Historia e zgjedhjeve në Partinë Demokratike është një udhëtim mes pushtetit dhe dominimit të Sali Berishës. Një parti, që nisi nga energjia rinore e studentëve të Dhjetorit ’90, me Azem Hajdarin, por që mbeti në 35 vite ekzistencë, nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Berishës, me procese zgjedhore thuajse formale, pa supriza, dhe që mbytën çdo tentativë, qoftë dhe të zbehtë, për t’iu kundërvënë lidershipit.
***
Më 11 dhjetor 1990, një grup studentësh dhe intelektualësh shqiptarë u mblodhën në një dhomë të vogël për të shkruar një kapitull të ri në historinë e vendit. Ishte themelimi i Partisë Demokratike të Shqipërisë, partisë së parë pluraliste në një sistem dikur të monopolizuar nga një parti.
Në krye të Komisionit Nismëtar qëndronte Azem Hajdari, një student energjik dhe i vendosur, simbol i idealizmit rinor që bëri një brez të tërë të besonte se pluralizmi do të ishte një mundësi reale për Shqipërinë.
Megjithatë, drejtimi i partisë kaloi shpejt te figura e Sali Berishës, një emër i njohur në qarqet intelektuale të kohës, i cili përkundër shpresës që ngjalli, kontrolloi me dorë të hekurt çdo pushtet, dhe brenda forcës së tij politike. Ai do të mbetej emri dominues, qoftë si kryetar “de jure”, por edhe në hije, përgjatë viteve kur zyrtarisht partia kishte kryetarë të tjerë.
1992, BERISHA PRESIDENT DHE KRYETAR DE FACTO I PD
Në vitin 1992, PD fitoi zgjedhjet e përgjithshme dhe Berisha u bë President i Republikës, ndërsa drejtimi formal i partisë iu besua, Eduard Selamit, I përzgjedhur mes Arben Imamit dhe Azem hajdarit.
Një figurë e respektuar, por më e rezervuar, përsa kohë qëndroi në linjë me Berishën, ndërsa figura si Ceka, Imami e të tjerë, u larguan nga partia, pozitat e Selamit nuk u lëkundën.
Gjithshka ndryshoi më vonë, veçanërisht pas humbjes së PD në referendumin e vitit 1994. Kur Selami, nisi të artikulonte kritikat e para, e të kërkonte vendimmarrje më kolegjiale brenda partisë, e më të drejta në drejtimin e shtetit, gjithshka u pa si besëprerje ndaj besimit të liderit. Ai bëri “gabimin” fatal, kur propozoi që posti i kryetarit të partisë të unifikohej me atë të kryeministrit. unifikimit të postit të kryetarit të PD me atë të kreut të qeverisë. Shkarkimi i tij do të jetë i rrufeshëm në një mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit Kombëtar të PD-së, më 5 mars 1995. Një akt që pasohet nga “asgjësimi” i tij i plotë politik, duke e nxjerrë atë nga skena.
Pas tij, drejtimi i PD-së u dha Tritan Shehut, i cili komandohet në krye të PD-së për shkak të funksionit si Sekretar i Përgjithshëm. Një vit më vonë, në prill të 1996, ai konkurron përballë Ferdinand Xhaferrit duke marrë zyrtarisht pozicionin e kreut të partisë, e cila realisht vijonte të drejtohej nga Berisha, prej godinës së presidentit.
1997, BERISHA HUMB PUSHTETIN, POR RIMERR DREJTIMIN E PD
Viti 1997 ishte një vit i trazuar. Shqipëria u përfshi nga kaosi pas rënies së skemave piramidale. PD humbi pushtetin dhe Berisha dha dorëheqjen si President. Ai rikthehet në PD, duke hyrë direkt në zyrën e kryetarit, ndonëse një garë, formale, do të zhvillohet në tetor të atij viti. Për t’i dhënë legjitimitet konkurrimit, përballë Berishës, pranon të përfshihet në proces, Pjetër Arbnori. Ndonëse pa asnjë ambicie, ai merr megjithatë jo pak vota.
