Kuvendi i Kosovës pritet të rifillojë sot (9 shtator) procesin e konstituimit, pas më shumë se një muaji bllokadë institucionale.
Seanca e vazhdimit është caktuar për në orën 11:00, ndërsa në qendër të saj do të jetë sigurimi i votave për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Pjesëmarrjen në seancë e kanë konfirmuar Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Ndërkohë, Aleanca ka njoftuar se do ta bojkotojë seancën. Pjesëmarrja e LVV-së konsiderohet vendimtare për vijimin e procesit, pasi subjekti që doli i pari në zgjedhjet e 7 qershorit ka numrin më të madh të deputetëve dhe mbetet aktori kryesor në përcaktimin e udhëheqjes së Kuvendit.
Kryetari i LVV-së dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar më herët se partia e tij nuk ka arritur marrëveshje me subjektet e tjera politike për përbërjen e udhëheqjes së Kuvendit. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka konfirmuar se deputetët e kësaj partie do të marrin pjesë në seancën e së mërkurës.
Ai ka theksuar se konstituimi i Kuvendit është i domosdoshëm dhe se Kosova duhet të ketë institucione funksionale sa më shpejt. PDK-ja ka bërë të ditur gjithashtu se do të propozojë Vlora Çitakun për postin e nënkryetares së Kuvendit, duke insistuar se kandidatura e saj është dorëzuar brenda afatit të përcaktuar.
Edhe LDK-ja ka konfirmuar pjesëmarrjen. Deputetja Jehona Lushtaku ka deklaruar se grupi parlamentar do të jetë i pranishëm dhe do të kontribuojë në përfundimin e procesit të konstituimit. Ndërkohë, Aleanca ka vendosur të mos marrë pjesë në seancën e sotme. Kryetari i saj, Ardian Gjini, ka deklaruar se shumica dërrmuese e deputetëve dhe anëtarëve të kryesisë kanë mbështetur vendimin për bojkot.
Sipas tij, pjesëmarrja do të nënkuptonte legjitimimin e asaj që ai e cilësoi si shkelje të vazhdueshme të Kushtetutës nga partia fituese e zgjedhjeve. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë u mbajtën më 7 qershor, ndërsa rezultatet u certifikuan nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 8 korrik.
Sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi duhej të konstituohej brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve, me afat përfundimtar më 7 gusht. Seanca e parë e legjislaturës së re u thirr më 6 gusht, por për shkak të pamundësisë për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, procesi mbeti i papërfunduar.
Seanca vazhdoi më 8 gusht nën drejtimin e Avni Deharit, por edhe atëherë nuk pati rezultat. Pas disa javësh bllokadë dhe presioni politik, më 4 shtator Dehari njoftoi se vazhdimi i seancës do të mbahej më 9 shtator.
- 85 vota pro Reformës Territoriale/ Kuvendi e miraton pas një seance maratonë - 09/10/2026
- Tensione në Kuvend gjatë votimit për reformën territoriale, Bardhi hedh ujë dhe sende të forta drejt deputetëve të PS dhe Ramës - 09/10/2026
- “Ja e vërteta për projektin e Zvërnecit”/ Jared Kushner i jep fund spekulimeve: Nëse miratohet, shqiptarët do të jenë krenarë dhe do e shijojnë për breza me radhë - 08/10/2026