Një konfrontim i banorëve për të shpëtuar sheshin kryesor në lagjen ikonë të Athinës, Exarhia, është pjesë e një beteje më të madhe mbi gentrifikimin, ndryshimet klimatike dhe të ardhmen e kryeqytetit grek.
Nga Iason Athanasiadis
Gushti është muaji kur athinasit ikin nga blloqet e banesave prej betoni që thithin nxehtësinë e qytetit dhe Exarhia – një bastion i majtë i njohur për anarkinë, kreativitetin dhe, së fundmi, argëtimin dhe qiratë e rritura – nuk bën përjashtim.
Kështu, kur policia vërshoi në sheshin Exarhia rreth agimit të 9 gushtit, ata hasën në rezistencë të kufizuar. Oficerët e policisë larguan shpejt disa aktivistë të vendosur në shesh dhe agimi i diellit gjeti njësi policie që ruanin punëtorët ndërsa ata vendosnin barriera metalike dhe iu drejtuan pemëve me sharrë elektrike me zinxhir.
E gjithë kjo, me qëllim që të hapet terren për një stacion metroje që shërben për Linjën e re 4 të qytetit. Në këtë shesh ishin 73 pemë, shumica e tyre prej dekadash aty.
“Metroja do të bëhet dhe për këtë s’do të ketë asnjë debat”, tha kryebashkiaku i Athinës Kostas Bakoyannis në një intervistë televizive më 23 gusht. “Metroja është për të gjithë. Nuk ka gjëra të tilla si vagonë të majtë apo vagonë të djathtë.”
Pavarësisht retorikës së tij të përgjithshme, kryebashkiaku 44-vjeçar është një personazh përçarës.
Si nip i kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, Bakoyannis i përket një dinastie politike që ka pasur ndikim mbi politikën greke për një shekull.
Mbretërimi i tij në Athinë – i parë gjerësisht si një pikënisje për një karrierë politike në nivel kombëtar – është shoqëruar me një sërë projektesh që janë kritikuar rëndë në disa qarqe: nga dështimi për të ofruar hije në rizhvillimin e dy shesheve kryesore te një projekt pedonalizimi i parregullt i quajtur Shëtitorja e Madhe, nga “parqet xhep” të lëna shpejt pasdore, te një nismë e dobët për të thithur CO2 nga një shesh i ndotur i qytetit duke përdorur makineri që pretendojnë se bëjnë punën e 28 pemëve.
Kryeqyteti grek ndjek homologët e tij të Bashkimit Evropian për sa i përket mbulimit me pemë, hapësirave të gjelbra urbane dhe infrastrukturës së krijuar për t’u marrë me ndryshimet klimatike, pavarësisht objektivit për të zgjeruar hapësirën e gjelbër të qytetit nga katër për qind në 30 për qind deri në vitin 2030.
Qindra pemë të qytetit u prenë kohët e fundit për shkak të një virusi të pashërueshëm, ndërsa 20,000 të tjera do të shkulen për t’i hapur rrugë një zhvillimi të madh luksi në vendin e një ish-aeroporti. Midis 1,000 dhe 2,500 janë planifikuar për t’u hequr si pjesë e planeve për të ndërtuar Linjën 4 të metrosë.
Me Athinën që renditet në vendin e 227-të nga 344 qytete evropiane për sa i përket ndotjes së ajrit, disa banorë thonë se trajektorja aktuale e qytetit është e paqëndrueshme.
“Ata mund edhe të mos i kishin prerë, por po e bëjnë këtë për të kursyer në gërmimin e tuneleve më të thella dhe me pllaka të veçanta që mbajnë pemë,” tha Giorgos Dimitriou, një arkitekt dhe kreu i Aleancës Ekologjike, një grup ekologësh në Këshillin e Qarkut Atikë.
“E gjelbra urbane konsiderohet një investim në Evropë, por një humbje kohe në Greqi, dhe kjo është arsyeja pse ne kemi më shumë ndotje dhe thithim ajër me cilësi më të ulët.”
