Avioni që u rrëzua sot, në bazën ajrore të Tanagrës gjatë Athens Flying Week 2026, ishte një McDonnell Douglas F-4E AUP Phantom II i Forcave Ajrore Greke. AUP do të thotë Avionics Upgrade Program dhe versioni grek njihet edhe si Peace Icarus 2000.
Siç raporton korrespondenti i Top Channel Aleksandër Marku, Phantom po fluturonte në lartësi të ulët dhe u rrëzua përmbi pistën pak përpara uljes, duke shpërthyer në flakë. Shkaqet janë ende të panjohura.
Greqia mori Phantom-et e para në 1974; avionët grekë që u modernizuan më pas në standardin AUP vinin nga seritë e viteve 1970. Pra, Phantom-et që fluturojnë sot në Greqi janë në thelb avionë rreth 48–52-vjeçarë, por me sisteme elektronike të modernizuara.
Në 1997 Greqia nisi programin Peace Icarus 2000 për modernizimin e 39 avionëve; në fund u modernizuan rreth 36 F-4E.
Sipas inventarëve të hapur më të fundit të vitit 2026, Greqia kishte rreth 17 F-4E AUP në shërbim përpara aksidentit të sotëm jo të gjithë të gatshëm për fluturim.

Sa për çmimin, kur prodhohej, një F-4E i ri kushtonte rreth 2,4 milionë dollarë të vitit 1965.
Por avionët grekë u modernizuan shumë më vonë. Programi Peace Icarus 2000 kushtoi rreth 315 milionë dollarë/273,9 milionë euro për programin e 39 avionëve të planifikuar. Modernizimi përfshinte radar, kompjuter misioni, cockpit modern, sisteme navigimi dhe armatim të ri.
F-4E AUP GREK është avion supersonik, me dy motorë General Electric J79 dhe dy vende. F-4E arrin rreth Mach 2.2, ose afërsisht 2.300–2.370 km/orë, ka tavan fluturimi rreth 18 kilometra dhe peshë maksimale në ngritje afërsisht 28 tonë.

Ironia -paraqitja e Phantom-it në Athens Flying Week 2026 ishte paralajmëruar si një nga daljet e fundit publike të këtij tipi, pikërisht sepse Greqia po shkon drejt tërheqjes së tyre nga shërbimi.

- Të dërguarit e Trump mbërrijnë në Moskë, Vladimir Putin urdhëron armëpushim tre-ditor me Kievin - 05/09/2026
- Foto+Video/ Rrëzimi i ‘Phantom’ në Greqi, pamje dramatike nga vendngjarja, momenti kur avioni shpërthen në flakë - 05/09/2026
- Nënë Tereza, gruaja që, kur t’i ngulte sytë, të shikonte në shpirt… dhe të mbushte me dritë - 05/09/2026