14.5 C
Tirana
01 / 03 / 2024

Porno-gazetaria

Nga Ermal Mulosmani

Ngjarja e ndodhur në Prokurorinë e SPAK-ut me gazetarin Elton Qyno është një episod mjaft interesant që ndihmon për të hapur një debat rreth një tallava-hallakame me policë, prokurorë e gazetarë, një mishmash informacioni bruto që hidhet në gojën e miletit për tu përtypur nga ai me një kënaqësi perverse.

Para se të shkoj më tej, e gjej me vend të theksoj se jam kryekëput kundër metodave terroriste të Prokurorisë për të gjetur burimin e lajmeve të gazetarit. Absolutisht kundër! Është injorancë profesionale hetimore të terrorizosh gazetarë duke i mbajtur me orë të gjata nën presion psikologjik. Jam solidar me gazetarin Qyno dhe kryekëput kundër Prokurorisë në këtë mënyrë të bëri hetuesi.

Duke thënë këtë, më poshtë do të përpiqem të trajtoj edhe anën tjetër të medaljes.

Këtu është vendi për të rrëfyer një ngjarje të vërtetë nga kjo lidhje. Ma ka treguar vetë protagonistja e ngjarjes.

1.

“Pas një dite të lodhshme u ktheva në shtëpi e dërrmuar. Me një gjendje shpirtërore të rënduar nga thirrja e fundit në Prokurori, mezi prita të futesha në të vetmin oaz dashurie që më kishte mbetur. Por edhe aty nuk po rrija dot. I kërkova tim shoqi të dilnim për një kafe jashtë. U ulëm te kafja e lagjes me çehre të rënë. I thashë burrit “edhe mund të arrestohem, mos të bjerë e papritur. Prokurori mu duk se ishte nën presion për të gjetur një kokë turku. E ndjeva në ajër rrezikun”.

Im shoq po përpiqej të më qetësonte kur në titrat e televizionit përballë lexoj: “Lajmi i fundit : Arrestohet kryeinspektorja…”.

Një pikë loti më rrëshqiti nëpër faqe. Burri u ngrit me urgjencë dhe pagoi. Shkuam në shtëpi, kishte rënë heshtja. Babai dhe mamaja gjithashtu kishin parë lajmet. U vesha, bëra rrobat gati. Pas dy orëve erdhi policia dhe më morën…”

Kjo ishte një pjesë nga rrëfimi i një të njohurës sime që u arrestua si “dëm kolateral” i një ngjarjeje të bujshme me zhurmë të madhe mediatike.

Prokurori ia kishte dhënë lajmin e arrestimit gazetarit përpara se të ndodhte. Ky i fundit, nën ethet e të qenit i pari në lukuninë e ujqërve të lajmit, e bën publik lajmin përpara se të ndodhë.

Këtë unë e quaj porno-gazetari.

Ky rrëfim më kujtoi librin e famshëm “Nderi i humbur i Katerina Blumit”

2.

“Nderi i humbur i Katerina Blumit” – i shkruar prej nobelistit gjerman Hajnrih Bël, në vitin 1974- është padyshim manuali më i mirë publik i demaskimit të manipulimit media- polici-prokurori, në kurriz të të pafajshmëve. Shkrimtari gjerman ishte vetë një ndër viktimat e këtij bashkëpunimi terrorizues.

Katerina Blum është nëj 27 vjeçare gjermane me një fëmijëri fatkeqe, e divorcuar, që punon si ekonomiste shtëpiake dhe amvisë te çifti Blorna, burri avokat me emër ndërsa gruaja arkitekte. Punëdhënësit e saj e donin Katerinën si ta kishin vajzën e tyre, ata ishin mjaft të kënaqur nga cilësia e punës dhe mbi të gjitha karakteri i shkëlqyer i saj.

Martesa e dështuar e Katerinës me një minator pijanec, shok i të vëllait, e kishte bërë shumë të kujdesshme atë në rastet që i paraqiteshin dhe kishte krijuar një mosbesim trishtues sa i përket raporteve me meshkujt. Ajo bënte jetë të mbyllur, i kishte kufizuar daljet dhe shpenzimet e tepërta në përpjekje për të ndërtuar një jetë dinjitoze. I vetmi luks që i lejonte vetes ishte të udhëtonte me makinë në shi, pa destinacion, për orë të tëra. Me pak fjalë ajo ishte një vajzë e përkorë me korrektesë pedante dhe sjellje fisnike; një nga ato që mahniste këdo i binte rasti ta njihte.

