Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi sot para stafit të administratës doganore Drejtorin e ri të Përgjithshëm të Doganave, Fation Shehu, duke i uruar suksese në drejtimin e institucionit.
Gjatë takimit, ministri Malaj vlerësoi rëndësinë e rolit të administratës doganore në mbështetjen e ekonomisë dhe lehtësimin e aktivitetit të biznesit, ndërsa nënvizoi nevojën për vijimin e reformave që synojnë rritjen e efikasitetit dhe modernizimin e shërbimeve.
Në ceremoninë e prezantimit ishte i pranishëm edhe drejtori aktual i Doganave, Besmir Beja, për të cilin ministri shprehu mirënjohje për angazhimin dhe kontributin e dhënë gjatë periudhës së drejtimit të institucionit.
“Një falënderim për Besmir Bejën për punën dhe përkushtimin e treguar në krye të administratës doganore. Jam i bindur se eksperienca e krijuar do të shërbejë më tej në funksion të forcimit të institucioneve publike”, u shpreh Malaj.
Ministri theksoi se administrata doganore do të vijojë të ketë në fokus modernizimin e procedurave, transparencën dhe bashkëpunimin me sipërmarrjen, me synim krijimin e një mjedisi më të favorshëm për tregtinë dhe investimet.
“Vijojmë punën për një administratë doganore më moderne, më efikase dhe më pranë sipërmarrjes, me fokus lehtësimin e tregtisë dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Europian”, deklaroi ministri i Financave.
- Prezantohet drejtori i ri i Doganave, Malaj: Prioritet modernizimi dhe integrimi europian - 24/11/2026
- Nga energjia inteligjente te siguria kibernetike: Vodafone Albania prezanton 6 zgjidhje për bizneset në ECGE 2026 - 24/11/2026
- Pushime për Tre: kinemaja shqiptare më në fund qesh pa u stërmundur - 20/11/2026