Nga Avni Selmani
Kosova ka hyrë në një paradoks që do të duhej të na shqetësonte të gjithëve. Për dekada me radhë shqiptarët e Kosovës jetuan pa shtet dhe luftuan për liri, për të drejtën për të vendosur vetë dhe për ta pasur shtetin e vet. Sot, kur e kemi shtetin, do të duhej të ishim në një fazë krejt tjetër: te ekonomia, te arsimi, te prodhimi, te drejtësia dhe te ndërtimi i institucioneve të forta. Në vend të kësaj, Kosova vazhdon të sillet si një vend që ende nuk e ka krijuar kulturën shtetformuese dhe nuk e ka kuptuar çfarë do të thotë ta ndërtosh shtetin.
Kjo shihet më së qarti pas çdo palë zgjedhjesh. Në vendet normale, qytetari voton, fituesi merr përgjegjësinë për të qeverisur, humbësi kalon në opozitë. Në Kosovë ndodh e kundërta. Zgjedhjet mbarojnë, por beteja për pushtet vazhdon sikur verdikti i qytetarëve të mos vlejë asgjë. Edhe kur një parti del e para, institucionet vonohen, bllokohen ose lihen pezull, sepse partitë e tjera nuk sillen si opozitë demokratike, por si palë që bëjnë gjithçka për ta penguar formimin e institucioneve. Por përgjegjësia nuk mbaron këtu. Edhe partia që fiton zgjedhjet do të duhej të tregonte më shumë tolerancë dhe gatishmëri për kompromis, sidomos kur bëhet fjalë për çështje që e zhbllokojnë procesin, si zgjedhja e presidentit. Kur mungon kjo qasje, bllokohet i gjithë procesi dhe vendi mbetet pa institucione funksionale. Kjo nuk është demokraci normale. Kjo është mungesë e kulturës shtetformuese.
Fajtorët kryesorë për këtë gjendje janë vetë partitë politike. Ato kanë krijuar përçarje dhe hasmëri mes vete, të cilat me kohë janë reflektuar edhe te qytetarët. Në vend që të garojnë me programe, me zhvillim dhe me ide për ekonominë, vazhdojnë ta konsumojnë energjinë e vendit me bllokada, inate, kalkulime dhe beteja për poste. Dhe më e rënda është se kjo po ndodh në një vend që ka probleme shumë më të mëdha se egoja e partive: varfëri, ikje të të rinjve, arsim të dobët, shëndetësi të lodhur dhe mungesë të një drejtimi të qartë ekonomik.
Faj ka edhe heshtja e qytetarëve, e shoqërisë civile dhe e mediave, që po e shohin bllokimin e vendit si diçka normale dhe nuk reagojnë as kur Kosova mbetet pa institucione, as kur politika e mban peng shtetin me muaj e vite. Po aq e pashpjegueshme është edhe heshtja e klasës intelektuale, e akademisë, e shkencës, e ekspertëve të fushave dhe e atyre që do të duhej të ishin zëri kritik i shoqërisë. Nganjëherë krijohet përshtypja sikur Kosova as nuk ka klasë intelektuale, sepse ata nuk dëgjohen kur vendi hyn në bllokadë, kur institucionet mbeten pezull dhe kur politika e zhyt shtetin në krizë.
Kosova nuk ka më nevojë për një klasë politike që di vetëm të fitojë ose të bllokojë. Ka nevojë për një klasë politike që di të ndërtojë shtet, që e respekton verdiktin e qytetarit dhe që e kupton se shteti nuk mbahet peng për hesapet e askujt. Përndryshe, rreziku është i qartë: do të vazhdojmë të kemi flamur, himn, zgjedhje dhe institucione në letër, por jo shtet funksional. Dhe bashkë me këtë, do të vazhdojmë t’i tregojmë botës se ende nuk dimë, dhe nuk duam, ta ndërtojmë shtetin tonë. Kjo do të ishte goditja më e rëndë ndaj vetë kuptimit të shtetit për të cilin u sakrifikua aq shumë.
- 5 korrik 1946/ Bikini, veshja që tronditi botën, revolucioni i modës. - 05/07/2026
- Kosova, dikur pa shtet, sot pa kulturë shtetformuese - 05/07/2026
- Arkmorti në duart e protestuesve, reagon Rama: Para 20 vjetësh ishte me të vdekurin brenda, sot tubimi në duar e llapaqorrëve dhe çakejve nga Prishtina e Tetova - 05/07/2026