Marrin një hov të ri përpjekjet e SHBA-së për t’i dhënë fund luftës në Ukrainës.
Të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, do të udhëtojnë këtë fundjavë drejt Rusisë dhe Ukrainës, me një propozim të ri për mbylljen e konfliktit më shumë se 4-vjeçar.
Witkoff dhe Kushner pritet të takohen sot në Moskë me presidentin rus Vladimir Putin, ndërsa të dielën do të udhëtojnë drejt Kievit, ku do të zhvillojnë bisedime me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Ata kanë me vete një propozim për t’i dhënë fund luftës”, deklaroi Trump, kur u pyet për misionin e të dërguarve të tij. Edhe Putin vetë ka shprehur së fundmi optimizëm të kujdesshëm për mundësinë e një marrëveshjeje paqeje. Në një forum ndërkombëtar ekonomik, ai tha se “ka mundësi” që të arrihet një marrëveshje. Witkoff dhe Kushner kanë udhëhequr përpjekjet diplomatike të administratës Trump për arritjen e një marrëveshjeje paqeje, por mes Moskës dhe Kievit mbeten ende dallime të thella.
Vizita në Ukrainë do të jetë e para për dy negociatorët amerikanë në kuadër të këtyre bisedimeve, ndërsa të dy kanë udhëtuar disa herë në Rusi. Në prag të vizitës, megjithatë, gjendja në terren mbetet e nderë. Presidenti Zelensky tha se një dron rus goditi zyrën e kreut të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, SBU, Oleksandr Poklad, në Kiev.
Poklad vetë nuk raportohet të jetë plagosur. Zelensky deklaroi se i ka kërkuar kreut të SBU-së t’i përgjigjet “në mënyrë të përshtatshme” sulmit. Ndërkohë, autoritetet ukrainase njoftuan se katër persona u vranë dhe pesë të tjerë u plagosën në një sulm rus ndaj qytetit Kamianske, në rajonin e Dnipropetrovskut.
- Të dërguarit e Trump mbërrijnë në Moskë, Vladimir Putin urdhëron armëpushim tre-ditor me Kievin - 05/09/2026
- Foto+Video/ Rrëzimi i ‘Phantom’ në Greqi, pamje dramatike nga vendngjarja, momenti kur avioni shpërthen në flakë - 05/09/2026
- Nënë Tereza, gruaja që, kur t’i ngulte sytë, të shikonte në shpirt… dhe të mbushte me dritë - 05/09/2026