18.7 C
Tirana
17 / 10 / 2026

Kaq thjesht: Kthejuni qytetin qytetarëve!

Nga Frrok Çupi

Tani boll!… A nuk është boll me shkatërrimin dhe dhunën që bëtë?. A nuk u ngopët, o vandalë?! Po bëni luftën e tjetërkujt kundër qytetit shqiptar.

Ja e shkatërruat edhe qytetin…, tani çfarë doni? Apo prisni që të vërshojnë qytetarët rrugëve të veta dhe ju të mos keni vend e të qaheni se nuk keni ‘të drejta demokratike’.

Shqiptarët ju vunë në përdorim demokratik të gjitha qytetet dhe vetë kryeqytetin. I bëtë zhele. Tani çfarë doni më shumë? Shkoni, lironi qytetin. Të paktën. Se qyteti për ne ka kuptim jete, strehimi, filozofie, demokracie, europianizmi, të ardhmeje. Qytetarët tani nuk kanë më zë, ç’na qenka kjo demokraci?!

Na kishin bërë statistikat a ty nga fillimi i shekullit të kaluar dhe dilte që shqiptarët janë vetëm pesë për qind qytetarë. Edhe këta vetëm në pesë qytete. Shqipëria ishte  quajtur ‘black hole’ e kontinentit tonë.

Tani po rënkon qyteti nga dhuna e mjeshtërve të dhunës. Kurdoherë ka ndodhur që mjeshtërit kanë ardhur me çekiçë e mistri për të ndërtuar qytetin; në gjithë botën. Tani këta jashtë- qytetësit kanë hyrë me qyqi e me bomba e me ulërima e me vrasje e me vjedhje.

I shkatërruan bulevardet se iu duhen gurët për të shkatërruar qytetin. I shkatërruan trotuaret sepse aty nuk lejohen të kalojnë mushkat. I shkatërruan semaforët sepse kanë tre ngjyra dhe jo vetëm një. Në semaforë aplikohet rregulli, kalon ose nuk kalon! Këta e duan që të kalojnë pa kufizim deri në kockën e njeriut. Në banesat e tyre qytetarëve u dridhet zemra. Pyesin me makth: ‘po vijnë ata apo nuk po vijnë! E Kaluan semaforin apo nuk e kaluan?’.

Ishte, si kjo, një natë e 4 shkurtit e  vitit 1944. Atëherë vërshuan nëpër Tiranë nazistët e parë. Tregojnë se atë natë njerëzit u tmerruan në pritjen se ‘kur po na vijnë!?’. U erdhën nazistët, me në krye një shqiptar nga Gjakova, Xhafer Deva, dhe vranë 84 qytetarë. Burgosën 300 qytetarë të Tiranës. Por lanë në mjerim e në terror gjithë kryeqytetin; dekada me radhë.

Edhe këta do të përmenden me neveri, si lapidare të të keqes.

Nazistët e dytë vijnë çdo mëngjes dhe i kallin datën kryeqytetit. Këta nuk janë si nazisti i parë, që e dëshmoi fytyrën e tij; këta janë përtej maskave, këta janë terroristë si në Palestinë, si në Pakistan, si në Afganistan… Kanë ardhur të na marrin qytetin dhe të përçudnojnë qytetarët. Prisni dhe pak… Por po pritët edhe pak, këta do të bëjnë jo 84, por 840 viktima në ditë.

Vijnë pas mëngjesit të parë, sepse ose flenë gjatë pas drogës që marrin, ose udhëtojnë diku afër për t’u furnizuar diku në Priren apo në zgafelle të Shqipërisë.

Nuk kemi pse presim sa të vijë ‘4 shkurti’ natën. Deri tani na kanë bërë më të keqen. Na kanë frikësuar, dhe kjo është më shumë se asgjë. Njerëzit dalin pakëz nga shtëpitë dhe prapë mblidhen brenda. Makinat janë kthyer si në kohën e diktaturës, kur dukej vetëm ndonjë prej tyre diku në fund të rrugës. Fëmijët janë trembur si zogj të vegjël e nuk shkojnë në shkollë. Ministritë u dogjën. Bankat u grabitën, u shkatërruan dhe u mbyllën. Bizneset me seli të bukura janë bërë shkrumb… Të tjerët që ende nuk janë djegur, mbyllin qepenat dhe lënë një letër të shkruar: ‘Shoku nazist, jemi me ju, mos ma digj të lutem!’

Në rrugë, nazistët e dytë, thërrasin mizorisht “Digjeni!, digjeni!’. Kolegjin e Evropës e dogjën më keq se asnjë tjetër.

Kolegji i Evropës, rruga e Evropës, majat evropiane të Shqipërisë, Përparimi ynë…, këta janë objektivat që kanë vandalët. Në fakt i kanë bosët e tyre që drejtojnë nga jashtë katastrofën mbi qytetërimin e  bukur shqiptar.

Tani, a boll o shokë ujqër dhe të poshtër!?

Sepse kaq është. As keni për të na djegur më, as keni për të na ndalur në rrugën drejt Qytetërimit Evropian, as keni për të marrë kryeministrin Edi Rama.

Boll, më!, hiqni maskat e ktheni qytetin te qytetarët. Mos prisni që qytetarët të dalin në xhiro bulevardeve, njësoj si në kohën e diktaturës, për kënaqësinë e tyre.

Mos e prisni këtë mbrëmje, sepse qytetërimi do t’u lërë pa maska, zbuluar, si terroristë kundër fatit tonë qytetar.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x