9.5 C
Tirana
16 / 02 / 2025

PD e akuzon se ka përfituar prona në Vuno, reagon Rama: Propagandë nga skllevërit e ballkonit ‘non grata’, lëtyrë e nxjerrë nga kanalet e ujrave të zeza në Tiranë e Athinë

Partia Demokratike ka denoncuar se kryeministri Edi Rama ka përfituar një sipërfaqe toke pasuri në Vuno prej 22,4 hektarësh.

Në një deklaratë për mediat, Sekretari për Çështjet Ligjore Ivi Kaso tha se vlera e painvestuar përllogaritet jo më pak se 30 milionë euro dhe e investuar deri në 150 milionë euro.

“Artan Lame dhe Jogo Goro dilnin para banorëve dhe njoftonin përfundimin e procesit të legalizimeve. Në listën e përfituesve me certifikatë pronësie rezultonte një pjesë e mirë e fisit Koleka, mes tyre edhe Aneta Koleka, nëna e kryeministrit. Bëhet fjalë për jo pak metra, por për 22,4 hektarë në të cilin vëllezërit Rama, në cilësinë e trashëgimtarëve, marrin një pjesë pasurie, e cila pa investuar përllogaritet jo më pak se 30 milionë euro dhe të investuar arrijnë në vlera 150 milionë euro”, deklaroi Ivi Kaso.

“Nga dokumentet që ne kemi siguruar, rezulton se në 2017 Rama dhe trashëgimtarë të tjerë të fisit Koleka kanë aplikuar në ATP. Në një proces administrativ të brendshëm ATP ka refuzuar njohjen e kësaj prone dhe kompensimin fizik të saj sepse ka gjetur mangësi në dokumentacion. Në radhë të parë nuk ekzistonte një vendim shpronësimi dhe nga ana tjetër mungesa e pozicionimit të saktë të kësaj prone pasi nuk kishte dokument ligjor dhe hartografik.

“Në këto kushte trashëgimtarët e familjes Koleka i drejtohen gjykatës Vlorë, kjo ka ndryshuar vendimin e ATP, duke i njohur kërkuesve pronën. Në këtë proces gjyqësor të gjitha institucionet shtetërore që ishin pjesë e këtij procesi, nuk kanë guxuar të marrin pjesë në gjyq. Nuk janë paraqitur asnjëherë në mbrojtje të vendimmarrjes së tyre. I vetmi institucion që ka marrë pjesë formalisht ka qenë Avokatura e Shtetit, e cila formalisht ka mbrojtur vendimin e ATP”, shtoi Kaso.

Rama iu përgjigjet akuzave

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me akuzat e PD-së, ku pretendohet se ai ka përfituar prona për vete dhe familjarët e tij në Vuno të Himarës.

Me anë të një postimi në rrjetin social X, Rama u shpreh se po hidhet baltë mbi të dhe familjen e tij dhe shtoi se ata që akuzojnë, do jenë pjesë e padisë së radhës në gjyq.

Reagimi i Ramës:

Përpjekja e dëshpëruar për të bërë një paralele të pamundur, mes pushtetit të përdorur për veten e për familjen dhe pushtetit të vënë në dispozicion të të gjithëve, ku edhe vetja, familjarët apo fisi yt trajtohen njësoj si të gjithë, është një përpjekje që e përshëndes me kënaqësi, sepse aq sa ç’është e neveritshme si gjithnjë kur hidhet baltë mbi familjen time për të luftuar në fakt me mua, aq është këtë herë edhe e mirëseardhur për të bërë dallimin si nata me ditën mes agresorëve të familjes time dhe meje si kundërshtar i papërkulshëm i tyre!

Të gjitha faktet që e ekspozojnë këtë përpjekje, si një lëtyrë të nxjerrë nga kanalet e ujrave të zeza mediatike në Tiranë e në Athinë, e tashmë të propaganduar nga skllevërit e ballkonit Non Grata, do të jenë pjesë e padisë së radhës në gjyq për këta të paudhë që në fakt, po i paguajnë me një vetëdiskreditim e vetëturpërim shembullor në sytë e shqiptarëve paudhësitë e panumërta, që i kanë bërë këtij vendi e këtij populli kur kishin edhe gurin edhe arrën, në duart e tyre të mbrapshta e të pista.

Por për publikun ka vetëm një fakt. Sot e gjithë ditën, duzina e trashëgimtarëve të pronave të stërgjyshit tonë në Vuno të Himarës, njësoj si plot trashëgimtarë të tjerë të kësaj zone – ku sapo isha së bashku me kryebashkiakun tonë të së dielës së ardhshme, Vangjel Tavon – nuk i ka marrë ende çertifikatat e pronësisë. Sepse unë, ndryshe nga kundërshtarët e mi pa din e pa iman, nuk jam i asaj kategorie përfaqësuesish të popullit, që tjetër thonë për njerëzit e tjetër bëj për vete.


Kështu që faleminderit që e hapën këtë gropë në publik për mua dhe bujrum le të hidhen vetë brenda, si zakonisht, por këtë herë me të mirën e madhe që populli do ta shohë dallimin e madh, si në një pasqyrë ku vetëm qorrat me qimen e syrit në tru mund të mbeten pa e kuptuar!

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x