Sakrifikohen pemë për të lehtësuar mbipopullimin
Linja 4 është një shtesë në rrjetin e metrosë së Athinës. Ajo po ndërtohet mbi një zgjerim të mirëpritur të sistemit të metrosë për Lojërat Olimpike të Athinës 2004 që ndihmoi në dekonstruksionin e qytetit famëkeq me smog dhe trafik dhe në ngritjen e çmimeve të pasurive të paluajtshme në zonat që krejt papritur u bënë më të aksesueshme.
Rruga e re do të lidhë një sërë zonash veriore të largëta me qendrën. Stacioni Exarhia do t’u shërbejë kryesisht qindra mijëra turistëve dhe studentëve që çdo vit që vizitojnë Muzeun Arkeologjik Kombëtar dhe Shkollën Politeknike. Por në vend që ta ndërtonin atë në një hapësirë të lirë midis dy vendeve, planifikuesit vendosën ta lokalizonin stacionin në sheshin ikonik Exarhia, duke përmendur kërkesat inxhinierike.
Pemët u desh të hiqeshin, tha Nikos Tahiaos, kreu i Metrosë së Athinës dhe një ish politikan i partisë në pushtet të Mitsotakis Demokracia e Re. “Lëvizja e materialeve të rënda kërkon në mënyrë të pashmangshme një hapësirë të madhe, ashtu si edhe vinçat e ndërtimit”, tha ai. “Prandaj heqja dhe prerja e pemëve është e pashmangshme.”
Diku tjetër në Athinë, barrierat e larta metalike nënkuptuan që banorët e lagjes së pasur Kolonaki morën vesh se pemët në sheshin e tyre popullor ishin hequr plotësisht për t’i hapur rrugë një stacioni tjetër metroje, kur fotot e dronëve që zbulonin një peizazh të ngjashëm me hënën u publikuan në internet.
Rezistenca e vetme erdhi nga Exarhia, ku veçimi i përsëritur i qeverisë ndaj disidencës politike dhe delikuencës së rrethit si një problem që duhej zgjidhur i dha konfrontimit një ngjyrim ekzistencial.
“Grekët kanë një marrëdhënie të keqe me Natyrën, e cila duket kërcënuese për mentalitetin e tyre”, tha Ares Kalandides, një konsulent dhe akademik për zhvillimin urban dhe rajonal, i cili e ndan kohën e tij midis Athinës dhe Berlinit.
“Qyteti është një vend që na mbron nga Natyra. Nëse risjellim në mendje se si dukej Atika në shekullin e 19-të, ajo ishte krejtësisht e thatë dhe nuk kishte pemë. Edhe vendet e gjelbra të mbjella nuk u bënë kurrë pjesë e qytetit.”
Zhdukje e hapësirave të gjelbra
Kriza ekonomike greke mund të ketë ndikuar tek të ardhurat e athinasve të zakonshëm, por ajo përkoi me një rritje të mbërritjeve të turistëve në një qytet i cili, pavarësisht nga vlera e tij mahnitëse historike, tradicionalisht kishte qenë vetëm një pikë tranziti për të huajt që shkonin në ishujt e Egjeut.
Me rënien e kostos së jetesës dhe qeveritë e njëpasnjëshme greke që ofruan ulje taksash dhe skema të rritjes së kapitalit, të tilla si “vizat e arta”, një numër kompanish dhe punëtorësh u zhvendosën në Athinë. Numri u rrit më tej gjatë pandemisë COVID-19 pas futjes së një Vize Dixhitale Nomade.
Me Berlinin dhe Barcelonën që shfaqnin shenja të ngopjes nga vizitorët, Athina filloi të shfaqej në faqet e udhëtimeve me qytetet më të mirë që duheshin vizituar, së bashku me qytete si Lisbona dhe Dubrovniku.
Edhe llogaritur rritjen e numrit të turistëve, Athina është tashmë qyteti i dytë më i dendur i banuar në BE dhe ndodhet në një zonë zgjerimi thatësire.
Sipas një sondazhi nga Crowther Lab, një grup kërkimor ndërdisiplinor që shikon shpërndarjen dhe funksionimin e ekosistemeve, deri në vitin 2050 klima e qytetit do të ngjajë me atë të Fezit të Marokut.
Edhe pse linja e re e metrosë ka të ngjarë të reduktojë mbipopullimin e automjeteve, sipas vlerësimeve të ndryshme, planet aktuale të ndërtimit do të përfshijnë prerjen e 1,000-2,500 pemëve të rritura.
