Nga Kristo MËRTIRI
Te ky monument i vecantë natyror, historik e kulturor, bari dhe zogjtë janë ndërruar mbi 80 herë. Por mjaft rrënjë dhe bimë të tjera vazhdojnë të mbijnë e përtërihen mbi gëzhoja, /
e helmeta të përgjakura, sot e kësaj dite. Vjosa ime e dashur ligjëron e gurgullon pa pushim, herë shtruar e pa bujë, herë e irrituar e shkumëbardhë përgjatë brigjeve ku dalin të hedhur mënjanë kërcunj e drurë të vjetër e të rinj. Sikur kërkon ta ruajë me fanatizëm kthjelltësinë e saj shekullore, sidomos “që nga koha e Perandorisë Romake e deri te Lufta Italo-Greke”. Vjosa ime e dhembshur që më përkundi, më rriti e më përcolli me shumë mundime e përgjërime drejt udhëve të dijes në Tepelenë, Gjirokastër, Tiranë e përtej kufijve shtetërorë ! Bashkë me Golikun e ëndrrave djaloshare që na dehte e s’na velte me erën e trëndelinës e të lules së blirit, të cajit e të dafinës plagëhapur atje në honet kujemëdha të Piligrisë (zëri i motërzezës së madhe do më shoqërojë deri sa të gremis sytë!). Përkrah Grykës së Këlcyrës “unike në Ballkan”, fama e tyre mbetet e pacënueshme dhe e patjetërsueshme : Në këtë tokë të bekuar me udhë e pa udhë, janë shembur taborë me pushtues e tradhëtorë, të cilët kanë lënë kokat dhe kockat ! Është dheu im që të ligun e armikun e vërtetë nuk i qasi kurrë në vatër. E, as ua ktheu ndonjëherë kurrizin! Brez pas brezi. Vecse 4 dimra të egër, 4 Nëntorë do të shkonin nëpër malet e Shqipërisë dhe përtej saj, “të katër të rinj, partizanë me vezme në brez e nagante”, me Yllin e Lirisë në ballë, drejt ëndrrës së madhe të Clirimit. Sepse shembja e botës së vjetër plot shtypës e të shtypur, nuk do të vinte thjesht me dy gishtat lart apo me ulërima mitingjesh…
Kjo Grykë, për mua quhet plotësisht e pagëzuar me emrin e saktë : Gryka e Peshtan-Mezhgoranit. Në të gjitha filmimet e 80 viteve të fundit, nuk shfaqet asnjëherë në foto e ekrane si njeri me njërin krah të prerë. Madje shumica e pushtuesve të vrarë janë mbi Peshtan ! Historikisht kështu. Sikur vetëm minimuzeun privat të Mira Mukës në bujtinën e saj (vajza e shokut tim të ndjerë të fëminisë, Hajro Malo),, të vizitosh e vëzhgosh me kujdes e vëmendje, cdo turist a udhëtar i zakonshëm krijon një tablo konkrete në memorie. Pa shfletuar hic harta, libra e gazeta. “Peshtani, mëhallë Parisi,/ O, bo, bo, lufta c’e prishi !”. Poeti popullor flet shumë. Rrëfime që kanë shkuar e shkojnë gojë më gojë. Por 4 Nëntorët e 4 dimrat e egër erëbarot, ruajnë përjetësisht të gdhendur me shkronja ari e gjaku një luftë të shenjtë : Lufta Antifashiste Nacionalclirimtare Shqiptare ! Një epope e madhe që i dha dritë, nder e lavdi vendit në Europë e Perëndim.(Kush prek e latërzen Luftën e Dëshmorët, i bie dambllaja !). Se Antinazifashizmi mbetet vlerë e vërtetë e qytetërimit botëror. Në fund të fundit, për mbi 70 mijë partizanët, 4 Nëntorët ishin realisht “sa për 4 Akademira” ! P.sh. Asim Zeneli me shokë, vërtet nisën a mbaruan studimet e larta në Itali, por “Diplomën” më të vështirë e morën shkëlqyeshëm këtu, në Grykën e Peshtan-Mezhgoranit. “Oficeri me kulturë,/ S’qëndroi në ushtëri,/…Vajtoni o shqipëtarka,/ Asimin djalosh të ri !…”. Ajo fotoja e trimit kosovar, Heroit të Popullit, Xheladin Beqiri (Karadaku) me grushtin lart mbi trupin e komisar Asimit dhe betimi i tij burrëror “Me luftë e nisëm, me luftë do ta fitojmë !