Banesa e Vëllazërisë Lubonja, një pasuri e trashëgimisë kulturore në Korçë, e cila rrezikonte shëmbjen, falë bonusit të rijetëzimit do të jetë një tjetër atraksion turistik me vlera të spikatura arkitekturore e cila shpëton nga degradimi.
Banesa ka qënë prej vitesh e braktisur për shkak të pamundësisë së pronarëve për të kryer mirëmbajtjen e saj, çka ka sjellë edhe rënimin e godinës.
Gjergji Koki, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë është shprehur se kjo banesë ishte kthyer edhe në një shqetësim për banorët e lagjes 3 të qytetit të Korçës dhe se tashmë ka nisur puna për restaurimin dhe rijetëzimin e kësaj banese.
Ndërhyrjet sipas Kokit konsistojnë në të gjithë restaurimin e strukturës dhe elementeve arkitektonike.
Banesa e Vëllazërisë Lubonja është një prej 6 banesave në qarkun e Korçës përfituese të bonusit të rijetëzimit, një ndihmë në formë granti dedikuar për të gjithë ata individë që duan të zhvillojnë pronën e tyre në qendrat historike të qyteteve, duke kontribuar edhe për komunitetin që përfiton nga rijetëzimi i qytetit.