Një ditë Katerinën e fton për një mbrëmje vallëzimi në shtëpinë e saj znj Voltershajm, një kushërirë e largët por që e trajtonte si ta kishte mbesën e saj. Katerina vendos të ndryshojë rutinën e saj trishtuese dhe shkon në atë mbrëmje. Atje njihet dhe vallëzon gjithë mbrëmjen me një personazh mjaft simpatik në sytë e saj, Ludvig Gëten. Krejt ndryshe për karakterin e saj të rezervuar dhe të heshtur, njohja me Gëtenin i sjell Katerinës një gëzim dhe përndritje që nuk ishte parë ndonjëherë. Pas mbrëmjes ajo e fton Gëtenin e saponjohur në shtëpinë e saj.

Mirëpo Gëteni ishte person në kërkim nga shteti gjerman. Policia bie në gjurmë të tij (një nga spiunët e policisë ishte gjithashtu i ftuar në mbrëmjen e znj Voltershajm) dhe rrethon shtëpinë e Katerinës. Kur policia hyn i kërkuari nuk gjendet në shtëpinë e saj!!!

Katerina konsiderohet e dyshimtë për mardhënien me të kërkuarin por akuza nuk ka kurrfarë prove kundër saj përveç faktit që ajo ka kërcyer dhe ka qenë e afërt me kriminelin. Katerina është mjaft e qetë në Polici dhe pyetjeve të hetuesve u përgjigjet me saktësi dhe pedantizëm skrupuloz. Hetuesit e kuptojnë se ajo nuk ka asnjë faj të provuar dhe e lënë të lirë….

Por kjo nuk do të thotë asgjë. Aty ku dështon policia dhe prokuroria e bën GAZETA. Gjyqi publik do i bëhej atje, në sytë kureshtarë të të gjithë gjermanëve dhe me manipulimet e paskrupullta të një gazetari sharlatan e shkatërroi Katerinën.

Çështja rimerret me zell të madh nga gazetari TËTGES. Ai nuk njeh kurrfarë kufiri në manipulimin e të vërtetave për ta transformuar Katerinën në sytë e lexuesve në një të përdalë rrugësh, një dashnore banditi e pamëshirshme, e ftohtë akull sa që refuzon të vizitojë nënën e saj dhe në shtratin e vdekjes! Transformimi I një ëngjëlli në një përbindësh ndodh brenda 5 ditësh përmes intervistave të sajuara apo të transformuara.

Katerina i përjeton tragjikisht intervistat e sajuara të Tëtgesit dhe, ditë pas dite, ajo kupton që nderi i saj, gjëja më e shtrenjtë që kishte në jetë, është humbur njëherë e përgjithmonë përmes shpifjeve dhe intrigave të një sharlatani gazetar. Kulmi arrihet kur Tëtgesi shkon për një intervistë me nënën e Katerinës, të sëmurë në shtartin e vdekjes. Atje ai i paraqet faktet e manipuluara para nënës e cila merr goditjen përfundimtare duke deklaruar “Pse duhej të ndodhte kështu”? Të nesërmen Tëtgesi hap gazetën me titullin “Kjo ishte e pashmangshme, kështu do të përfundonte”.

Pas daljes së gazetës e ëma e sëmurë e Katerinës vdes.

Në këtë gjendje të rënduar ajo e fton Tëtgesin në shtëpi gjasme për intervistë dhe e vret.

3.

Kjo ndodhi më 1974 në Gjermaninë Perëndimore. Media, Policia dhe Prokuroria mbronin njëra tjetrën ndërsa kafshonin pa mëshirë viktimat e pambrojtura.

Tani të kthehemi pak 50 vjet më vonë në këtë Teatrin tonë të absurdit ku privatësia, sekreti i hetimit dhe prezumimi i pafajësisë janë gjithashtu gjëra të papërfillshme përpara oreksit vuajarist të turmës dhe interesave të Padrinove për të ushqyer këtë oreks.

