Papa Leoni ka deklaruar se nuk ka mbështetur kurrë armët bërthamore, duke iu përgjigjur akuzave të fundit të presidentit Donald Trump, i cili pretendoi se qëndrimi i tij për luftën në Iran “rrezikon shumë katolikë”.
Në një prononcim për gazetarët të martën në mbrëmje, pas largimit nga rezidenca papnore në Castel Gandolfo pranë Romës, papa i parë i lindur në SHBA theksoi se misioni i kishës mbetet i pandryshuar: Të predikojë ungjillin dhe paqen.
Ai u bëri thirrje kritikëve që të tregohen të ndershëm në deklaratat e tyre publike. “Nëse dikush dëshiron të më kritikojë për shpalljen e ungjillit, le ta bëjë këtë me të vërtetën. Kisha ka qenë kundër të gjitha armëve bërthamore prej vitesh”, tha Papa Leoni, duke shtuar se shpreson të dëgjohet përmes mesazhit të fjalës së Zotit.
Deklaratat e tij vijnë pas komenteve të Trump, i cili në një intervistë për moderatorin konservator Hugh Hewitt akuzoi papën se “e konsideron në rregull që Irani të ketë armë bërthamore”, një pretendim që Vatikani e hedh poshtë.
Tensionet mes Vatikanit dhe Trump janë rritur që prej muajit prill, kur presidenti amerikan e quajti Papën Leo “të dobët” dhe “të paaftë në politikën e jashtme”, pas kritikave të këtij të fundit ndaj luftës në Iran. Trump madje publikoi edhe një imazh të gjeneruar me inteligjencë artificiale ku shfaqej si figurë e ngjashme me Krishtin, përpara se ta fshinte.
Ndërkohë, Papa Leoni pritet të zhvillojë një takim me sekretarin amerikan të shtetit, Marco Rubio, në Vatikan të enjten, në një përpjekje për të ulur tensionet diplomatike. Sipas burimeve, pritet një bisedë e drejtpërdrejtë, ndërsa palët synojnë të mbajnë të hapura kanalet e komunikimit.
Analistët vlerësojnë se situata është bërë më personale, pasi Trump ka drejtuar kritikat drejtpërdrejt ndaj papës dhe jo ndaj institucionit të kishës. Ndërkohë, takimi me Rubion shihet si një hap i rëndësishëm për të ruajtur dialogun mes SHBA-së dhe Vatikanit, në një klimë të tensionuar ndërkombëtare.