Më thirrjen “O besëprerë, ik largohu!”, kryedemokrati mblodhi qytetarët në shesh, poshtë zyrës së Edi Ramës për të kërkuar dorëheqjen e tij si një biletë pa kthim. Përfshirja e kryeministrit në aktakuzën e ish-zyrtarit të FBI-së për Sali Berishën është përpjekja e qeverisë në rrafshin ndërkombëtar për të shkatërruar opozitën.
“Qëllimi kryesor i këtij revolucioni është të mbrojmë të vërtetat, por jo vetëm ti mbrojmë. Të bëjmë çdo sakrificë, çdo përpjekje që ato të triumfojnë. Rama është shndërruar në shpresëvrasësin më të madh në Europë dhe një nga 3 shpresëvrasësit më të madhej në botë. Në këtë skandal, Edi Rama është i vetmi kryeministër që përmendet 14 herë në aktpadinë e çështjes në të cilën ai korruptoi dhe përdori si vrasës me pagesë kundër opozitës perëndimore të Shqipërisë dhe pluralizmit politik, njërin nga zbuluesit më të fuqishëm të planetit”, tha Berisha.
Një sjellje që, sipas Berishës, e bën Edi Ramën të denjë për t’u renditur jo mes liderëve perëndimorë. “Ti Edi Rama ke kryer një akt armiqësor ndaj këtij vendi për të cilin Vladimir Putin, Kim Jong Un, Aleksandër Lukashenko janë gati të të varin dekoratën e tyre më të lartë, o faqezi”, tha Berisha.
Përveç akuzave ndaj kundërshtarit politik, në fjalimin e kreut të PD nuk mungoi as shpalosja e platformës qeverisëse e demokratëve. Deri në ndryshimin e pushteteve, opozitën e quajti në mision dhe u kërkoi qytetarëve që duke nisur nga e hëna të shndërrohen në protestues të Edi Ramës. “Qytetarë të revoltuar të vijojmë betejë nderi në revolucion, të hënë para Parlamentit”.