15.5 C
Tirana
12 / 02 / 2026

COPËZA KUJTIMESH/ RRUGËTIMET E BREZIT TIM

Nga Ethem Ruka

Nga Perandoria Osmane trashëguam vetëm fjalën “xhade”, megjithëse rrugët mungonin. Viti 1912 e gjeti Shqipërinë vetëm me 160 km rrugë për qerre. Porta e Lartë e kish ndaluar me ligj përdorimin e mjeteve private në këtë cep të perandorisë. Mjeti më modern i transportit për shqiptarët ishte qerrja, ndërsa në vende të tjera qarkullonin automjete, trena, avullore e avionë.

Thonë se vetura e parë private “Fiat” u shkarkua në portin e Vlorës në vitin 1913. Të tjerë thonë se i pari që pati fatin të kishte një veturë personale në të njëjtin vit ishte Esat Toptani. Aq i huaj dhe i panjohur ishte automobili për shqiptarët, saqë me humor tregojnë se, kur e panë për herë të parë një mjet të tillë fshatarët shkuan t’i hidhnin bar për ta ushqyer. Kjo ironi therëse flet më shumë se qindra artikuj për historinë e transportit rrugor në Shqipëri.

Lufta e Parë Botërore e gjeti vendin pa rrugë. E megjithatë, u turrën si korbat mbi një trup të lodhur ushtri greke, italiane, austro-hungareze e franceze. Makineritë e tyre të luftës kishin nevojë të ngutshme për rrugë. Pa to, grykësia për pushtim do të ishte e pamundur, ndaj ju vunë punës për përmirësimin e rrugëve ekzistuese, hapjen e rrugëve të reja, ndërtimin e dekovilëve e teleferikëve.

Vetëm ushtria austro-hungareze ndërtoi me shpejtësi 650 km rrugë dhe 450 km dekovil. Të njëjtën gjë bëri edhe ushtria italiane që hapi qindra km rrugë të reja në jug për të lidhur Vlorën me Tepelenën, Gjirokastrën, Përmetin e Sarandën. Edhe ata ndërtuan 120 km dekovil dhe 15 teleferikë.

Në mbarim të Luftës së Parë Potërore, vendi trashëgoi vetëm 400 automjete të mbetura këtu kryesisht nga ushtritë e tërhequra. Kur Italia u tërhoq nga Shqipëria në vitin 1920, vetëm në Tepelenë la pas 55 automjete te tipit Fiat, 450 goma makinash dhe shumë pjesë këmbimi e pajisje ofiçinash. E gjithë kjo pasuri mjetesh filloi të përdorej për transportin publik, kryesisht në jug.

Në vitet 1920-1930 u përmirësuan disa prej rrugëve ekzistuese, u ndërtuan ura dhe numri i mjeteve filloi të rritej, nga 400 në 1600. Në vitet 1930, por edhe pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, transporti urban filloi të organizohej nga disa shoqëri si, “Sata”, “Saud Adriatik”, Cida” Saka B”, San Marko” etj.
Kjo ishte Shqipëria e atyre viteve, kur trashëgimia në rrugë e mjete transporti për udhëtarët ishte mëse e dëshpëruar.

Imagjinoni që në vitin 1945 rrjeti i përgjithshëm rrugor kishte vetëm 2800 km, nga të cilat vetëm 400 km ishin të asfaltuara, ndërsa transporti hekurudhor i vitit 1947 kishte vetëm 47 km rrugë të hekurt.

Kjo ishte Shqipëria e fëmijërisë dhe rinisë sonë. Sikur të mos mjaftonte kjo gjendje të gjitha automjetet u shtetëzuan dhe shqiptarëve iu ndalua e drejta e një automjeti privat për gati 50 vite. Asnjë prej vendeve të lindjes, me të cilat ndamë të njëjtin regjim e ideologji, nuk arriti deri këtu.

