4.5 C
Tirana
02 / 03 / 2026

Eksperti amerikan flet për VOA: Putin po manipulon humbjet në luftën me Ukrainën

Ndërsa lufta e Rusisë kundër Ukrainës i afrohet përvjetorit të saj të parë, Moska dyshohet gjithnjë e më shumë për manipulim të numrit të të vrarëve, duke zvogëluar humbjet e veta dhe duke ekzagjeruar ato të Ukrainës.

Ministri rus i mbrojtjes tha shtatorin e kaluar se 5937 trupa ruse ishin vrarë në luftë. Në nëntor, zyrtarët amerikanë vlerësuan se “mbi 100,000 ushtarë rusë ishin vrarë dhe plagosur”. Në atë kohë, zyrtarët amerikanë vlerësuan se forcat e armatosura të Ukrainës “mund të kenë” pësuar një numër të ngjashëm viktimash dhe se rreth 40 mijë civilë ukrainas ishin vrarë.

Në shifrat e publikuara nga Rusia figuronte një numër tepër i lartë i vullnetarëve të huaj të vrarë në luftimet në Ukrainë.

Ukraina thotë se më shumë se 20 mijë vullnetarë të huaj nga 52 vende i janë përgjigjur thirrjes së Presidentit Volodymyr Zelenskyy për të ndihmuar në luftën kundër forcave ruse. Shumica e të huajve që luftojnë në Ukrainë po e bëjnë këtë për arsye bindjesh, megjithëse Rusia zakonisht i quan “mercenarë”, një përcaktim që i përjashton ata nga mbrojtja e garantuar në bazë të Konventave të Gjenevës të vitit 1949.

Autori dhe ish-anëtari i forcave speciale të ushtrisë amerikane, “Navy Seal”, Chuck Pfarrer po monitoron nga afër situatën në Ukrainë dhe po mban kontakte me vullnetarë amerikanë dhe të tjerë të huaj në terren. Ai gjithashtu ka ndjekur konfliktin për gazetën Kiev Post.

Zoti Pfarrer është autor i librit “Objektivi Gjeronimo: Historia e Misionit për Vrasjen e Osama Bin Laden-it”, që ka hyrë në listën e librave më të shitur të gazetës Nju Jork Times dhe që vinte në pikëpyetje pjesë të përshkrimit të misionit nga Shtëpia e Bardhë. Libri është cilësuar “fabrikim” nga një zëdhënës i komandës së operacioneve speciale të Shteteve të Bashkuara. Zoti Pfarrer ka mbrojtur versionin e tij dhe thotë se qeveria po mbulonte detajet jo pozitive të misionit.

Zoti Pfarrer i tha Zërit të Amerikës më 3 janar se manipulimi i statistikave të luftës nga Rusia është pjesë e një historie dezinformimi që nga Kremlini për të justifikuar agresionin ushtarak në Ukrainë.

“Putini dëshiron me çdo kusht që qytetarët rusë të mendojnë se Rusia po ‘lufton NATO-n’ në Ukrainë”, tha zoti Pfarrer. “Sa më shumë vrasje të luftëtarëve të huaj që Rusia mund të pretendojë se i ka kryer, aq më lehtë do të jetë për Kremlinin që ta shesë këtë fantazi.”

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x