Ndryshe nga Gjermania e kohës së Bëlit, në Shqipërinë e sotme janë disa Tëtgesë që bredhin studiove të Televizioneve për të zbërthyer biseda sekrete mes individëve të përgjuar, për të dekonspiruar video që ndodhen në celularët privatë të individëve, për të përgojuar emra konkretë njerëzish dhe ngjarjesh, shpesh pa asnjë faj.

“Tëtgesët” shqiptarë janë ndërlidhës dhe negociatorë me gangsterët e politikës, të krimit, të prokurorisë dhe të policisë.

“Kapo i të gjitha kapove” gjendet në Kupolën politike. Sapo diçka e rëndë ndodh në botën e mafies së politikës, menjëherë shoqërohet nga një zbulim i një krimi të bujshëm a një krim i ri. Menjëherë thirren në prime-time “Tëtgesët” tanë, shpesh dy a tre në çdo studio që ushqejnë etjen e publikut për histori me gangsterë e vajza të bukura.

Ka një garë mes tyre për të publikuar dosjet që dihet se janë ekskluzivitet i Prokurorisë së posaçme. Këta dekonspirojnë deklaratat e kriminelëve të penduar, përflasin individë pa akuza penale, akuzojnë me tone prokurori personazhe që janë në proçes të hapur, mitizojnë kriminelë të vrarë dhe të pakapur ndërkohë që masakrojnë kriminelë të arrestuar. Ata janë në gjendje të intervistojnë kriminelët e shumëkërkuar, janë miq me ta, u kanë numrin e telefonit dhe shkëmbejnë haptas mesazhe.
Shpesh bëjnë lojën e tyre duke përdorur Televizionin a portalet e shumta për të hedhur shashka që nuk vërtetohen kurrë dhe për të cilat askush nuk kërkon llogari.

Për shembull, arrihet deri aty sa, një nga Tëtgesët që vishet me rroba eksperti, një ditë tha:

“Unë mendoj se në dy tre ditët e ardhshme, nga bastisjet që do bëhen në një bazë do të zbulohet një fletore ku do dalin pagesat që krimi ka bërë për policinë”!

Kjo nuk ishte parë kurrë! Pra eksperti “mendon” se do të bëhen bastisje dhe nga këto bastisje do të zbulohet një fletore(!) ku do të dalin emrat e Drejtorëve të paguar nga krimi(!).

Çfarë mendimi! Të keqen e fallxhoreve. Kanë kaluar më shumë se 18 muaj nga ajo deklaratë. As fletore nuk është gjetë e as falje Tëtgeseksperti nuk ka kërkuar.

Se mos i kërkon kush llogari. Jemi në epokën e fjalës e lirë të paguar.

Po i njëjti “ekspert” lajmëron se vajza të showbizit prostituojnë në Dubai me shuma mbi 100 mijë Euro! Madje, dy prej tyre –deklaron seksperti- kishin video erotike që kanë dalë nga celulari i një të zhdukuri të famshëm!

Prit pak. “Tëtgesi” ekspert po akuzonte SPAK-un se kishte dekonspiruar videot e gjetura në celular, kjo ishte e palejueshme!

SPAK-u është bukëdhënësi i “Tëtgesave”, atë nuk guxon kush ta prekë. Menjëherë shpejgojnë se teknikisht kjo video nuk mund të kishte dalë nga specialprokurorët pasi telefoni në fjalë nuk ka opsion për video.

E gjithë kjo gurgule është në kurrizin e një vajze, personazh publik, që për një javë ndjehet e terrorizuar nga thashathemnaja e Tëtgesekspertit. Askush nuk mendon për reputacionin e humbur të saj.

Përkundrazi, shpifësi ekspert ankohet se po i rrezikohet reputacioni nga krimi. Dhe askush nuk e thërret ta hetojë. Përkundrazi, shtohen kërkesat për të në çdo emision, që nga mëngjesi e deri në mesnatë.

Porno-gazetaria me biseda të stërgjata vrasësish a gangsterësh injorantë e vulgarë, që kënaqen me fuqinë e tyre mediatike dhe e krahasojnë veten me staret e politikës apo televizionit duhet të marrë fund! Nëse nuk e bën shteti me ligje duhet që gazetarët vetë a përmes redaktorëve të vendosin filtra të etikës profesionale.

Kjo është porno-gazetari.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x