I ftuar në “Opinion” një natë më parë, mes të tjerash, Ilir Meta ka konfirmuar, ndofta pa dashje, sentencën e shpalljes së Sali Berishës të shpallur nga SHBA-të si shantazhues i drejtësisë dhe minues i drejtësisë.
Meta ka treguar një episod se si e kishte thirrur Sali Berisha në zyrë dhe pasi kishte lëshuar epitetet e duhura ndaj Ina Ramës, i kishte thënë atij të bënte kujdes se ajo kishte marrë porosi për ta futur në burg, sepse kishte çuar edhe audio-përgjimet për t’i verifikuar në Angli.
Sipas Metës, ai e kishte qetësuar Doktorin se nga burgu do t’i jepte më shumë vota nga jashtë tij dhe gjithçka bëhej për të inatosur dhe shqetësuar Berishën.
Ky fragment i marrë në kontekstin e përgjithshëm të kohës, tregon se si është sjell kryeministri Berisha ndaj akuzave për korrupsion ndaj bashkëpunëtorit të tij të afërt qeverisës, ashtu sikurse duket një sentencë e qartë e arsyes së shpalljes së tij “Non grata” si shantazhues i drejtësisë.
Meta duket se e tregoi këtë detaj për të rrëfyer besnikërinë e Berishës ndaj tij, por, në fakt, një bisedë e tillë e zhvilluar në zyrat e shtetit nga dy zyrtarë të lartë shtetëror nuk asgjë asgjë më pak veçse shpërdorim i besimit të publikut me funksionin shtetëror.
Çfarë tha Meta?
“Më merr në telefon, isha në Durrës.
-Ku je, më thotë?
-Në Durrës, i thashë.
-Në cdo kohë që vjen në Tiranë unë në zyrë jam. Nuk ka ndonjë urgjencë, por po pate kohë hajde.
E kuptova unë që kishte një shqetësim dhe vajta.
-Dëgjo, më tha, për atë ish- prokuroren, Ina Rama, duhet vëmendje se ajo ka marrë urdhër të të fusë në burg ty.
-Po shumë mirë, i thashë, çfarë problemi ka?!
-Po ka çuar ato videot dhe audiot në Angli.
I thashë: Doktor merre me qetësi, ata duan të të nxehin ty.
Unë i thashë, të premtoj nga burgu do të jap shumë më tepër vota ty për zgjedhjet dhe Edi Rama do ikë nga kryetari i bashkisë, ti mos u shqetëso për këtë”, tregoi Meta.