Partitë opozitare të krahut të djathtë dhe lëvizjet djathtiste organizuan protestë më 16 dhjetor para ndërtesës së Presidencës serbe në Beograd. Protestuesit kërkuan nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, “të ndryshojë politikën” e Serbisë ndaj Kosovës dhe të pezullojë negociatat që zhvillohen në Bruksel.
Protesta u organizua në kohën e rritjes së tensioneve mes dy shteteve, pasi më 10 dhjetor, disa serbë lokalë vendosën barrikada në veri të Kosovë, në shenjë kundërshtimi me arrestimin e ish-pjesëtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.
Pantiqit i është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji, pasi dyshohet se ka organizuar “sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.
Organizatorët e protestës bënë thirrje për dhënien fund të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian që nga viti 2011.