11.5 C
Tirana
22 / 04 / 2024

Mesazhet e Zelenksky-t në Tiranë, nga forum i posaçëm për industrinë e mbrojtjes te vizioni i përbashkët për Evropën

Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, bashkëdrejtuan sot punimet e Samitit “Ukrainë – Europa Juglindore” mbajtur në Tiranë.

Gjatë Samitit u nënshkrua një Deklaratë e përbashkët në mbështetje të integrimit euroatlantik të Ukrainës.

Fjala e plotë e Presidentit Volodymyr Zelenskyy në Tiranë:

Faleminderit, i nderuar Kryeministri Rama!

Të dashur kolegë!

Të dashur miq!

Së pari dëshiroj të falenderoj Kryeministrin Rama për të gjithë që keni bërë, pra mbështetjen tuaj personale dhe atë të Shqipërisë për Ukrainën, si ushtarake ashtu edhe atë humanitare dhe atë politike.

Faleminderit shumë që keni organizuar këtë Samit dhe na keni mirëpritur këtu. Është hera e dytë që ne takohemi në një format të tillë. Së pari jemi takuar në Athinë dhe tani këtu në Tiranën mikpritëse.

Edi, Kryeministër, e vlerësoj së tepërmi mikpritjen tuaj dhe këtë mundësi që po na jepni për të diskutuar të gjithë së bashku se si ne mund të fuqizojmë më tej vendet tona, rajonet tona dhe të gjithë Europën sepse të gjithë e kuptojnë që tani po përcaktohet rrugëtimi që do të ndjekë Europa për breza të ardhshëm dhe ne të gjithë duam që Europa të jetë ajo hapësirë në të cilën çdo komb, çdo vend përcakton fatin e vet dhe ne kemi parë se si në të shkuarën ka patur njerëz që janë përpjekur për të përcaktuar fatin e kombeve të tjera. Kjo ka ndodhur në Ballkan, kjo ka ndodhur në Europën Lindore dhe në të gjitha pjesët e tjera të Europës. Tani Putini dëshiron të bëjë pikërisht këtë gjë. E gjithë armiqësia e tij, gjithçka që ai bën dhe gjithçka që ai dëshiron duke detyruar kombet e tjera që dhe ato të bëjnë ashtu siç thotë ai, pra është një përpjekje që diktatet e vjetra të vendosin se ç’duhet të bëjnë kombet, pra me çfarë bien apo jo dakord ato. Pra kjo gjëja, normalja e re, prandaj është shumë e rëndësishme për të gjitha kombet tona, për shtetet tona të lira, që Putini, regjimi i tij të humbasë sepse dështimet e tij janë siguria jonë.

Të dashur kolegë, vizioni ynë për Europën dhe jetën në të gjitha rajonet e saj bazohet në parimin e dinjitetit, dinjitetit të njëjtë e të barabartë për çdo vend. Nuk duhet të ketë Europë me dinjitete të ndryshme në të, në të cilën për shembull dikush meriton më shumë siguri apo paqe, ndërkohë që dikush tjetër vuan për paqe dhe injorohet për faqen që nuk e ka. Apo kur dikush meriton për shembull integrimin në bashkime të ndryshme apo aleanca të ndryshme dhe dikush tjetër mbetet pas.

Ne besojmë që respekti për çdo komb dhe e drejta e barabartë e kombeve për të patur siguri si edhe zgjedhjen e pavarur për fatin e tyre, duhet të jenë parime universale dhe të gjitha këto nëpërmjet bashkëpunimit tonë dhe ne duhet ta bëjmë këtë të qartë.

Së pari, ne besojmë që çdo shtet, çdo komb në Europë që i ruan parimet e komunitetit europian dhe atij euroatlantik dhe dëshiron të bëhet anëtar i këtyre komuniteteve, meriton integrimin e plotë.

Ukraina mbështet vendet tuaja në rrugëtimin tuaj për integrimin europian dhe ju është shumë mirënjohëse për mbështetjen që ju po na jepni për integrimin tonë. BE dhe NATO i kanë ofruar Europës epokën më jetëgjatë dhe më të fortë të sigurisë, paqes dhe zhvillimit ekonomik dhe ne të gjithë meritojmë në formë të barabartë, të jemi pjesë e komunitetit europian dhe komunitetit euroatlantik.

