Nga Genci Gjikaj
PROLOG
Janë disa ngjarje në historinë e Shqipërisë Komuniste që nuk mund të harrohen.
Të ndodhura në rrethana të pabesueshme ato ngelen si një obelisk “i gjallë” kujtesë për breza të tërë.
Pena.al ka për qëllim të rikthejë në vëmendjen e publikut këto ngjarje, të cilat ndoshta për vitet kur ndodhën ishin shumë vështirë të fliteshin dhe aq më tepër të botoheshin në një faqe gazete. Ngjarje të vërteta që patën impakt në shoqërinë e traumatizuar shqiptare të asaj kohe.
…………………………………………………………………………………………………………………………..
PROVOKIMI DETAR I VITIT 1981 NGA NATO/ “NËNDETËSJA MISTERIOZE”
13 TETOR 1981
Kjo është një nga ngjarjet më sekrete të historisë së Shqipërisë në vitet e komunizmit.
Një muaj para zhvillimit të Kongresit të 7-të PPSH dhe 2 muaj para “vetëvrasjes” së Kryeministrit më jetgjatë të Shqipërisë Komuniste, Mehmet Shehu, më 13 Tetor të vitit 1981, një ditë, që e kujton e gjithë Vlora, ndodh enigma më e madhe për të gjitha strukturat e ushtrisë dhe flotës detare deri në atë kohë.
Në gjirin e Vlorës hyn një nëndetëse e huaj, e cila sipas deshmive të kohës duhet të kishte qenë një nëndetëse tepër e sofistikuar (bërthamore), e forcave të NATO-S. Ajo futet pa zhurmë në Gjirin e Vlorës dhe pothuajse zbarkon në Orikum, vetëm pak metra nga Postblloku i Bazës Detare të Pashalimanit, në mesnatë por menjëherë zbulohet nga aparaturat e Flotës Ushtarake Shqiptare.
Duhet të ketë qenë ora 12 e natës, duke u gdhirë 13 Tetori. Roja ushtarake që ishte në bankinë dallon këtë mjet lundrues me sy dhe menjëherë lajmëron Komandon.
Jepet alarm lufte në të gjithë Shqipërinë. Gjatë kësaj kohe, nëndetësja largohet pak më tej por qëndron në Gjirin e Vlorës.
Komando e Pashalimanit jep alarmin dhe menjëherë lidhet me Kapitenerinë e Portit të Vlorës për tu lajmëruar nëse ndonjë peshkarexhë kishte peshkuar në afërsi të Bazës.
Pergjigjja ishte negative!
Në atë moment Komando e Pashalimanit dërgon një anije tjetër zbuluese që kontrollonte silurat me inxhinere në bord, ata zbulojnë që në Gjirin e Vlores kishte hyrë një NËNDETËSE E HUAJ!
Menjëherë jepet Alarmi i Kuq, lajmërohen ministri i Mbrojtjes i asaj kohe Kadri Hazbiu, Kryeministri Mehmet Shehu dhe të gjithë Forcat e Armatosura të Shqipërisë.
Ndërkohë oficerët dhe marinarët e Pashalimanit, që ruanin bazën, raportuan në Ministri, që ka ardhur një nëndetëse e huaj. Në moment është dhënë urdhër nga Enver Hoxha: “Të zbulohet nëndetësja e huaj dhe të më raportoni!” Ky urdhër, ngriti Sazanin në alarm, u krijua një gjendje paniku tek forcat e ushtrisë. Menjëherë u dha urdhëri që të zihej mexo kanali mes Karaburunit dhe Sazanit me dragaminat që ishin të vendosura në Sazan, ndërkohë një gjuajtës, u vu në kërkim në Gjirin e Vlorës. Të gjitha bateritë u vunë në gatishmëri të plotë për të vepruar në çdo rast. Gjithë natën në det, në gatishmëri dhe tension. Të nesërmen rreth orës 7 e 15 minuta iu dha detyra të gjitha Forcave të Armatosura të qëndronin në gatishmëri të plotë, pra gati për luftë. Të gjithë prisnin urdhërin: “Të hapet zjarr!”, që e jepte vetëm Komandanti i Përgjithshëm i forcave të armatosura, Enver Hoxha.
Ndërkohë nga Sazani nisen dy anije luftarake “kundërnëndetëse”, të cilat ishin një gjuajtës dhe një dragamine e madhe, që kishin bomba thellësie antinëndetëse.


Menjëherë nëndetëset shqiptare nxirren nga uji dhe strehohen në tunelet mbrojtëse për tu ruajtur nga ndonjë sulm i mundshëm i “nëndetëses misterioze armike”.
