11.5 C
Tirana
12 / 02 / 2026

Durana Tech Park/ Ibrahimaj: Sjell transformim ekonomik të vendit përmes inovacionit dhe teknologjisë

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë këtë të enjte në workshop-in konsultativ të zhvilluar me rezidentët e “Durana Tech Park” dhe përfaqësues të institucioneve të zhvillimit territorial, në kuadër të fazës së re të zhvillimit të parkut teknologjik.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Ibrahimaj theksoi se “Durana Tech Park” është në qendër të vizionit të qeverisë për transformimin ekonomik të vendit përmes inovacionit, teknologjisë dhe mbështetjes së startup-eve.

Ajo nënvizoi se parku tashmë ka hyrë në një fazë tranzitore, duke kaluar nga modeli virtual drejt ndërtimit të infrastrukturës fizike, e cila do të krijojë kushte optimale për zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve me vlerë të shtuar.

Ministrja theksoi se ekonomia shqiptare ndodhet në një moment kyç, ku prioritet është rritja e konkurrueshmërisë, nxitja e eksporteve të produkteve me vlerë të lartë, si dhe rritja e produktivitetit përmes investimeve në inovacion, veçanërisht në sektorin privat.

Aktualisht, “Durana Tech Park” numëron 55 rezidentë, ndërsa 25 të tjerë pritet t’i bashkohen komunitetit në vijim. Ministrja konfirmoi angazhimin e qeverisë për të vijuar investimet në këtë projekt strategjik dhe për të forcuar bashkëpunimin mes qeverisë, akademisë, institucioneve të zhvillimit territorial dhe komunitetit të startup-eve.

Në fokus të workshop-it ishte diskutimi mbi strukturimin e fazës fizike të parkut, me synim krijimin e një ekosistemi funksional dhe të qëndrueshëm që i shërben zhvillimit të inovacionit dhe politikave ekonomike të vendit.

Ministrja Ibrahimaj bëri të ditur gjithashtu se javën e ardhshme do të shpallet një thirrje e re për grante për startup-et, të cilat pritet të forcojnë më tej komunitetin e “Durana Tech Park”.

Workshop-i shërbeu si një platformë bashkëpunimi dhe konsultimi për të përcaktuar hapat e mëtejshëm në konsolidimin e parkut si një qendër inovacioni dhe zhvillimi teknologjik në Shqipëri.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x