11.5 C
Tirana
12 / 02 / 2026

“Dëshmitarët gënjyen nën betim”/ Avokati i Kadri Veselit shenjëstron personat që do të dëshmonin: Kanë mashtruar

Pas avokatëve të Hashim Thaçit, edhe mbrojtësit e Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit kundërshtuan akuzat për krime lufte ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Gjykata të bëjë kujdes me dëshmitë e dhëna nga Serbia”, tha avokati i Veselit në Hagë, teksa i kërkoi Gjykatës Speciale të mos injorojë atë që e cilësoi ‘aparteid’ të Serbisë në Kosovë, të ngjashëm me atë në Afrikën e Jugut.

“Si është e mundur që gjykata të mbështetet në pjesë të caktuara të dëshmitarëve për të dhënë vendim fajësie përtej dyshimit të arsyeshëm, ndërkohë që për të tjerët thuhet se nuk mund të besohen për asnjë aspekt? Ka pasur persona që kanë gënjyer nën betim, duke mos thënë të vërtetën. … Ju nuk mund të injoroni atë se çfarë ka bërë Serbia. Ata nuk ishin thjesht dele që kalonin gjatë natës”.

Mbrojtja e Rexhep Selimit tha se nuk ka ekzistuar një Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale, duke hedhur poshtë pretendimet e Prokurorisë në Hagë për përfshirjen e ish-krerëve të UÇK-së në të.

“Në mungesë të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale nuk mund të ketë përgjegjësi për Selimin për kryerjen e krimeve. Duhet të konstatoni se ka pasur një pajtim për krimet e pretenduara. Teoria e Prokurorisë është se ky ishte qëllimi kryesor i të akuzuarve dhe jo çlirimi i popullit të tyre, por vetëm synim për të marrë pushtet në mënyrë egoiste. Qëllimi për marrjen nën kontroll te Kosovës nuk është kriminal, por mënyrë për t’i dhënë fund shtypjes së Millosheviçit”.

Gjatë fjalës së tij në Hagë, avokati i Rexhep Selimit përmendi edhe Adem Jasharin, teksa theksoi se Prokuroria nuk e ka përmendur fare “masakrën që i ka ndodhur kësaj familjeje”.

Zyra e Prokurorit të Specializuar dorëzoi në 30 shtator 2022 aktpadinë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x