Ambientalistët shprehen se këto pemë nuk mund të kursehen në një mjedis urban kaq të mbingarkuar dhe të brishtë siç është Athina. Ata akuzojnë kompaninë e ndërtimit se vendos fitimin përpara të mirës më të madhe.
Në përgjigje, zëvendësministri i transportit Giorgos Karayanis tha se kompania Attiko Metro është e detyruar sipas kushteve të kontratës të mbjellë 2,000 pemë.
Megjithatë, ekspertët thonë se për të kompensuar vlerën e humbur për mjedisin të një peme të rritur, duhen mbjellë dhjetëra fidanë. Një fidan sjell një përfitim të vogël mjedisor krahasuar me atë të një peme të rritur.
Një stacion drejt gentrifikimit?
Në Exarhia, konfrontimi për sheshin ka tejkaluar debatin për transportin publik dhe është kthyer në një luftë për identitetin politik dhe kulturor, gentrifikimin dhe drejtimin që Athina po merr.
Kritikët besojnë se qeveria, e rrethuar nga një skandal i madh mbikëqyrjeje dhe përkeqësimi i lirive të shtypit, po e përdor projektin si mjet për të arritur tre qëllime: të zgjidhë hakmarrjen e saj me të majtën duke mbyllur një hapësirë ikonë takimesh; të përshpejtojë gentrifikimin e Athinës; dhe të çojë para një axhendë për ta formësuar qyetin sipas dëshirave të investitorëve dhe jo të banorëve.
“Hapësirat e fundit të paprekura që përdoreshin për protesta ishin universitetet dhe hapësira e ngarkuar historikisht e sheshit Exarhia”, tha Natassa Tsoukala, një akademike dhe banore e Exarhia.
“Koha e prezantimit të policisë universitare dhe fillimit të punimeve në sheshin Exarhia zbulon dëshirën e fshehur të qeverisë për të nënshtruar hapësirat e protestave të të rinjve, duke e fshirë me kuptimin e plotë të fjalës Exarhia nga harta dhe duke i bërë universitetet politikisht inerte.”
Krijimi i një force policore universitare këtë vit, bazuar në një vendim të vitit 2019 nga qeveria e Mitsotakis, menjëherë pas marrjes së detyrës, erdhi për të hequr ndalimin e hyrjes së policisë në institucionet terciare. Autoritetet po kërkonin të mposhtnin grumbullimet e majta të krijuara në disa fakultete, pasi Demokracia e Re kandidoi për zgjedhje me një premtim për të rivendosur “normalitetin” në Greqi dhe për të rrënjosur shtetin e së drejtës. Exarhia ishte një objektiv kryesor.
Zona e mbushur me grafiti mban status kulti si skena e demonstratave të para studentore në fillim të shekullit të 20-të në Athinë dhe aty ndodhet Politekniku. Printueset e librave, dyqanet e disqeve dhe kafenetë e bëjnë atë një Mekë për rininë e Greqisë dhe një gogol për mediat greke, ku raportimi shpesh ndikohet nga interesa të fuqishme politike dhe biznesi.
Raportet e medias për sheshin Exarhia përjetësojnë një narrativë të fokusuar në antiautoritarizmin e zonës, disponueshmërinë e lehtë të drogës dhe hapjen ndaj refugjatëve dhe emigrantëve. Në vitin 2008, Athina u trondit nga një javë trazira pasi një oficer policie qëlloi për vdekje një djalë 15-vjeçar në qark. Policia mundi të hynte në Exarhia vetëm me përforcime.
Vitet e fundit, fama e Exarhias e kapërceu atë të Athinës, duke tërhequr fillimisht anarkistët ndërkombëtarë dhe më pas turistët. Aktualisht, ajo është e vetmja lagje e Athinës që ka arritur të ruajë prestigjin ndërkombëtar të Kreuzbergut të Berlinit, Trastevere të Romës ose Skid Roë të Los Anxhelesit. Fama e saj shkaktoi një vërshim investimesh në pasuri të paluajtshme, xhiro me guidë në lagjen “anarkiste” dhe një rritje proporcionale të qirave.