Së dyti, u jam mirënjohës të gjithë udhëheqësve dhe kombeve të cilat kanë mbështetur formulën tonë të paqes dhe janë bashkuar përpjekjeve globale për të vënë atë në zbatim. Avantazhi i dukshëm i formulës së paqes është e plotë, gjithëpërfshirëse që do të thotë që çdo aspekt i luftës ruse mund të zgjidhet me anën e pikave që janë përcaktuar në këtë formulë dhe gjithashtu që natyra e kësaj formule është gjithëpërfshirëse, që do të thotë, çdo udhëheqës, çdo shtet mund ta tregojë veten në këtë proces paqeje, jo vetëm ato që ndryshe njihen si fuqi të mëdha apo ato që janë aktive në formë tradicionale në diplomacinë e Europës apo gjetkë. Ne duam që e drejta ndërkombëtare dhe stabiliteti global të bazohet në procese vërtetë shumëpalëshe dhe transparente, pra tek barazia e kombeve, ashtu si çdokush meriton dhe dëshiron paqen, ashtu edhe të gjithë mund të kontribuojnë në restaurimin e paqes, prandaj ju ftoj të gjithëve që të merrni pjesë në Samitin e Parë Global të Paqes në nivel udhëheqësish që do të mbahet në Zvicër.

Së treti, mbrojtja. Gjatë gjithë kësaj lufte, një luftë në të gjitha frontet ne kemi treguar, kemi vërtetuar që është e mundur t’i bësh ballë dhe të fitosh mbi një armik që duket sikur është një nga më të fuqishmit në botë, më të fortët në botë. Pra çdo komb mund t’ia dalë mbanë me mbrojtjen dhe të fitojë kur kombet të ndryshme bashkëpunojnë dhe njerëzit e tyre janë të motivuar për rezistencë dhe ne propozojmë pikërisht që t’i gërshetojmë këto lloj përpjekjesh tonat dhe t’i fuqizojmë ato. Jemi krenarë që kemi rreth 500 kompani në fushën e mbrojtjes, që operojnë, që funksionojnë në Ukrainë në fusha të ndryshme dhe secila prej tyre shton fuqinë tonë, por nuk mjafton kjo për të fituar ne mbi Putinin. Në shikojmë probleme edhe në ofertën përsa i përket municioneve të cilat ndikojnë situatën në fushën e betejës dhe prandaj jemi të interesuar në bashkëprodhimin e municioneve me ju dhe me partnerët tanë. Ekipi ynë, i qeverisë sonë do të prezantojë të gjitha detajet dhe ne propozojmë që të organizohet një forum i posaçëm për industrinë e mbrojtjes ndërmjet Ukrainës dhe Ballkanit qoftë në Kiev apo në ndonjë nga kryeqytetet tuaja.

Ju jam shumë mirënjohës për punën e përbashkët që është bërë me vendet tuaja për sa i përket rrugëve, porteve, hekurudhave, por edhe në det dhe së bashku me paketën e mbrojtjes dhe mbështetjen politike makro-financiare, ky ndërveprim ndërmjet nesh, ndërmjet fqinjëve, ndërmjet rajoneve fqinje, ndërmjet të gjithëve është kthyer tashmë në një faktor i cili së bashku me rezistencën e popullit tonë në Ukrainë, nuk e lejon Putinin të fitojë dhe dëshiroj gjithashtu të theksoj edhe punën tonë të përbashkët në Detin e Zi, por edhe në rajonin e Danubit.

Për sa i përket sigurisë së ushqimit, kjo e ndihmon gjithë botën. Ne duhet të vazhdojmë të zhvillojmë më tej marrëdhëniet tona të fqinjësisë së mirë në fushën e logjistikës, në infrastrukturë, në tregti, por edhe në marrëdhëniet që kemi me njëri-tjetrin për energjinë, në politikë, në rezistencën që duhet t’i bëjmë keqinformimit që vjen nga Rusia dhe përpjekjeve ruse për të destabilizuar sistemet tona politike.

Gjithçka që na bën ne partnerë të mirë, e bën Putinin më të dobët, e dobëson atë, prandaj ai investon aq shumë në ndarje dhe në kriza. Në përça e sundo, ai e di fare mirë se çfarë i bën interesave të tij, por ne duhet të shikojmë se çfarë u bën mirë interesave tona, sepse vetëm në këtë formë ne do të mbrojmë njëri-tjetrin.

Faleminderit për vëmendjen, faleminderit për ftesën. I nderuar, Kryeministër!

Slava Ukraini!

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x