Ditën e djeshme u zhvillua një aktivitet shumë interesant dhe njëkohësisht sensibilizues mbi mirëqenien, kujdesin dhe adoptimin e kafshëve.
Në një nga pikat më të rëndësishme të kryeqytetit, në Kalanë e Tiranës, në hapësirën e familjes Toptani, u organizua një Adoption Day nga Anakin Pet Rescue, në bashkëpunim me PetVille, American Pet Hospital, trajnerët e Canfel dhe institucionin AKVMB.
Edhe pse Anakin Pet Rescue është një fondacion relativisht i ri, në një kohë të shkurtër ka arritur të ndërtojë një aktivitet të rëndësishëm në fushën e shpëtimit, kujdesit dhe adoptimit të kafshëve në nevojë. Përmes punës së vazhdueshme dhe bashkëpunimit me profesionistë e struktura të ndryshme, fondacioni po kontribuon gjithnjë e më shumë në ndërgjegjësimin e komunitetit dhe në krijimin e mundësive për kafshët që kërkojnë një familje.
Nga ana tjetër, American Pet Hospital është një strukturë e re në tregun veterinar shqiptar, por e konceptuar me standarde të larta profesionale dhe infrastrukturore, duke sjellë në Tiranë një qasje moderne ndaj kujdesit veterinar dhe një gamë të gjerë shërbimesh për kafshët.
Një nga profesionistet e pranishme ishte edhe Dr. Feride Yılmaz, veterinere nga Turqia dhe pjesë e ekipit të American Pet Hospital, me eksperiencë në mjekësinë interne, urgjencat, diagnostikën dhe onkologjinë veterinare.
Por ajo që e bën edhe më të rëndësishëm këtë bashkëpunim është fakti se mbështetja për kafshët e adoptuara nuk përfundon në momentin kur ato gjejnë familjen e tyre.
American Pet Hospital ofron gjithashtu lehtësime për qentë që adoptohen, duke e bërë procesin më të lehtë edhe për familjet e reja. Për shembull, një qenush i adoptuar mund të përfitojë check-up-in e parë falas, një mbështetje konkrete që mund të bëjë diferencën për një familje që sapo ka marrë vendimin për të adoptuar.
Janë pikërisht këto iniciativa që ndihmojnë në incentivimin e adoptimeve. Sepse adoptimi nuk duhet të jetë vetëm një akt emocional i momentit; familja duhet të ndihet e mbështetur edhe në hapat e parë të jetës së re që nis bashkë me kafshën.
Gjatë aktivitetit, qytetarët dhe turistët patën mundësinë të merrnin informacione mbi adoptimin, mirëqenien e kafshëve të rrugës, kujdesin veterinar dhe përgjegjësitë që vijnë me adoptimin e një kafshe.
Një pjesë e rëndësishme iu kushtua edhe pasaportizimit dhe dokumentacionit të kafshëve, ku përfaqësuesit e AKVMB-së shpjeguan procedurat dhe informacionet që duhet të dinë qytetarët.
Ndërkohë, trajnerët e Canfel sollën një tjetër aspekt shumë të rëndësishëm të mirëqenies së kafshëve: edukimin dhe trajnimin, duke treguar se një marrëdhënie e shëndetshme mes njerëzve dhe kafshëve ndërtohet edhe përmes komunikimit, edukimit dhe mirëkuptimit.
Ajo që e bëri këtë aktivitet veçanërisht të veçantë ishte bashkëpunimi mes strukturave të ndryshme.
Një fondacion, një strukturë veterinare, një pet shop, profesionistë të trajnimit dhe një institucion shtetëror u bashkuan në të njëjtën hapësirë për të përcjellë një mesazh të përbashkët: mirëqenia e kafshëve kërkon bashkëpunim.
Adoption Day në Kalanë e Tiranës ishte pikërisht një shembull i bukur i kësaj. Një aktivitet ku qytetarët dhe turistët mundën të njiheshin më nga afër me botën e kafshëve, të merrnin informacion të dobishëm dhe, pse jo, të takonin një kafshë që mund të bëhej pjesë e familjes së tyre.



- Berisha pa ftesë për ceremoninë e prezantimit të Wendt si ambasador i SHBA në Shqipëri, kreu i PD: Nuk jam ftuar as për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare - 26/09/2026
- Adoption Day në Kalanë e Tiranës: një ditë sensibilizuese për mirëqenien e kafshëve - 26/09/2026
- Teherani ofroi armëpushim 7-ditor, Wall Street Journal: Trump e refuzoi dhe kërkoi që bombardimet ndaj Iranit të vijojnë pas zgjedhjeve të nëntorit - 26/09/2026