Rreshjet e natës së mbrëshme të shoqëruara edhe me erë, kanë shkaktuar sërisht probleme sa i takon furnizimit me energji elektrike.
Burime pranë OSHEE kanë bërë me dije se gjatë natës, ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike në disa fshatra të njësisë administrative Drenovë si edhe në bashkinë e Kolonjës, në zonën e Barmashit. Në këtë zonë, ditën e sotme energjia është rikthyer ndërsa vijon të mungojë në dy fshatra të njësisë Drenovë, në Ravonik edhe Drenovë.
Banorët shprehen se gjatë ditëve me mot të keq dhe erëra të forta, ka pasur shkëputje të pjesshme të energjisë
Burime pranë OSHEE bëjnë me dije se sa i takon fshatit Drenovë, furnizimi i tij me energji kryhet përmes një linje tensioni prej 10 kv dhe në të, janë kryer ndërrime të përcjellësave në disa pjesë, ndërsa erërat e forta që fryjnë në këtë fshat, bëjnë që të pësohen defekte në rrjet e për pasojë të ketë shkëputje të energjisë.
Sa i takon bashkive të tjera të Qarkut Korçë, nuk raportohen probleme të furnizimit me energji elektrike.
Burime në bashkinë Pustec bëjnë me dije se edhe fshati Cerje, tashmë furnizohet normalisht me energji pas një mungese prej disa ditësh për shkak të ndërrimit të transformatorit në fshat.