Apeli i GJKKO ka dënuar përfundimisht me burgim të përjetshëm Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin, të shpallur fajtor për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, si dhe plagosjen e Bujar Turkut dhe Marius Xhepexhiut, në Lushnjë në 2017. Me pak ndryshime Apeli ka rikonfimuar kështu dënimin maksimal për 2 të akuzuarit. Ndërkohë Apeli GJKKO i ka dënuar edhe me nga 25 vite burg për atentat ndaj Xhulio Shkurtit, nipi i Aldo Bares, duke ndryshuar kështu vendimin e shkallës së parë që pushoi çështjen.
Bilbili dhe Kaloshi u dënuan si autorë të masakrës së Lushnjes, ku vranë Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën në 11 tetor 2017, por u shpëtoi shënjestra, Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, kreu i bandës së Lushnjës. Veç akuzës së vrasjes në rrethana cilësuese të një ose më shumë personave, Bilbili dhe Kaloshi akuzohen për “Kryerjen e veprave penale në kuadër të grupit kriminal”, ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’ si dhe ‘Prishja e qetësisë publike’.
Kujtojmë se Anterio Kaloshi u arrestua në 13 gusht 2020, pasi bashkë me disa persona të tjerë kishin qëlluar me armë zjarri në drejtim të hotel ‘Volorekës’ në Pogradec, ndërsa ishte shpallur në kërkim për masakrën e Lushnjës. Ndërkohë Orgest Bilbili u kap në 10 prill 2020 në zonën e Xhamllikut në Tiranë, i cili u plagos nga polici, pasi tentoi të largohej.