23.5 C
Tirana
24 / 06 / 2024

Pse e “bojkotoi” Rama takimin me ambasadorët e BE

Amnistia fiskale ishte temë e një takimi takim konsultativ që u mbajt të enjten mes përfaqësuesve të qeverisë dhe ambasadorëve të BE-së, SHBA-së, Suedisë, Gjermanisë, Hollandës, Italisë e Britanisë në vilën qeveritare nr.30.

Në takimin pa praninë e mediave ishin të pranishëm ambasadorja e BE-së Christiane Hohmann, e SHBA-së, Yuri Kim, ambasadori britanik Alastair King-Smith dhe ambasadorë të vendeve anëtare të BE-së, ndërsa qeveria u përfaqësua me ministren e jashtme Olta Xhaçka, të Financave, Delina Ibrahimaj dhe kryetarin e grupit parlamentar socialist Taulant Balla.

Kryeministri Edi Rama mungoi dhe pse një ditë më parë shprehu gadishmërinë për të diskutuar me BE-në për këtë ligj, për të cilin tha se nuk do të tërhiqet, pavarësisht kërkesës së ndërkombëtarëve.

I pyetur për arsyet që detyruan kryeministrin që të anulonte takimin, drejtori i Agjencicë për Media dhe Informim, Endri Fuga, tha se nuk kishte komente për “pjesën jopublike të axhendës së Kryeministrit” dhe shtoi se në takim kishte përfaqësues të qeverisë.

Pas këtij takimi, zyra e delegacionit të BE-së në Tiranë përsëriti qëndrimin kundër draftit ligjor të qeverisë “Rama” për amnistinë fiskale dhe kërkoi rishikimin e tij.

“Bashkimi Evropian ka shqetësime serioze për draftin aktual të ligjit për amnisti fiskale. Ne do të vazhdojmë konsultimet me strukturat përkatëse të qeverisë për të rishikuar këtë legjislacion”- tha delegacioni pas interesimit të mediave për atë që ishte diskutuar në këtë takim.

Në një dalje për mediat të mërkurën Rama tha se nuk do të tërhiqeh nga nisma dhe ironizoi kritikat direkte të Bashkimit Europian. “Ju qani hallin sa do mërzitet BE-ja apo sa do mërzitet Amerika? Çfarë halli qani? Këta i kanë punët në rregull”- iu drejtua ai gazetarëve.

Opozita po ashtu ka kundërshtuar nismën e qeverisë si një rrezik për ekonominë e vendit.

Deputetja Jorida Tabaku në një konferencë për mediat të enjten e cilësoi nismën “si një iniciativë që nuk shkon në linjë me shtetin ligjor” dhe pengon procesin e integrimit.  Sipas saj, amnistia “cënon punën e bizneseve të ndershme, të cilët sot do të vendosen përballë përgjegjësisë për të paguar një normë tatimi shumë herë më të lartë sesa ajo që do t’i ofrohet përsonave që do të jenë subjekt i  amnistisë fiskale”.

Projekti i qeverisë parashikon që përkundrejt një tatimi nga 5 deri në 10% të pasurisë së vënë përmes kontrabandës apo evazionit fiskal, shtetasit shqiptarë apo të huajt me rezidencë fiskale në Shqipëri do të kenë mundësinë të deklarojnë deri në 2 milionë euro për familje dhe t’i shpëtojnë përgjithmonë përgjegjësisë penale apo administrative për krimet e kryera, përfshirë evazionin fiskal, mashtrimin me TVSH-në apo kontrabandën me mallrat e akcizës.

Një nismë e ngjashme në vitin 2020 u përball me kritika nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe u tërhoq nga qeveria “Rama”.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x