17.5 C
Tirana
04 / 11 / 2025

Gjithmonë do të ketë Shqipëri!

Nga Ledio Alite

Siç është traditë, çdo fund Nëntori në shtëpitë tona Radio Televizioni publik transmeton vazhdimisht kryeveprën e filmit shqiptar “Nëntori i Dytë”. Ky transmetim, edhe pse periodik gjatë këtyre ditëve, nuk të lodh. Nuk të lodh, sepse çdokush nga ne është i dëshiruar për të parë të materializuar triumfin e vlerave të Shqiptarit, si triumfin e Haki karriocierit, Shqiptarit më të thjeshtë që karrocën, të vetmen pasuri, e vuri në shërbim të lirisë së mëmëdheut, e nuk e braktisi. Të dëshiruar. Nën shirat e vjeshtës çdo shtëpi shqiptare, po prezumoj se reflekton mbi këtë.

Njëqind e dhjetë vjet më parë. 

Njëqind e dhjetë vjet më parë kuajt e Shqiptarëve derdheshin kodrave për në Vlorë, nën një kushtrim. “Cili je? Cili je ti more burrë? Që na vjen nga Shqipëria.”

Për të gjithë Shqiptarët, kësaj pyetje ndërkombëtare të presionit, përçarjes, lakmisë, pabesisë, ia dha përgjigjen me zërin e të gjithë heronjve, babai i shtetit shqiptar. “Unë jam Ismail Qemali. Dua vatanet e mia. Do t’i marr se s’është punë. Është e jona Shqipëria!” Pas një aktiviteti intensiv prej dymbëdhjetë vitesh, Ismail Vlora arriti të bashkonte jo vetëm Shqiptarët, por edhe opinionin publik e diplomatik ndërkombëtar, duke e bindur me mençurinë e tij se kombi shqiptar ekziston, dhe i ka të gjitha tiparet që e dallojnë një komb për të qenë i organizuar më vete nga të tjerët. Ismail Vlora, siç ka shkruar një gazetar anglez, ishte një diplomat me miq nga Bagdadi deri në Londër. Edhe pse duke qenë një nga nëpunësit më të shkëlqyer të Perandorisë Osmane, ai u arratis nga Turqia sepse misioni i tij ishte shërbimi ndaj Shqipërisë, që siç e përshkruan dhe vetë në kujtime, ia kishte borxh. Një njeri si Ismail Vlora, nuk pyeti se çfarë Shqipëria mund të bënte për të, por se çfarë ai mund të bënte për Shqipërinë. Bëri jo shumë, por aktin më sublim që mund të bënte një Shqiptar. Vijimi ishte liria. Liria për Shqiptarët të tregonin aftësi organizimi social dhe politik. Shërbimi sublim i Ismail Vlorës deri kur mbylli sytë, ishte mëshira e Zotit që një bir të sajin kaq të aftë e të arrirë, Shqipëria ta priste bashkë me atdhedashuri. Burrat ngrihen e ulen si gruri i dimrit, por këto emra, nuk do të harrohen kurrë. 

Njëqind e dhjetë vjet më pas.

Njëqind e dhjetë vjet më pas “kuajt” e Shqiptarëve bazuar në statistikat e agjensive më serioze botërore, po derdhen Evropës e më gjerë. E megjithatë, kudo, kushtron e njëjta thirrje.

“Cili je? Cili je ti more burrë? Që na vjen nga Shqipëria.” Sepse kudo ku Shqiptarët largohen, mund të gjejnë gjithçka, por atdhe nuk gjejnë dot! Nuk gjejnë dot për një arsye të thjeshtë. Popujt e qytetëruar kanë luftuar për të ardhmen e tyre dhe në çdo shtëpi, ruajnë emrin prej nga vijnë. Natyrshëm, të gjithë ne në këto vende do të quhemi Shqiptar, asgjë më shumë, gjithmonë Shqiptar. Kaq i kemi borxh Shqipërisë, që të paktën, na dha emrin Shqiptar, me një gjuhë të lashtë unike, territor nga më të privilegjuarit, dhe kulturë nga më të dashurat.

“Cili je?” Ende vallë pas kaq shumë vitesh nuk e kuptuam? Ndoshta ndonjëherë jemi të topitur, dhe me të drejtë e humbim arsyen. E vërteta është se, ne jemi bij nënash, të lindur në sofra ku flitet shqip, pihet raki, këndohet me lot, ku grindemi shpesh me njëri-tjetrin nga krenaria, ku nga ndonjëherë bëjmë dhe hile, ku dashurojmë me moskokëçarje në shqip, qeshim e ndonjëherë nuk e kemi fort qejf punën e kotë, ku ëndrra amerikane duket sikur është motra e asaj shqiptare sepse në qiell shumë shpejt Shqiptari fluturon me punë. Në këto sofra, ku kemi nënën, babën, vëllain, motrën, gruan, djalin, vajzën, shokët, shoqet, e jo vetëm fizikisht, por dhe kujtimet që i japin kuptim ekzistencës. Gjëra që në emigrim, nuk i gjejmë dot, sado me ar të na mbulojnë. 

Sado me ar të na mbulojnë! 

Me siguri, këtë mendoi dhe Ismail Vlora, kur luftoi, luftoi se s’ishte punë. Trenave, vaporëve, sa në gjermanisht, rumanisht, anglisht e italisht. Jeta është e shkurtër vetëm për të ekzistuar, çdokush duhet të jetojë e të luftojë aty ku e ka vendin. E ne vendin e kemi të mirë. 

Nuk ka asnjë arsye, që na pengon për t’u bashkuar, dhe për të mos i zgjidhur problemet të gjithë bashkë. Të gjithë ne sot, mund të jemi Ismail Vlora.

Zgjidhja e vetme, është të mendojmë se kjo është zgjedhja e vetme! 

Si çdo Shqiptar që thotë dy fjalë në këtë ditë, edhe unë dua t’u them vëllezërve të mi, se këtu do jetoj, dhe këtu do të vdes, krenar shqipo! Kudo tjetër është vetëm turizëm dhe admirim i bukurive të kësaj bote.

Në këtë vigjilje të festës së flamurit sa herë të shihni forcën kuq e zi, kini kurajo, ai është gjaku ynë, puna jonë! Në vargjet e një poeti të mirënjohur:

“Ndër breza, historia na ka rritur luftëtarë. 

Gjithmonë do të jetë Shqipëria, sa të ketë dhe e gjak Shqiptar!”.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x