Korça, qyteti i festave do të jetë edhe më i bukur këtë dhjetor me dekorin festiv që është duke u vendosur në këtë prag fundviti.
Prej disa javësh punonjësit e ndërmarrjes së shërbimeve publike kanë nisur punën në vendosjen e dekorit për t’i dhënën Korçës një atmosferë festive që në ditët e para të dhjetorit.
Aktualisht ka përfunduar vendosja e dritave zbukuruese në zonën këmbësore, tek Pazari i Vjetër si dhe tek bulevardet kryesore të qytetit si bulevard “Republika”, “Fan Noli” e “Gjergji Kastrioti”, teksa ditët e fundit puna është përqëndruar në qendër të qytetit tek sheshi përpara katedrales, ku si çdo vit do të jenë të vendosura numrat e vitit që po vjen, së bashku me globin e ndriçuar nga dritat.
Risi për dekorin e këtij fundviti do të jetë vendosja e një bredhi me përmasa të mëdha. Një strukturë metalike me një bazament me diametër 6 metra dhe lartësi 12 metra që ka ngjallur kureshtjen e korçarëve, por që me siguri do të jetë atraktiv edhe për vizitorët e shumtë që do të ndalen në Korçë për të festuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri.
Dekori festiv nuk mungon as në fasadat e bizneseve të ndryshme apo ballkonet e shtëpive në çdo lagje e rrugë të qytetit, duke krijuar kështu një atmosferë festive në prag të festave të fundvitit.
Ndërkohë bashkia premton një kalendar të pasur me aktivitete artistike e kulturore që do të shoqërojnë korçarët e vizitorët përgjatë ditëve të dhjetorit, duke e bërë Korçën, qytetin më të preferuar për festa dhe ditë pushimi sidomos në këtë periudhë.



