Nga Avni Selmani
Në politikën kosovare, dështimet dhe keqpërdorimet nuk kanë kosto. Merren vendime të gabuara, thyhen premtime, bllokohen institucione, shkelet Kushtetuta, por askush nuk mban përgjegjësi. Nuk ka dorëheqje, nuk ka llogaridhënie dhe nuk ka pasoja reale. Gjithçka vazhdon sikur asgjë të mos ketë ndodhur.
Prej shpalljes së pavarësisë kemi pasur shumë dështime politike dhe ekonomike. Në aspektin politik janë nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare të dëmshme për Kosovën dhe nuk kemi arritur të ndërtojmë institucione të qëndrueshme. Korrupsioni, si një nga format më të rënda të keqpërdorimit të pushtetit, është shndërruar në një problem të vazhdueshëm dhe ka dobësuar funksionimin e institucioneve. Në aspektin ekonomik, Kosova është zyrtarisht shteti më i varfër në Evropë. Prej çlirimit deri më sot nuk kemi as edhe një projekt strategjik shtetëror. Kosova ka pasur kapacitet prodhues, por e ka humbur atë jo sepse ishte e pamundur, por sepse nuk u ndërtua asnjë model i ri pas luftës. Shumë resurse natyrore nuk janë vënë në funksion, edhe pse do të kishin ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin e vendit dhe në mirëqenien e qytetarëve. Si rezultat i këtij dështimi, sot kemi një ekonomi ku rreth 85 për qind e tregut mbështetet në importe. Nga e gjithë kjo, askush nuk ka mbajtur përgjegjësi, të paktën morale.
Por kjo gjendje nuk është vetëm përgjegjësi e klasës politike. Përgjegjësi kanë edhe qytetarët, të cilët janë thellësisht të ndarë në mes të “tonëve” dhe “atyre”. Secili mbron një lider ose një parti, pavarësisht veprimeve të saj. Këto rrethana krijojnë një shoqëri që nuk kërkon llogari. Në mungesë përgjegjësie, politika vazhdon njësoj dhe dështimet institucionalizohen.
Përderisa qytetarët i lejojnë këto dukuri dhe nuk sanksionojnë çdo veprim të klasës politike, dështimet do të vazhdojnë dhe shteti do të mbetet jofunksional.