Tani banorët druhen se zëvendësimi i sheshit nga metroja do të përshpejtojë një valë gentrifikimi që përfshin Athinën qendrore që nga viti 2018. Sheshi aktual është një nga të paktët në Athinë që ka ruajtur dizajnin e tij origjinal nga vitet 1930.
Grumbulli i pemëve do të zëvendësohet nga një shesh betoni që do të funksionojë si hyrje dhe ajrosje metroje. Do të zhduket hapësira e gjelbër ku shfaqeshin filma, organizoheshin bashkëbisedime dhe panaire librash, ose tregje alternative dhe koncerte për mbledhje fondesh për kauza të majta dhe tarifat ligjore të anarkistëve.
“Ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë midis stacioneve të metrosë dhe gentrifikimit”, tha Kalandides, konsulenti i zhvillimit urban dhe rajonal. “Ka studime që vërtetojnë se ato rrisin çmimin e tokës dhe kontribuojnë në gentrifikimin. Njerëzit nuk mund të përballojnë më zonën dhe zhvendosen.”
Investitorët kanë blerë shtëpi neoklasike dhe blloqe apartamentesh moderniste në Exarhia që nga mesi i viteve 2010. Përpara pandemisë, investitorët kinezë ose ata nga Lindja e Mesme u bë diçka e zakonshme, edhe pse rritja e shpejtë e apartamenteve të stilit Airbnb i rriti çmimet e qirave afatgjatë.
“Çmimet vazhdojnë të rriten, si për qiratë ashtu edhe për shitjet e apartamenteve”, tha Tsoukala, akademikia. “Shumë njerëz që jetonin në lagje janë larguar sepse nuk mund ta përballojnë atë.”
Gentrifikimi po përhapet si zjarri në qendër të Athinës. Dhjetëra hotele janë hapur që nga viti 2018, shpesh duke u shërbyer qytetarëve amerikanë që përdorin një dollar të forcuar për të blerë prona.
Kontraktorët aktivë në sheshin e ndotur Omonia flasin për vendosjen e pishinave në tarracë në apartamente miliona eurosh, të ndodhura mbi banesat e emigrantëve që shesin mango dhe erëza pakistaneze të importuara nga India. Kur revista hipster Bible Monocle mbajti konferencën e saj të vitit 2021 në Athinë, folësi Stathis Kalyvas tha se “ekziston rreziku që Omonia të bëhet një vend për shumë të pasurit dhe një elitë ndërkombëtare kozmopolite”.
Banorët ndihen të padëshiruar
Në Exarhia, forcat e policisë kanë më shumë se një muaj që rrinë me turne në shesh. Oficerët bllokojnë protestuesit që afrohen në shesh, përleshen, i ndalojnë ose i shpërndajnë ata me gaz lotsjellës.
Një grua, Anna Koukouliatra, akuzoi policinë se e rrahu dhe e grabit pasi e tërhoqi zvarrë brenda pjesës së mbyllur të sheshit gjatë një proteste të 9 shtatorit. Prezenca e policisë ka krijuar ndjesinë e një force pushtuese, thonë banorët, të cilët flasin gjithnjë e më shumë për një atmosferë kanosjeje dhe gentrifikimi të asistuar nga policia.
“Nuk ndihem më sikur jam e mirëpritur në qendër të Athinës”, tha Katerina Stavroula, një banore e Exarhias dhe aktiviste e lëvizjes “Jo metro në sheshin Exarhia”.
Të tjerë kritikojnë mungesën e konsultimeve midis Bakoyannis, kryebashkiakut, dhe banorëve të Exarhias përpara fillimit të projektit. Kjo nuk ishte aspak e pazakontë, në një qytet ku punët e mëdha publike u imponohen shpesh banorëve pa asnjë paralajmërim.
“Shkalla e vogël nuk ekziston në Greqi – çfarë ndodh me peizazhin e rrugës, vendet ku njerëzit kalojnë jetën e tyre”, tha Kalandides, i cili kalon çdo ditë pranë një poste të përhershme policie teksa shkon në apartamentin e tij në një lagje ngjitur me lagjen Exarhia.
“Askush në sistemin grek të planifikimit nuk është përgjegjës për këtë. Ata po planifikojnë nga një pamje e përgjithshme nga lart, por nuk ka asnjë nga terreni.” Përveçse shumë policë.