qytetërimit të dashurisë”.

Nëse dëgjimi i Fjalës së Zotit është në zemër të Kreshmëve, dëgjimi i Kuranit është po aq në qendër të agjërimit e të Ramazanit: “Në Afrikën Perëndimore, në Burkina Faso, si në Mali, është kohë e jetës së përqendruar rreth leximit të Kuranit. Është zbulesa e Zotit”. E kjo është arsyeja pse pika kulmore e Ramazanit tradicionalisht shoqërohet me Natën e Fuqisë, Laylat al-Qadr, e cila përkujton fillimin e zbulesës kuranore. “Një çast intensiv heshtjeje, lutjeje, dëgjimi, pendimi dhe manifestimi i mëshirës hyjnore”, shpjegon Ati Adrien.

Bibla dhe Kurani nuk janë në kundërshtim me njëra-tjetrin”, vazhdoi Imami. “Kjo rastësi është ftesë për inteligjencë dhe konvertim i sjelljes sonë, në mënyrë që secili prej nesh të përpiqet për përsosmëri në fenë e vet, në vend që ta denigrojë fenë e të tjerëve me teprime të mundshme”. Duke i denoncuar me vendosmëri këto “teprime”, al-Hâdjdj Issa Sawadogo është i përkushtuar në një proces dialogu: “Nëse pranojmë të takohemi për të shkëmbyer ide dhe për të dëgjuar njëri-tjetrin, do të kuptojmë se objektivi ynë është i njëjtë”. Imami sheh në këtë rastësi një “tregues hyjnor” se të krishterët dhe myslimanët duhet të “dinë si të pranojnë me inteligjencë”. Ramazani dhe Kreshmët, përfundoi Adrien Sawadogo, janë të dy “një kohë kur njerëzimi dhe Zoti janë në prani. Për myslimanët, është kohë e përcaktuar nga Zoti për t’u takuar me Të në Fjalën e Tij. Për të krishterët, është kohë e favorshme që Zoti i ofron njerëzimit të shkojë tek Ai, ta lejojë veten të tërhiqet në vetë misterin e Zotit”. Pra, këto janë dy çaste vërtet domethënëse në jetën e këtyre dy traditave, këtyre dy komuniteteve të mëdha, të cilat së bashku përfaqësojnë më shumë se gjysmën e popullsisë së botës.

(R.Sh. Vatican)

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x