Dy anijet luftarake shqiptare vihen në ndjekje të nëndetëses së huaj, lëshojnë menjëherë bombat e thellesisë antinëndetëse, të cilat janë bomba që peshojnë afërsisht 120 kg, kanë formën e fuçisë dhe janë të komanduara që të shpërthejnë në një thellësi të caktuar.
Në orën 8:25 të ditës tjetër aparaturat tregonin që poshtë nivelit të detit ndodhej një objekt, bombat hedhëse në të dy krahët ishin në gatishmëri, pritej vetëm urdhëri. Forcat tona detare e ndiqnin në çdo minutë nëndetësen e huaj, kontrollonin lëvizjet e saj. Pas disa minutash konstatuan se objekti lëvizi në drejtim të Raguzës me shpejtësinë 4-6 milje.
Pasi udhëtoi dy milje, u vu re që u kthye në drejtim të Ujit të Ftohtë, në një thellësi 50 metra. Kur u afrua tek një vapor i mbytur, ndryshoi kursin, u nis drejt veriut të ishullit të Sazanit, duke rritur shpejtësinë në 14-15 milje. Kur Forcat tona Detare u afruan në drejtim të Sodës, objekti ndërroi kursin dhe u nis të dalë nga gjiri i Vlorës me shpejtësi 20 milje.
Kjo i shqetësoi shumë Forcat Ushtarake Shqiptare, dhe kur nëndetësja ndodhej në afërsi të Sazanit në orën 10:25, vjen urdhëri me radiogram me dy shifra: Zjarr MMT. Ishte urdhëri i Ministrit të Mbrojtjes Popullore. Dragaminat bënë manovrën dhe qëlluan me bombahedhëse.
Shpërthimi nënujor ishte i llahtarshëm, si një tërmet me një zhurmë të papërshkrueshme. Për çudinë e të gjithëve, objekti nuk u dëmtua. Forcat shqiptare rikapën sërish sinjalin dhe nëndetësja u qëllua me të gjitha forcat goditëse. Vazhdonte ndjekja, vazhdonte dhe lufta. Lufta tani shpërngulet te ‘Kepi i Gjuhëzës’ në drejtim të jugut. Nëndetësja u pikas në afërsi të ‘Gjirit të Arushës’ dhe aty u qëllua sërish me të njëjtën skemë. Nga shpërthimet, tonelata me peshk dolën në sipërfaqe.
Menjëherë, me të parë këtë situate, nëndetësja e huaj me shumë mundësi e NATO-S, fillon të lëvizë me shpejtësi të madhe për atë kohë, rreth 30 milje në orë (të mendosh që shpejtësia maksimale e nëndetësve tona në kushte optimale nuk i kalonte 8 miljet në orë), e ndihmuar dhe nga motorrët atomik, i ikën sulmit të anijeve shqiptare dhe futet në Kanalin mes Sazanit dhe Karaburunit dhe vazhdon në drejtim të Himarës dhe Jalës. Dragaminat shqiptare vazhdojnë ndekjen e ‘nëndetëses spiune’ dhe e godasin sërish me bombat e thellësisë.
Pas kësaj, anijet luftarake shqiptare nuk lëvizin më, pasi sistemi elektrik i tyre u fik, ndërsa nëndetësja e huaj, po largohej drejt Korfuzit. Derisa u zhduk perfundimisht.
Fakte shumë të çuditshme e lidhin hyrjen për herë të parë në Shqipërinë Komuniste të një NËNDETËSEJE LUFTARAKE “ARMIKE”, kur vetëm dy muaj më pas, një ngjarje tjetër e pazakontë do ndodhte, VETËVRASJA E MEHMET SHEHUT!!!
Në mbledhjet e mëvonshme, u fol se ky ishte një inskenim i akorduar që kjo nëndetëse të sulmohej, të mbytej me urdhërin e Mehmet Shehut, dhe ai të dilte si hero dhe si njeriu që shpëtonte sërish cënimin e integritetit të territorit shqiptar, në kohën kur dihej situata e tij e vështirë në gjirin e Byrose Politike pas fejesës së djalit të tij me një vajzë nga një familje e “deklasuar” për kohën!
Po sa e vërtetë është kjo?
A kanë patur lidhje të dyja këto ngjarje, madje tre ngjarje pasi kemi dhe Kongresin e 7- të të PPSH me njëra – tjetrën?
Gjithsesi kjo mbetet një ngjarje misterioze për të cilen nuk është folur kurrë nëpërmjet dokumenteve autentike por vetëm nëpërmjet dëshmive të personave protagonistë të kohës. Ngjarje të cilën e shtjelluam këtu në mënyrë ekskluzive!