24.5 C
Tirana
05 / 10 / 2024

“Mirënjohje e përjetshme për këlmendasin Tom Llesh Rukaj.”

Nga Elton Therçaj

Broja është një ndër fshatrat e krahinës më të skajshme veriore të Shqipërisë, Këlmendit në Malësinë e Madhe. Në këtë fshat rrëzë Alpeve të Shqipërisë, vështirë të gjesh një familje që nuk zotëron së paku një autoveturë apo automjet për transport. Ky fakt bëhet interesant për faktin se kjo zonë ka qenë më e izoluara, pasi mungonte rruga automobilistike dhe e vetmja mundësi transporti kanë qenë kafshët e ngarkesës. Vetëm banorët e kësaj zone janë në gjendje të dëshmojnë se çfarë peripecish e vuajtjesh u është dashur të përballojnë.

Kryeplaku i fshatit, Besnik Ujkaj, duke treguar për vështirësitë, të ngjan se i përkasin një periudhe mesjetare. Të sëmurë që transportoheshin me vig, malësorë të ngarkuar në kurriz dhe gra që sfiliteshin me barrë në shpinë. Kjo tablo e trishtueshme do t’i shoqëronte brojanët deri në vitin 1995-1996. Një bir i këtij fshati, Tom Llesh Rukaj, u kthye nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të bërë realitet ëndrrën e kahershme, ndërtimin e rrugës Tamarë-Brojë prej 10,5 kilometrash.

Malësori me zemër të madhe, i ushqyer me humanizëm e virtytet më të mira njerëzore, do të materializonte predikimin e Shenjtores Nënë Tereza: “Do të doja të ndezësh një qiri, sesa të mallkosh errësirën.” Dhe vërtetë Toma nuk e ktheu kokën pas tek izolimi, vuajtjet, varfëria dhe persekutimi, por iu përkushtua punës duke drejtuar punimet për ndërtimin e rrugës, të cilën e financoi bujarisht në një periudhë të vështirë, kur sapo kishte trokitur liria dhe institucionet vendore përballeshin me vështirësi të mëdha duke e pasur të pamundur ndërtimin e rrugës së Brojës.

Toma ishte vetëm 16 vjeç kur familja e tij u arratis, në vitin e largët 1950, kur ende ndihej era e barutit dhe plagët e luftës civile ishin ende të hapura, pasi në Janar të vitit 1945 këlmendasit u ndeshën me forcat partizane në Urën e Tamarës, ku humbën jetën shumë partizanë dhe malësorë.

Të vendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, familja Rukaj asnjëherë nuk e harruan Brojën, vendlindjen, Malësinë e Madhe, duke e mbajtur të pa shuar dashurinë për atdheun. Pragmatizmi amerikan i kishte mësuar të shohin përpara, për të dashuruar, për të bashkëpunuar dhe për të ndërtuar, në dobi të njerëzve, në dobi të shoqërisë.

Ateizmi nuk gjeti asnjëherë strehë në shpirtin e tyre, madje me bujari dhuruan për institucionet fetare. Vlen të sillet në kujtesë donacioni i kësaj familjeje në shumën 300.000 dollarë për Kishën Shqiptare në Hartsdale të Nju Jorkut, SHBA. Janë të shumtë bashkatdhetarët që kanë trokitur në familjen Rukaj, duke gjetur mbështetje dhe bujari vëllazërore.

Kryetari i Njësisë Administrative Këlmend, Lad Tataj, thotë se “nëse nuk do të ishte ndërtuar rruga e Brojës, banorët e këtij fshati do ta kishin braktisur vendlindjen e tyre”. Ndaj, ata i janë mirënjohës përjetë birit të tyre që i nxori nga izolimi shekullor.

Kontributi i Tom Llesh Rukaj është përjetësuar në një vepër arti të vendosur në brigjet e lumit Cem në Tamarë, pikërisht aty ku fillon rruga drejt fshatit Brojë. Kjo vepër, një obelisk në nderim të këtij malësori fisnik, është realizuar nga artisti me origjinë nga Malësia e Madhe, skulptori Vasil Rakaj, i cili jeton dhe punon prej dekadash në SHBA.

Gjithashtu, Kryetari i Bashkisë Malësi e Madhe, Z. Tonin Marinaj, i ka akorduar një “Çertifikatë Mirënjohje” pas vdekjes, e cila me një ceremoni të veçantë iu është dorëzuar pjesëtarëve të familjes.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x