Normalizohet situata në qarkun e Korçës pas reshjeve të borës. Burime zyrtare pranë prefekturës bëjnë me dije se gjatë orëve të fundit ka pasur reshje të dobta shiu dhe dëbore kryesisht në zona malore, por pa shkaktuar probleme.
Gjithashtu nga ana e institucionit të prefektit është bërë e ditur se akset kryesore nacionale dhe ato të fshatrave turistike të Dardhës dhe Voskopojës janë plotësisht të kalueshme dhe pa probleme.
Po ashtu edhe akset rrugore të zonave të thella malore janë kriposur për të lehtësuar lëvizjen e mjeteve në orët e para të mëngjesit. Ulja e temperaturave ka sjellë në këto akse prani të akullit.
Burime nga Autoriteti rrugor Shqiptar sektori Korçë, bëjnë me dije se reshjet e borës kanë qënë në koutën mbi 1300 metra. Në rrugën e Dardhës nga km 8.5 deri në km 14 trashësia e borës ka qënë nga 2-5 cm, shoqëruar edhe me erë. U punua me borëpastruese për pastrim dhe kriposje.
Gjithashtu u punua për inspektimin e akseve të tjera si Korçë-Ersekë dhe Korçë-Voskopojë ku është bërë dhe kriposje pjesore.
Nga ana e bashkive të qarkut nuk raportohen probleme edhe në furnizimin me energji elektrike, megjithëse burimet thanë se herë pas here ka pasur shkëputje të energjisë në zona të thella malore.
Policia rrugore iu kërkon drejtuesve të mjeteve që vijnë nga zona të tjera për të kaluar fundjavën në fshatrat turistikë të juglindjes që të mos lëvizin në këto akse pa pasur mjetet dimërore në përdorim.
Pa probleme ditën e sotme paraqiten dhe akset rrugore Shtyllë-Panarit dhe Gjergjevicë- Lekas.