…”, nuk mund të retushohen dot nga askush, sot e nesër, përgjithmonë…Nuk besoj të ketë shqiptar që nuk e ka dëgjuar atë këngën e famshme të Qamil Buxhelit e Mustafa Krantja. Por jo të gjithë e dinë se ai zëri i paarritshëm e drithërues është i një ish mitralieri partizan, pjesmarrës në atë betejë të paharruar kundër pushtuesve fashistë italianë. Rast tepër i rrallë! Është Mentor Xhemali, miku im përmetar, Artist i vërtetë i Popullit që famën e kësaj Gryke e përcolli me dinjitet e profesionalizëm të pashoq gjer në Moskë e Leningrad e gjetkë. I ndrittë shpirti atje ku prehet, në varrezat e Sharrës në Tiranë. Sa herë shkoj për te prindërit dhe te kunata fatzezë Donikë, coj ndonjë lule a cigare edhe te këngëtari i madh proletar aty pranë. Ndërsa një kaba laveriane me të qarë na befason lotueshëm, nëpër vithimat e Kroit të Madh në vendlindje yjet duken e zhduken nëpër fletët e lofatave që ndezin zjarre përkujtimi e dhembshurie…
Fiks 53 vite më parë, kur isha nxënës në Pedagogjiken me emër të ndritur “Pandeli Sotiri” në Gjirokastër, në sytë e mi dhe të shqiptarëve feksi një tabllo e madhe, e gjallë, shpërthyese dhe luftarake e ish partizanit me rrënjë Opari (babait të Pandit tonë të mirë), Piktorit të Popullit, Guri Madhi. Kur ndaleshin para saj, veteranët thinjoshë fshinin sytë dhe hiqnin kapelen. Por origjinali një ditë prej ditësh u “zhduk” papritur nga ekspozimi në zemër të metropolit! Thonë se u kyc në ca mjedise zyrtare të larta. Atë ditë që do rikthehej si me një frymë pas arratisë 32 vjecare në Galerinë Kombëtare të Arteve, zemra ime kish filluar të cante kraharorin e drobitur nëpër udhët e mërgimit të detyruar nga pushtpushteti i kohës bishtdhelpër. Shkurt, nuk ia urova dot drejtpërdrejt e sy më sy mirëseardhjen !…U vendos krah për krah me tabllotë e papërsëritshme “Shpella e Dragobisë”. “Dorëzimi i armëve”, “Shtabi i Përgjithshëm”, “Pëllëmbë e gjak” etj. Dikush e quajti publikisht me të drejtë “Rembrandi shqiptar”. Një tjetër “Piktor i ndjenjave të pastra dhe i emocioneve të fuqishme”. Ndërsa skulptori i njohur K. Rama, i la një shënim të thjeshtë:”Na mblodhe prapë, o Guri, ne miqtë e shokët e vjetër. Të kujtuam me mall…”. Ish studenti i tij K. Buza e tha shkoqur:”Piktura shqiptare ka Gurë të Mëdhenj, ka edhe guralecë. Gurët e mëdhenj janë të paluajtshëm. i tillë është edhe profesori im, Guri Madhi !”.
Duke medituar shpesh përballë këtij “guri të vërtetë në kështjellën e pikturës sonë”, fryt i kënaqësisë jo dosido që mua më ka falur tablloja e pavdekshme “Beteja e Mezhgoranit”, përfytyroja Piktorin tek ngriti ca ditë “studion” te kjo Grykë zulmëmadhe në histori. Autor me emër dhe mbiemër paksa të cuditshëm që i shkonin për shtat aq shumë ! Peshtanakë e mezhgoranas, tepelenas e përmetarë, ish partizanë e pasardhës të tyre, sa herë kalonin e kalojnë përmes shkëmbinjve e dy Grykave hijerënda, përjetojnë ndryshe e me zemër edhe atë pikturë jo pak emocionuese: Sa shumë e paske dashur Shqipërinë, o Guri Madhi !…Por ti, ndoshta nuk i mësove dot 20 toponimet interesante, 5 kishat e mocme apo 13 emrat e 13 krojeve në Peshtanin tonë të shtrenjtë: Guri i Shkallës; Guri i Bregut të Rrahut; Gurët si Njerëz; Guri i karait; Guri i Cekajve etj. Mbase një ditë nipi yt piktor do plotësojë e pasurojë më tej tabllonë historike. Te ata kroje të kulluar (qajnë apo këndojnë?), kam 7 dekada që përmallohem edhe me gjurmët, mjeshtërinë e njohur të gjyshit tim që nazistët gjermanë nuk ma lanë ta njihja kurrë ! Gjaku i tij është atje, pranë një mëlleze lajmëruese e saktë e pranverës, mbi