Në vitin 1999, me një lëvizje surprizë, Genc Pollo, njofton fillimisht Berishën, e më pas zyrtarizon kandidaturën e tij për kryetar të PD-së. Por ai do të tërhiqet nga gara ditën e fundit, dhe respektimi i statutit, për të patur konkurrent, iu kërkua si favor Uran Butkës, i cili e mbylli fjalimin, duke bërë thirrje që PD të drejtohej nga “rivali” Berisha.
Të 14 vitet e ardhshme, një pjesë në opozitë e pastaj për dy mandate rresht në pushtet, ishin një histori, ku dominimi i Berishës, nuk u vu në diskutim, as formalisht. Tri procese zgjedhore partiake (2001-2005-2009), janë thjesht një konfirmim i tij.
2013/ DORËHEQJA E BERISHËS, BASHA PËRBALLË OLLDASHIT
Pas humbjes së pushtetit në 2013, situata ndryshoi për herë të parë. Me një akt të papritur, më 26 qershor, 3 ditë pas zgjedhjeve, Berisha njoftoi dorëheqjen e parevokueshme nga drejtimi i partisë. Qindra simpatizantë të mbledhur përpara selisë dhe shumë të tjerë që mbushnin sallën e mbledhjeve në seli, e pritën deklaratën e tij mes britmave të dëshpërimit dhe lotëve.
Ndonëse statuti thoshte qartë, se “Kryetari zgjidhet nga Kuvendi Kombëtar”, Berisha propozoi që të futet për herë të parë parimi “një anëtar, një votë”, një formulë teorikisht demokratike, por që dukej se ishte përzgjedhur për t’i dhënë atij, më shumë hapësirë për të ndikuar në përzgjedhjen e pasuesit të vet, i cili në fakt, kishte një fytyrë dhe një emër: Lulzim Basha, në atë kohë kryetar i Bashkisë së Tiranës. Falë mbështetjes së Berishës, Basha kishte kapërcyer me një shpejtësi të pazakontë shkallët e karrierës, që prej viti 2005.
Kandidatura e Sokol Olldashit, një emër që kishte mbi vete, një histori të hershme në radhët e PD-së, dukej se përbënte pengesë reale për delfinin e Berishës.
Të dy u përfshinë në një fushatë reale në bazën e partisë, por si e gjithë historia e zgjedhjeve në PD, edhe kjo, nuk do të bënte përjashtim nga rregulli.
Nga 104 mijë anëtarë me të drejtë vote, në total do të merrnin pjesë në votimet e atij viti 41 mijë e 532 demokratë, nga të cilët 33,220 mijë votuan për Lulzim Bashën dhe 8,060 për Olldashin.
Që pa dalë rezultati, kur sapo hodhi votën e tij, në një qendër në selinë e PD, Olldashi ngriti pikëpyetje mbi procesin, duke folur për fletë votimi të shenjuara me numra, e mijëra demokratë që sipas tij nuk kishin gjetur emrin në lista
Ai e bëri të qartë se në garë, përballë nuk kishte patur vetëm Lulzim Bashën: “Dua të përshendës dhe të gjithë kandidatët rivalë”, deklaroi Olldashi duke lënë selinë e partisë.
Megjithatë, rezultati më shumë sesa mbështetje për Bashën, tregonte fuqinë e figurës së Berishës, që ende luante gurët dhe orientonte votën në parti.
2017/ BASHA HUMB PËRBALLË RAMËS, POR FITON BRENDA PARTISË
Në fjalimin e tij të parë, kur mori kreun e PD, Basha do të deklaronte se për partinë “e ardhmja është e sigurt”. Në fakt do të rezultonte e tillë vetëm për atë vetë.
