9.5 C
Tirana
04 / 11 / 2024

Dramaturgjia shqiptare në krizë/ Nevojitet më tepër mbështetje dhe promovim për të rinjtë

Dramaturgjia shqiptare duket se është në krizë. Mungojnë krijimet e reja dhe gjithnjë e më shumë shohim të vihen në skenat e teatrove të vendit tonë vepra të shkruara nga autorë të huaj. Në festivalin e fundit mbarëkombëtar të komedisë në Korçë, nga shtatë shfaqje që ishin në konkurim, vetëm komedia “Pak pakt” shkruar dhe vënë në skenë nga dramaturgu Ledian Gjeçi, ishte krijim shqiptar. Të gjitha të tjerat ishin vepra nga autorë të huaj. Aktorë e regjisorë pranojnë faktin se drama shqipe është në krizë, po ashtu edhe komedia si një nga zhanret më të vështira. Ata thonë se krijimtari ka, por duhet ti vihet theksi edhe cilësisë së teksteve, teksa të gjithë janë të mendimit se nevojitet më tepër mbështetje dhe promovim për të rinjtë.

“Dramaturgjia shqiptare është në krizë, jo vetëm komedia. Komedia është akoma më e vështirë sesa drama. Ndonëse e tentua disa herë, me disa konkurse dramaturgjie, më bëri çudi që nuk pati prurje aq të mira, sa të rikthenin interesin e spektatorit, për ta dashur dramaturgjinë dhe teatrin tonë.” – VASJAN LAMI, Aktor

“Nuk dua ti hyj një analize, sepse dramën shqipe dhe komedinë shqiptare e duam shumë, e duam të gjithë sepse është jeta jonë dhe buron natyrshëm, ashtu si fjalën nënë apo dashuri, të cilat mund ti thuash në të gjitha gjuhët e botës, por kanë një fuqi të veçantë kur e thua në gjuhën shqipe. Unë dua që të jetë më shumë prezente drama shqipe. Dramaturgjia botërore nuk na le në baltë, është shekullore dhe e larmishme, por padyshim që dëshira ime është që të ishte më prezente edhe komedia shqiptare. Pse të mos jetë!” – RAJMONDA BULKU, Aktore

“Gjykoj që kemi krizë, se prodhimtari mund të ketë, por duhet të kemi një cilësi të mirë, sepse të gjitha teatrot do të zgjedhin atë vepër që është më e mira. Dhe ne për të gjetur vepra të tilla, e kemi shumë të vështirë. Prodhimtari ka, por nuk janë ato që i duhen teatrit sot. Vepra dhe pjesmarrja e Ledianit, është një nxitje shumë e mirë, për të gjithë të rinjtë që duan të shkruajnë teatër.” – ZAMIRA KITA, Aktore

Për regjisorët nuk mungon krijimtaria shqipe, por sipas tyre është më e lehtë të zgjedhin dramaturgjinë e konfirmuar botërore, për të mos rrezikuar suksesin e një shfaqjeje. Regjisori Altin Basha zgjidhjen e sheh tek stimulimi i atyre që shkruajnë vepra, ndërsa regjisori Qëndrim Rijani  thotë se një prej arsyeve pse drama shqiptare ka arritur deri në këtë gjendje është mungesa e shkollës së dramaturgjisë.

“Në tërësi ne kemi probleme me dramaturgjinë tonë, por më mirë të themi që më në fund kemi një lajm  të mirë nga dramaturgjia shqiptare. Me këtë shpresë ne duhet të vazhdojmë dhe të stimulojmë të gjithë artistët të cilët, në fushën e dramaturgjisë shkruajnë vepra dhe ndoshta në mënyrë graduale ata të fitojnë sigurinë dhe vetëdijen se veprat e tyre mund të vihen në skenë dhe mund të jenë të suksesshme, po aq sa ato të huajat.” – ALTIN BASHA, Regjisor

“Është më e vështirë që të futesh në pistën e vrapimit me një tekst shqiptar, kur ka tekste të konfirmuara botërore. Realisht dramaturgjia nuk është punë e lehtë. Ne nuk është se nuk kemi tekste shqiptare, kemi pafund, por ne si regjisorë, pasi i lexojmë kemi frikë. Më shpejt iu afrohemi dramaturgjive të konfirmuara botërore, sesa një teksti shqiptar. Mungesa e shfaqjeve të dramaturgjisë shqiptare ndoshta është edhe faji jonë si regjisorë, është faji i dramaturgëve, por është edhe faj i mungesës së shkollës së dramaturgjisë. Ashtu si vendet e tjera, ne nuk duhet të vijojmë të ngelemi tek dramaturgjia që lind dhe shkruhet për hir të dellit krijues.” – QËNDRIM RIJANI, Regjisor

Dikur trupat teatrore, jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytet të tjera kanë pasur arritje të suksesshme. Mjaft drama, komedi e spektakle kanë mbetur në kujtesën e shqiptarëve për vlerat e tyre artistike, ndërkohë që sot, ka mungesë të krijimtarisë dramaturgjike në të gjitha zhanret e saj.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x