Buzën e Savës, ballë për ballë me Sajmolën ku do shkoj nesër. E masakruan, e pushkatuan dhe e hodhën me aq urrejtje të pamatë në greminën buzë Vjosës. Nuk e di se c’gurgullima, c’rënkime e mërmërima mund të kenë derdhur ato caste krojet për “ustain e krojeve”, që nuk u ngop dot me erën e të birit të sapoliruar nga burgjet, internimet e përndjekjet gjer në udhët e strehët ilegale të Vlorës. Karabineria dhe kallauzët e tyre të ndyrë e kërkuan me qiri. Fonogramet shkonin e vinin me furi e gati përditë nga Gjirokastra, donin ta rrëmbenin nga duart besnike të Teli Ndinit e të tjerë luftëtarë të Njësiteve Guerrile. Por Vlora e Pavarësisë dhe e Lirisë, Vlora e Shpresës dhe e Besës nuk e dorëzoi kurrë ! As pronari Hamza nuk e shiti “yzmeqarin” peshtanak “me bomba në trastë”, atje, karshi ish hotel “Sazani”. Kuislingët dhe sahanlëpirësit faqezinj dështuan… Kur u fejova zyrtarisht me Violetën time vlonjate 24 karat, babai më bëri befas vetëm një kërkesë : -A do ndalojmë një cikë te Sheshi i Flamurit, o bir ? Më lini vetëm 5 minuta te ish kafeneja e kohës së Luftës ilegale…( Se c’foli me veten pas 35 viteve, nuk i morëm dot vesh pëshpërimët e shpirtit të rrëmbushur…
Pavdekësia e cdo Nëntori Shqiptar, ka në themelet e saj gjakun dhe eshtrat e të rënëve për Liri e Demokraci të vërtetë. Idealet e pastra atdhetare nuk i mbrojtën nëpër kancelari, zyra a salla mondane, por “rrebesh më rrebesh” nëpër gryka e shtigje malesh të mbushur më vajza e djem nënash si yje. Dhe historia jonë kapakkuqe me gjakun e Dëshmorëve të Atdheut, nuk mund t’i harrojë kasollet me bukë e pa bukë që pritën e përcollën Partizanët e luftëtarët e tjerë të Clirimit. Nuk mund t’i harrojë burgjet, internimet, flakët e shtëpive me kulm e themel, torturat, masakrimet, vrasjet nga më makabret. Nuk mund të harrojë lotët e nxehtë të nënave e motrave shamizeza nga Jugu në Veri,, mbi dheun që pikon ende dhimbje, dashuri e krenari kombëtare… Atyre sojsëzëve që pas 78 viteve filluan t’i bien një palo këmbore të ndryshkur me “nazistë kalimtarë”, ky popull ua ka varur teneqenë me kohë. Ata nuk i vlejnë asnjë grosh as vetë të Djathtës së vërtetë. Madje e zhysin edhe më thellë në zullume e pa vota shqiptare. Mirëpo, duke mbyllur këto shënime nëntoriane, kujtova një episod që flet fuqishëm nga Tragjasi, fshati ku unë me Shate Gjondedën e paharruar e kaluam natën në stane ku do shkruaja e botoja si student praktikant një reportazh të gjatë te “Zëri i Popullit”: -Na dëgjo pak, miku ynë e dhëndërr Vlore, bëhet fjalë për fillimet rrumpallë e katrahurë të Pluralizmit. Mjaft plehëra e horra abuzuan me Lirinë. Por një ish drejtues i PD-së në Tragjas, me mbiemrin Dano, i vuri gjoksin bustit të Heroinës së njohur Zonja Curre, kur falangat “antikomuniste”(kupto: neofashiste!) erdhën ta hidhnin në erë me tritol. “-Nuk do ta prekni hic këtë vajzë labe partizane që dha jetën në prag të Clirimit, në Qafëshkallë të Klosit në Mat…Nëse kërkoni zonjën, shkoni në shtëpinë time, është nëna ime !…Por përgjithësisht e mjerisht, njerëz të tillë patriot janë arratisur herët nga PD-ja. Dhe nisi rrënim-kalbëzimi…
Troku i Vjeshtës së tretë po mbyllet me shira e stuhira. Dimër Lirie e Demokracie. Por Gryka e Peshtan-Mezhgoranit, Piktori i Popullit, Guri Madhi dhe parajsa ime e humbur(fëmijëria), këto ditë Nëntori sikur janë larë në vesë të bukur trimërie të gjithë, të vdekur e të gjallë. Vërshon malli e krenaria për “lule djemtë e Nënave”…