Nën drejtimin e tij, PD do të pësojë humbjen e dytë radhazi, përballë socialistëve të Edi Ramës, në zgjedhjet e 25 qershorit, por ai nuk do të pranojë të largohet. Dy ditë më pas, Basha do t’ja faturojë rezultatin “manipulimit të votës”. “Ajo që ndodhi ishte një triumf paligjshmërisë”, deklaroi ai duke njoftuar hapjen e garës për kreun e partisë, në të cilën ai vetë do të bëhej pjesë, pa hequr dorë nga drejtimi, por përmes një formule të paparashikuar në asnjë rresht të statutit, thjesht të shpikur prej tij: “Me efekt të menjëhershëm kam vendosur të ngrij të gjitha funksionet e mia organizative”, bëri të ditur Basha.
Një ditë pas tij, Eduard Selami, i rikthyer në Shqipëri, shpall kandidaturën për kryetar. Në garë tenton të përfshihet dhe Astrit Patozi, i cili e kushtëzon pjesmarrjen me kërkesën për kushte të barabarta loje. Përfundimisht Patozi tërhiqet, ndërsa Basha dhe Selami nisin fushatën, duke u shfaqur edhe njëkohësisht, përballë anëtarëve të partisë në disa degë të ndryshme.
Paralelisht, disa nga emrat e njohur të partisë, figura të cilat ishin lënë nga Basha jashtë listave për deputetë, që nga Topalli, Bode, Ruli e Mustafaj, nisin një lëvizje për t’iu kundërvënë Bashës, të cilin e akuzuan për “uzurpim të postit të kryetarit”.
Mbështetja pas kuintave, e Berishës, do të rezultojë vendimtare për Bashën. Në votimin e 22 korrikut, ai do të rizgjidhej me 53,981 vota ndaj 5,136 që mori rivali i tij. Selami pranon humbjen, ndonëse flet për një “garë të pabarabartë, e cila nuk mund të nxjerrë një rezultat klinikisht të drejtë”.
Jozefina Topalli denoncoi “mbushjen e kutive” për llogari të Lulzim Bashës. Astrit Patozi foli për një “maskaradë më të madhe se ajo e vitit 2013” për të cilën tha se e bënë “pa u kujdesur fare që të ngjante pak e besueshme”.
2021/ SHUMË KANDIDATË, POR POZITAT E BASHËS NUK LËKUNDEN
Ato të 13 Qershorit 2021 mund të konsiderohen zgjedhjet më “pluraliste” brenda demokratëve. Me humbjen e tretë rradhazi të PD-së, dy nën drejtimin e Bashës, pakënaqësitë ndaj tij, nisën të shfaqeshin më dukshëm.
I pari dhe i vetmi që paraqiti një platformë politike për drejtimin e PD-së, ishte Fatbardh Kadilli që ndonëse e quajti asimetrike garën, kërkonte një kthesë të Partisë Demokratike.
Më pas, ambicien për të garuar, e shprehën edhe Edit Harxhi e Agron Shehaj, i cili në zgjedhjet parlamentare të atij viti, kishte grumbulluar shumë vota personale.
Por, idetë e tyre për të rikrijuar një parti fituese, nuk u përkthyen në vota. Lulzim Basha, i cili edhe këtë herë u përfshi në garë, pa dhënë dorëheqjen, e duke lënë pak më shumë se dy javë kohë për fushatën brenda partisë, kishte influencë në të gjitha strukturat, ndaj fitorja e tij nuk do të ishte suprizë. Nga 41,097 vota në total, Basha do të rikonfirmohej me 32,882 vota ndërsa pas tij do të renditej Agron Shehaj.
2022/ RIKTHIMI I SALI BERISHËS
Rikonfirmi i Bashës, natyrisht kishte bekimin dhe të Sali Berishës, i cili më 19 maj të 2021 ishte shpallur “non grata”, për “korrupsion madhor” nga Departamenti amerikan i Shtetit. Por i përkëdheluri i tij, do të kthehet papritur në “vrasësin e babait”, duke shkaktuar një tronditje në parti, e cila do të pasohej nga një periudhë e gjatë luftërash të brendshme e betejash edhe fizike.
