Nga Ethem Ruka
Në vitin 711, ushtritë myslimane nga Afrika e Veriut, të udhëhequra nga Tariq ibn Ziyad, kaluan ngushticën e Gibraltarit dhe pushtuan një pjesë të gadishullit Iberik. Pas këtyre pushtimeve, territoret e marra morën emrin Al-Andalus (Andaluzia e sotme) dhe, për një kohë të gjatë, përfshinë pjesën më të madhe të Spanjës dhe një pjesë të Portugalisë. Ky shtet u shndërrua në një nga rajonet më të ndritura të qytetërimit mesjetar, ku bashkëjetonin arabë, berberë dhe popuj vendas.
Kalifati Umajad, një shtet islamik me karakter fetaro-politik, ku kalifi bashkonte në duart e tij pushtetin shtetëror dhe autoritetin fetar, zgjodhi si kryeqendër qytetin e Kordoba, të themeluar nga romakët që në shekullin e dytë p.e.s.
Ky qytet, pak nga pak, u shndërrua në një nga metropolet më të mëdha dhe më të ndritura të Mesjetës. Në kulmin e zhvillimit të tij, Kordoba kishte rreth një milion banorë, në një kohë kur Roma nuk kishte më shumë se 50 000 banorë, ndërsa Londra vetëm rreth 18 000. Për më tepër, ajo numëronte rreth 200 000 shtëpi, 600 xhami, 900 banja publike, 80 shkolla, 27 institucione të arsimit të lartë dhe mbi 300 biblioteka që përmbanin rreth një milion libra.
Pikërisht në këtë periudhë, në veriperëndim të Kordobës u ngrit qyteti-pallat Madinat al-Zahra, i cili u bë simbol i lavdisë së Kalifatit Umajad. Në këto pallate të zbukuruara sipas stilit arab, në kopshtet e lulëzuara dhe në oborret ceremoniale, bashkoheshin pushteti, arti dhe dija. Kjo ishte arsyeja që artistë, dijetarë dhe mjekë nga më të njohurit e botës islame vinin këtu dhe sillnin me vete përvojën dhe dijet më të mira.
Në këtë mjedis të pasur, në vitin 936 lindi Abu al-Qasim al-Zahraëi, të cilit historia më vonë do t’i rezervonte një vend nderi në majat e mjekësisë botërore. Ishte koha kur në një pjesë të madhe të Europës kirurgjia konsiderohej ende si një zanat i berberëve dhe kasapëve.
Për fëmijërinë e tij dihet shumë pak, pasi një pjesë e madhe e dokumenteve humbën pas shkatërrimit të Al-Zahrës gjatë trazirave dhe konflikteve midis mbretërive të krishtera dhe shteteve myslimane të Al-Andalusit. Vetëm rreth gjashtë dekada pas vdekjes së tij u hartua një biografi nga al-Humaydi, e cila hedh dritë, sado të kufizuar, mbi vitet e tij të hershme.
Një gjë është e sigurt: ai u rrit në një botë ku dija çmohej si pasuria më e madhe për njeriun. Udhërrëfyesit e tij më të vyer në fushën e mjekësisë ishin veprat e Hipokratit dhe Galenit, por mbi të gjitha, puna me të sëmurët u bë mësuesi i tij më i madh.
Vite më von ai do të shkruante: “Çfarëdo që di, ia detyroj leximit të kujdesshëm të librave të të parëve dhe dëshirës për ta kuptuar këtë shkencë; kësaj i kam shtuar edhe vëzhgimet dhe përvojën e gjithë jetës sime.”
Një ndër arritjet më të mëdha të Kalifatit Umajad ishin spitalet, të cilat ofronin shërbim falas për çdo qytetar, pavarësisht nga pozita shoqërore. Ato ishin të organizuara në pavione të veçanta për burra dhe gra, si dhe sipas llojeve të sëmundjeve. Po ashtu, çdo spital kishte edhe farmacinë e vet, duke siguruar kujdes të plotë për pacientët.
Në këtë mjedis filloi të ushtronte profesionin e tij si mjek dhe kirurg edhe Abu al-Qasim al-Zahrawi. Aty ai praktikoi kirurgjinë gjatë gjithë jetës së tij, deri pak para vdekjes. Jo vetëm kaq, por ai shërbeu edhe si mjek personal i kalifit Al-Nasir.
Abu al-Qasim al-Zahrawi konsiderohet si një nga kirurgët më të mëdhenj, me kontribute origjinale të panjohura më parë. Ai mbeti jo vetëm për Mesjetën, por edhe për Rilindjen europiane, një ndër mësuesit më të mëdhenj të kirurgjisë.
