23.5 C
Tirana
02 / 08 / 2025

Korçë, mbi 2 mijë të punësuar gjatë 2022/ Janë regjistruar në total 2481 vende të lira pune

Gjatë vitit 2022 janë punësuar gjithsej 2184 persona në gjithë qarkun e Korçës. Kjo shifër bëhet e ditur nga burime zyrtare pranë Drejtorisë Rajonale të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive.

Prej tyre 892 persona janë punësuar me ndërmjetësimin e zyrës së punës e ndërkohë pjesa tjetër pasi kanë marrë shërbime pranë kësaj zyre.

Po sipas të njëjtave burime 244 persona të punësuar gjatë vitit te kaluar, kanë qënë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike, pasi ky ka qënë edhe fokusi i kësaj drejtorie dhe institucioneve të tjera vendore të kujdesit social, për futjen në tregun e punës të atyre punëkërkuesve të papunë që i përkasin kësaj kategorie.

Gjithashtu në objektivat e vitit të kaluar ka qënë edhe përfishja e personave që trajtohen me ndihmë ekonomike në programet e nxitjes së punësimit, ku gjatë vitit 2022  janë trajnuar 142 persona.

Për herë të parë gjatë vitit të kaluar krahas programeve egzistuese të nxitjes së punësimit ka qënë edhe programi “Punë publike në komunitete” i cili u zbatua tek të gjitha zyrat e punës në qarkun e Korçës.

Një vëmendje e veçantë gjatë vitit të kaluar i është kushtuar edhe rritjes së kontaktit me punëdhënësit qoftë ata egzistues por dhe të rinj që operojnë në qarkun e Korçës.

Burimet bëjnë me dije se janë kontaktuar rreth 1682 subjekte, prej të cilave 184 kanë qënë subjekte të reja, dhe në total janë rregjitruar pranë Drejtorisë Rajonale të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive në Korçë 2481 vende të lira pune, të cilat kryesisht kanë qënë në sektorin e shërbimeve, të hoteleri-turizmit dhe në fasoneri.

Në total në gjithë qarkun e Korçës, gjatë vitit 2022 kanë qënë të rregjistruar 6656 persona si punëkërkues të papunë, një shifër kjo pak më e lartë krahasuar me vitin 2021, ku ishin të rregjitruar 6086 persona.

Rritja e numrit të personave të rregjistruar si të punëkërkues të papunë ka qënë për faktin se nga ana e drejtorisë ka qënë në fokus edhe rregjistrimi i nxënësve që kanë përfunduar studimet në shkollat e mesme profesionale si dhe të studentëve që kanë përfunduar studimet e larta, me qëllim punësimin si dhe përfshirjen e tyre në programet e nxitjes së punësimit.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x