Nga Luan Rama
Fatri Sinanin kam shumë kohë pa e takuar. Dhe t’ju them të vërtetën, në këto çaste që po shkruaj nuk di asgjë për të. Nuk e di ku është e as se si është.
Por di një gjë shumë të rëndësishme të cilën po e ndaj publikish me të gjithë ju:
Fatri Sinani është një qytetar nga ata që të bën nder ta njohësh; është një intelektual me kontribute të mëdhe, paçka se të panjohura; dhe padyshim, një shok i rrallë dhe me cilësi të veçanta, shok prej atyre që modestinë e kanë virtytin më të spikatur.
Nuk po e fsheh; mund të isha interesuar për të ndër shokë a miq të përbashkët, mund t’i kisha pyetur e mandej të lidhesha me të e pasi t’i kërkoja ndjesë për kohën e gjatë që ka kaluar pa u parë, edhe ta ftoja për një kafe.
Mirëpo kjo m’u duk shumë pak për nderimin dhe mirënjohjen që Fatri Sinani meriton. Edhe për t’i kërkuar ndjesë, prapë do të ishte pak.
Ndaj zgjodha që për Fatri Sinanin të shkruaj publikisht.
Unë e kam njohur diçka më shumë se 35 vjet më parë. Sapo kisha filluar punë në gazetën “Zëri i Popullit”. Isha djalë i ri e Fatriu ndoshta diku mes 35 -40 viteve.
Mandej, rrjedha e ngjarjeve dhe angazhimi politik në Partinë Socialiste na lidhi më shumë, na afroi dhe miqësoi, edhe pse me disa vite diferencë në moshë. Unë e takoja gjithmonë me shumë kënaqësi e pas çdo takimi me të e ndjeja që diçka të vyer kisha mësuar.
I pafjalë, por mençurisht i ditur dhe shumë fisnik në gjithë qënien e tij, Fatri Sinani jo vetëm si një prej themeluesve të Partisë Socialiste, por shumë më tepër se aq, si njëri prej ideologëve të formësimit programor të saj si një forcë e re dhe moderne e socialdemokracisë europiane, siç qe trendi i zhvillimeve politike në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, ka qenë ndër ata që më së shumti kontribuoi në atë proces të vështirë e delikat të shndërrimit të Partisë së Punës në Partinë Socialiste të Shqipërisë.
Kontributi i tij si mendimtar politik është në çdo fjalë e në çdo paragraf të dokumentave bazë të Partisë Socialiste. Është në pothuaj të gjitha raportet e kongreseve dhe në çdo hap të rritjes e progresit të saj prej themelimit e vit pas viti më pas.
Fatri Sinani kurrë nuk rendi tribunave e pas posteve, edhe pse i meritonte ato shumë me tepër se ca të tjerë. Ai kurrë nuk bërtiti për të na thënë “UNË”, edhe pse shquhej ndër të tjerët për urtësinë e gjykimit dhe thellësinë e mendimit, për kohezionin e vlerësimit të dukurive e proceseve të zhvillimit politik, si dhe për konsekuencën dhe parimësinë në trajtimin filozofik e doktrinar të ngjarjeve nëpër të cilat rritej vetë Partia Socialiste. Në aparatin politik të Partisë Socialiste, Fatri Sinani qe nga më të zotët.
Në qershorin e vitit 2026, Partia Socialiste do të mbushë 35 vjet të jetës së saj. Historia e saj është edhe vetë historia e njerëzve që e themeluan, që e rritën dhe e bënë atë parti jo thjeshtë një forcë qeverisëse, por forcën emancipuese të politikës shqiptare.
E në të gjithë këtë histori, përkrah shumë të tjerëve, ka vendin e vet si një kontributor i rëndësishëm edhe Fatri Sinani, paçka se emrin mund të mos ia dinë këta socialistët e sotëm të pushtetit.
Por, edhe nëse nuk e dinë, këta socialistët e sotëm të pushtetit një gjë duhet ta mësojnë: Partinë Socialiste e themeluan, e rritën dhe forcuan në mes luftës politike dhe revanshit të pushtetit kur ajo qe në opozitë, ca gra dhe burra të zotë, nga më të mirët që kishte Shqipëria.
Fatri Sinani është njëri nga ata…