8.5 C
Tirana
09 / 02 / 2026

Heshtja e Berishës për protestën e Rrjollit *

Nga Ergys Mërtiri

Ndërsa banorët e Rjoll-it kanë një javë që protestojnë në përleshje të ashpër me policinë në mbrojtje të pronave të tyre prej një projekti biznesi të Bashkim Ulajt, Berisha nuk thotë asnjë fjalë. Vetëm dje, në ditën e 6 të protestës, PD-ja e Shkodrës, mezi bëri një prononcim në mbështetje të banorëve. Protestuesit janë braktisur nga opozita për tu lënë të vetëm të përballen me harbutërinë e pushtetit e Ramës.

Krejt ndryshe u soll opozita në rastin e banorëve të Thethit, ku PD-ja u angazhua fuqishëm duke dërguar thuajse gjithë grupin parlamentar në mbrojtje të banorëve. Kuptohet, arsyeja e heshtjes kësaj rradhe është Bashkim Ulaj, njeriu i afërt i Berishës,po aq sa dhe i Ramës.

Ky nuk është i vetmi rast, por një sjellje e vazhdueshme e kësaj opozite tashmë. Të njëjtën gjë ajo bëri edhe në protestën e banorëve të Thumanës kundër rrugës së ndërtuar nga Ulaj. Iu bashkua asaj me shumë vonesë vetëm kur nuk mbante më dhe kur problemi po shkonte drejt rinegocimit te kushteve të kontratës me Ramën për mos dëmtuar investimin. Po kështu Berisha heshti kur një polic tentoi vetëvrasjen pas ndalimit te djalit te Samir Manes, dhe ky është një fenomen i përsëritur vazhdimisht.

E pengmarrë në pazaret e veta, ajo shfaqet gojëkyçur dhe nuk flet dot për një pjesë të madhe të zullumeve të kësaj qeverie. Prej kohësh ajo ka treguar se nuk ka guximin as t’iu përmendë emrat oligarkëve që ndajnë llokmat e tavës së pushtetit me Edi Ramën.

Në fakt, kjo opozitë është realisht pjesë e sistemit oligarkik të ndërtuar bashkarisht me Ramën. Ajo nuk është fare opozitë, por bashkaksionere në pushtet si pjesë e këtij establishmenti që ushqehet nga trekëndëshi politikë-media-biznes, të cilin e bashkëndan me qeverinë duke marrë hisen e saj. Kjo është arsyeja përse Rama vazhdon të qendrojë në pushtet, ndonëse i sakatuar në këtë farë derexheje nga skandalet dhe goditjet e SPAK-ut.

  • Titulli i redaksisë. Shkrimi është marrë nga statusi në facebook i autorit.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x