Gjithçka që arriti si mjek novator, ai e hodhi në letër në veprën e tij monumentale At-Tasrif, (Mbi shëndetin) një enciklopedi mjekësore në 30 vëllime, e ndërtuar mbi përvojën e tij pesëdhjetëvjeçare në praktikë dhe mësimdhënie. Në të përfshihen jo vetëm kirurgjia, por edhe ortopedia, obstetrika e gjinekologjia, oftalmologjia, farmakologjia dhe ushqyerja. Kjo vepër mendohet se u përfundua rreth vitit 1000.
Vëllimi i fundit i veprës At-Tasrif, kushtuar kirurgjisë, përbën një nga arritjet më të mëdha të mjekësisë mesjetare, pasi ishte traktati i parë i pavarur kirurgjikal i shkruar në mënyrë të detajuar dhe i shoqëruar me rreth 200 ilustrime të instrumenteve, shumica të shpikura nga vetë Abu al-Qasim al-Zahrawi.
Në këtë vepër ai paraqiti me qartësi një gamë të gjerë teknikash dhe ndërhyrjesh, duke vendosur themelet e praktikës moderne kirurgjikale. Nëpërmjet saj, ai trajtoi një shumëllojshmëri të madhe rastesh, që nga plagët dhe frakturat, deri te ndërhyrjet obstetrike, kirurgjia e syrit dhe heqja e kataraktit.
Ai përshkroi gjithashtu ndërhyrje të tilla si heqja e bajameve, trakeotomia, operacionet në enët e gjakut, nxjerrja e shigjetave dhe vendosja e kockave në fraktura të thjeshta e të ndërlikuara. Po ashtu, trajtoi procedura më të veçanta, si devijimi i urinës në zorrën e trashë, si dhe u mor me trajtimin e sëmundjeve të trashëguara si hemofilia, duke paraprirë me shekuj zhvillimet e mëvonshme në Europë.
Për më tepër, ai promovoi përdorimin e antiseptikëve për plagët dhe dëmtimet e lëkurës, si dhe përdori qepje të bëra nga zorrë kafshësh, mëndafsh, lesh dhe materiale të tjera.
Ai shkroi gjerësisht edhe për dëmtimet e kockave dhe nyjeve, duke përmendur madje edhe frakturat e kockave të hundës dhe të shtyllës kurrizore; madje një metodë e njohur më vonë si “metoda e Kocher-it” për vendosjen e shpatullës së zhvendosur ishte përshkruar prej tij shumë kohë përpara se të lindte vetë Kocher.
Në kapitullin e 11-të të vëllimit të 30-të të veprës së tij, ai paraqiti parimet kryesore të kirurgjisë plastike, veçanërisht të ndërhyrjeve për zvogëlimin e gjirit dhe trajtimin e sëmundjeve të qepallave. Një ndër risitë më të rëndësishme ishte përdorimi i shenjimit paraprak të prerjeve në trupin e pacientit me bojë para operacionit, një praktikë që sot është bërë standard rutinë në kirurgji.
Kontribute të veçanta dha edhe në stomatologji, ku përshkroi teknika për nxjerrjen e dhëmbëve dhe përdorimin e telave prej ari dhe argjendi për stabilizimin e tyre.
Ndikimi i tij u përhap gjerësisht pasi vepra e tij At-Tasrif u përkthye në latinisht në shekullin XII, duke u shndërruar në një referencë themelore për kirurgët europianë për shumë shekuj. Me ringjalljen e interesit europian për shkencën mjekësore, kjo vepër fitoi një popullaritet të madh dhe u përkthye disa herë në latinisht.
Kështu, Abu al-Qasim al-Zahrawi, ky mjek i talentuar në fushën e kirurgjisë, arriti që brenda një jete të ndryshojë rrjedhën e mjekësisë. Ai ishte një mendje e ndritur, që kapërceu kufijtë e kohës, duke u bërë një urë ndërlidhëse mes lashtësisë dhe qytetërimit modern.
Në çdo instrument të përshkruar, në çdo ndërhyrje të shpjeguar dhe në çdo këshillë për kujdesin ndaj pacientit, ai la gjurmën e një njeriu që e shihte mjekësinë jo vetëm si shkencë, por edhe si mision.
Edhe pse koha ka tretur zërin e epokës në të cilën jetoi, vepra e tij vazhdon të flasë. Ajo jeton në sallat e operacionit, në duart e kirurgëve dhe në çdo përpjekje për të shpëtuar jetën e njeriut.