Këdo që të pyesësh nga brezi ynë për udhëtimet e atyre viteve, me siguri ndjen morrnica në trup dhe trishtim në shpirt. Buzë rrugëve shikoje vazhdimisht njerëz që nxirrnin dorën me shpresën që ndonjë kamion do të ndalonte për të të çuar diku. Ishte fat i madh nëse gjeje një automjet dhe të rrugëtoje në kabinën e drejtuesit të mjetit. Në shumicën e rasteve njerëzit hipnin në karrocerinë e makinave, pavarësisht nëse frynte erë apo binte shi e dëborë.

Rrugët e atyre viteve jo vetëm që ishin të ngushta, por në pjesën më të madhe të paasfaltuara, gjarpëruese e me shumë kthesa. Në vitet 1960, për të mbrritur në Tiranë, udhëtarët e jugut duhet të përshkonin fillimisht rrugën e vjetër deri në Vlorë. Kjo rrrugë, 85 km e gjatë dhe një ndër më të vjetrat e vendit, u ndërtua në vitin 1919 nga ushtria italiane. Shfrytëzimi i kësaj rruge për udhëtarë u bë për herë të parë në vitin 1926 me një autobus të tipit “Peguti”.
Për të marrë kthesat gjarpërushe të Përroit të Salarisë, autobusi duhej të bënte disa herë para-mbrapa, ndryshe mund të përfundonte në greminë. Edhe pse e braktisuar, kjo rrugë ka mbetur më e dashura për mua. Ajo kalonte poshtë këmbëve të fshatit tim të lindjes dhe shërbeu si një dritare ku pashë e preka për herë të parë zhvillimin e qytetërimin. Udhëtimi me autobuz deri në Tiranë dhe anasjellas dukej i pafund dhe zgjaste një ditë të tërë.

Ne studentët e rretheve të largëta takoheshim dy herë në vit me familjet, vetëm gjatë pushimeve dimërore dhe atyre verore. Askush nuk ia mbathte kur të donte dhe të linte auditorët. Udhëtimi nga Tirana në vendlindje dhe anasjellas ishte një mundim më vete. E vetmja gjë që më ngrohte shpirtin kur nisesha për udhëtim ishte urimi i nënës “Vafsh mirë bir dhe rruga tu bëftë dritë”! Eh, nënat si nënat! Ato mendonin gjithmonë më të keqen gjatë udhëtimeve, aksidentet.

Problemi më i vështirë nuk ishte udhëtimi, por shqetësimi për të gjetur një biletë udhëtimi. Linjat e udhëtimit kishin vetëm nga një autobus (në shumicën e rasteve Skoda) në ditë që merrte 48 deri në 52 pasagjerë, në një kohë që kërkesat për lëvizje ishin shumë më të mëdha. Duhet ta konsideroje veten me fat nëse do të gjeje një mundësi për të udhëtuar me një mjet tjetër. Veturat ishin privilegj vetëm i funksionarëve të lartë.

Në çdo qytet kishte nga një agjensi udhëtimi, ku të interesuarit prisnin biletat, ca copëza të vogla letre, ku shënohej edhe vendi në autobuz. Punonjësit e agjensive i njihte gjithë qyteti. Të gjithë i përshëndetnin, duke menduar se një ditë do të faleshin te ata. Disa prej vendeve në autobus ishin të rezervuara për funksionarë të lartë lokalë që punonin në zyrat e Komitetit të Partisë ose atij Ekzekutiv. Kur këto vende nuk shfrytëzoheshin prej tyre, biletat ndaheshin me të njohur. Kush kishte ndonjë mik në këto institucione ishte i privilegjuar se e merrte biletën pa mbajtur radhë.
Kërkesat për bileta udhëtimi rriteshin veçanërisht në ditë festash. Kështu ndodhte edhe me ne studentët kur merrnim pushimet ose fillonte viti i ri shkollor. Kërkesat ishin shumë më tepër se mundësitë që ofronin linjat me autobuzë drejt verit dhe jugut.
Agjencia e udhëtarëve të Tiranës ndodhej mbrapa bar sahatit, në krah të hotel Vollgës së dikurshme e më vonë hotel Drinit. Godina e saj ruhet ende si dikur. Për të mbritur te dera e zyrës së agjencisë duhej të ngjisje 7-8 shkallë. Mjedisi i brendshëm nuk ishte shumë i madh dhe një pjesë të tij e zinin dy sportele të ndara me thupra hekuri. Njëri nga sportelet shërbente për linjat e veriut, ndërsa tjetri për ato të jugut. Si rregull sportelet hapeshin në orën 7.00 të mëngjesit.