Në vitin 2017, ndërsa pyetej, ditën e votimit për kreun e PD, nëse ai e kishte menduar rikthimin në krye të partisë, Berisha përsëriti me tone edhe më të forta angazhimin e tij solemn se ai nuk lëvizte nga vendimi i 2013-ës. “Veç atij që i ka të gjithë fuqitë, fuqi tjetër që të më kthejë mua nga ky vendim, nuk ka”, do të deklaronte ai. Dhe në 2021-in, vendimi i Bashës për të përjashtuar Berishën, për shkak të “non gratës” amerikane, rezultoi të kishte patur fuqinë e Zotit
Ai nisi një tur në të gjithë bazën e partisë, duke i dhënë jetë një lëvizje që u pagëzua si “Rithemelimi”, e cila dëshmoi qartazi, se PD, kishte qenë e kishte mbetur partia e tij. Në një klime përçarjeje të thellë, Basha dha dorëheqjen, nën trysninë e kërkesave të brendshme për të ulur gjakrat.
Në 22 maj të 2022, Berisha dhe mbështetësit, zhvilluan zgjedhjet, brenda strukturave paralele, ndërkohë që zyrtarisht ai nuk kishte vulën e PD-së. I rikthyer në selinë e partisë, ai u rizgjodh me një fitore dërrmuese, në një rezultat të ngjashëm, me votimet në kohën e diktaturës komuniste. Berisha mori 93% të votave, 40,820 nga 43,680 votues në total. Ndërsa i vetmi rival në garë përballë tij, Ibsen Elezi mori 5.8% të votave.
Një vit më pas, Lulzim Basha bën një tentativë të fundit, duke u rikthyer për të kandiduar si kryetar i PD-ës, e cila zyrtarisht nuk i njihej ende Berishës. Ai fitoi përballë kandidatit Gjergj Hani. Basha, mori 16 mijë nga mbi 18 mijë vota, që u hodhën nga anëtarësia prej 25 mijë vetësh të regjistruar për procesin zgjedhor. Në atë moment, Basha e llogariste fuqinë e tij, me numrin e deputetëve që kishte në krah, por që shumë shpejt do të tkurrej, përballë joshjes së forcës së Berishës. Forcë e cila bëhet dhe më solide pasi ai merr dhe vulën e Partisë.
“PARTIA NUK DO TË JETË E KRYETARIT”, POR E BERISHËS
Rikthimi i Berishës u bë me një zotim: Partia nuk do të jetë e kryetarit. Por koha tregoi se ky zotim nuk u respektua as nga ai vetë.
Ai premtoi se kryetari që humb zgjedhjet do të largohet, por as pas disfatës së 11 majit, nuk e bëri. Kishte qenë ai vetë që vendosi rregullin strikt që përjashtonte dhe rikandidimin, por as këtë nuk e respektoi, duke shkuar sërish drejt zgjedhjeve të kësaj të shtune, si kandidati i vetëm, e duke eliminuar çdo zë serioz kritik që mund të vinte, qoftë dhe në dyshim, karrigen e numrit 1 të Partisë Demokratike. /shqiptarja.com
- Votëbesimi për Berishën, Salianji publikon foto të fletës: Demokratët po e refuzojnë - 23/05/2026
- Historia e zgjedhjeve/ Sali Berisha drejtues i përjetshëm i PD/ Gara për kreun e partisë e dominuar nga një emër - 23/05/2026
- “Mos e legjitimoni këtë farsë”/ Berisha e përjashtoi, Kokalari thirrje për bojkot: Vota juaj s’ka kuptim, ju duan aty sa për sy e faqe! - 23/05/2026