11.5 C
Tirana
12 / 02 / 2026

Haradinaj njofton largimin nga drejtimi i AAK-së: Nuk do të kandidoj për kryetar të Aleancës!

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, njoftoi se nuk do të kandidojë për udhëheqjen e partisë në zgjedhjet e brendshme partiake.

Pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së, Haradinaj tha se zgjedhjet partiake do të mbahen nga 20 shkurti deri më 6 qershor.

“Nuk do të kandidoj për kryetar të Aleancës”, tha Haradinaj, duke treguar se janë disa arsye për këtë vendim.

E para, tha ai, është koha e gjatë në udhëheqje, përkatësisht nga maji i vitit 2000, kur u themelua partia, por edhe rezultati jo i mirë i partisë në dy palë zgjedhjet e fudit më 9 shkurt dhe 28 dhjetor 2025.

AAK në zgjedhjet e fundit arriti të siguronte gjashtë vende në Parlamentin e Kosovës.

Haradinaj njoftoi se deri më tani, kandidaturën për kreun e ri të AAK-së e ka shpallur Ardian Gjini, por tha se mund të ketë kandidatura të tjera.

I pyetur nëse do të jetë kandidat për president, Haradinaj tha se nuk është.

Ndërkaq, për qëndrimin e partisë lidhur me votimin e Vjosa Osmanit për një mandat të dytë si presidente, Haradinaj tha se AAK-ja ende nuk ka vendosur për këtë çështje.

Haradinaj është zgjedhur deputet i legjislaturës së dhjetë që u konsititua një ditë më parë. Ndërkaq, në zgjedhjet e dhjetorit ai ishte kandidat i AAK-së për kryeministër.

Në të kaluarën, Haradinaj ka shërbyer dy herë si kryeministër i Kosovës./ REL

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x