Kur vinte koha e pushimeve të vitit të ri kërkesat e studentëve për bileta ishin të panumërta. Ishte e pamundur të shkoje lirisht te sporteli dhe të blije një biletë udhëtimi. Çdo ditë kishte me dhjetra e dhjetra njerëz që kërkonin bileta. E vetmja mënyrë për të marrë një biletë për datën e dëshiruar ishte të mbaje radhën gjatë natës.
Ne bëheshim një grup shokësh dhe shkonim bashkarisht qysh në orën 11.00 ose 12.00 të natës dhe prisnim aty në të ftohtë deri në orën 7.00 të mengjesit kur hapej agjensia.

Shkallët që të çonin deri atje ishin plotë e përplotë me njerëz dhe plaste grindja nëse ndonjë mund të thyente radhën. E keqja ishte kur hapej dera dhe njerëzit futeshin brenda agjensisë. Duhet të prisje gjatë deri sa të arrije te sporteli, ku shërbente një grua që quhej Naze. Kush kishte mik Nazen ishte fatlum.
Mund të qëllonte që edhe pse kishe mbajtur radhën me orë të tëra mund të mos arrije të merrje një biletë, ndaj duhet të përsërisje të njëjtën gjë natën tjetër. Nëse arrije të siguroje një biletë ndiheshe i lehtësuar dhe dukej sikur i kishe hequr vetes një barrë të rëndë.

Ishin vitet kur kilometrat e hekurudhave shtoheshin vit pas viti. Kjo bëri që udhëtimet të bëheshin pjesërisht me tren e pjesërisht me autobusë. Për ne që udhëtonim drejt jugut, fillimisht rrugën Tiranë-Lushnjë e më vonë Tiranë-Fier e bënim me tren. Në mars të vitit 1975 u përurua hekurudha Fier-Ballsh dhe udhëtarët e nisur nga Tirana udhëtonin me tren deri në Ballsh. Pjesën e mbetur deri në vendlindje duhet ta bënim me autobus ose mjete të tjera transporti.

Sot, rrjeti rrugor shqiptar përfshihen rreth 18.600 km, nga të cilat vetëm 1500 km janë akse kombëtare. Janë ende pak dhe jo shumë të sigurta. Në një kohë kur Bashkimi Europian ka rreth 900 m rrugë për një km katror, Shqipëria ka vetëm 180 të tilla.
Rrugët janë zhvillim, janë si arteriet që ushqejnë trupin me gjak.
Brezi ynë i ka parë e shkelur rrugët e Shqipërisë të paktën qysh nga vitet 1950. Të parët tanë rrugëtuan me këmbë, kuaj e mushka, ndërsa ne pasardhësit e tyre, edhe pse në rininë tonë udhëtuam në rrugë të vështira e të pasfaltuara, duhet ta ndjejmë veten më fatlumë e më të kënaqur.
Kohën kur lindim e jetojmë nuk e zgjedhim dot. Ajo që mund të bëjmë është të ndryshojmë sadopak realitetin në të cilin jetojmë. Të paktën brezi ynë gërmoi e hodhi vullnetarisht nga një lopatë dhé në trasetë e hekurudhave dhe rrugëve të reja. Edhe pse sot ka shumë që e kritikojnë vullnetarizmin e brezit tim, unë ndihem krenar për të.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x