3.5 C
Tirana
26 / 12 / 2025

Zgjedhjet në Kosovë, për kë të votojmë?

Nga Avni Selmani

Mes meritave të dikurshme dhe realitetit të sotëm
Në këto ditë fushate pamë gjithçka përveç një debati serioz për të ardhmen e vendit. Premtime pa mbulesë, populizëm, akuza të ndërsjella dhe rikthim të vazhdueshëm te e kaluara. Secila parti nxori në pah disa “suksese” të dikurshme njëra thotë se e ka çliruar vendin, tjetra se e ka formuar ushtrinë, një tjetër se e ka çliruar Mitrovicën. Këto pohime përsëriten prej vitesh dhe përdoren si argument kryesor për të kërkuar votën, pa ofruar ndonjë program afatgjatë dhe të mirëfilltë ekonomik dhe pa asnjë ndjenjë përgjegjësie për gjendjen aktuale të vendit.
Problemi është se politika nuk mund të jetojë pafundësisht nga e kaluara. Statistikat për gjendjen reale në Kosovë tregojnë një pamje krejt tjetër nga ajo që serviret në fushata. Kosova vazhdon të jetë vendi më i varfër në Evropë. Në arsim, rezultatet e testit PISA e rendisin Kosovën në fund të listës. Në korrupsion dhe sundim të ligjit, besimi në institucione mbetet i ulët dhe problemet janë të vazhdueshme. Ndërkohë, një pjesë e madhe e popullsisë jeton jashtë vendit, duke e bërë Kosovën një rast ekstrem në Evropë për ikjen e të rinjve dhe migrimin masiv. Përballë kësaj situate alarmante, nuk shihet ndonjë shqetësim serioz as te klasa politike, por fatkeqësisht as te qytetarët.
Në këtë realitet, programet zgjedhore do të duhej të ofronin zgjidhje të qarta dhe të matshme. Por gjatë fushatës nuk pamë plane serioze që tregojnë se si Kosova mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Nuk pamë ndonjë program për vënien në funksion të resurseve ekonomike, veçanërisht të minierave, as ndonjë qasje të qartë për nxitjen e investimeve të huaja apo për krijimin e një klime të besueshme për biznes. Nuk pamë ide konkrete për prodhimin vendor, për hapjen e vendeve të reja të punës, për mbështetjen reale të bizneseve apo për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve. Në vend të kësaj, pamë vetëm garë se kush flet më shumë për të kaluarën dhe kush e përdor atë si mburojë politike.
Debati po kthehet vazhdimisht te e kaluara dhe jo te zgjidhjet për të ardhmen. Pyetja mbetet e thjeshtë a po votojmë për atë që ishte dikur, apo për atë që duhet të bëhet sot. Nëse vazhdojmë të votojmë pa kërkuar llogari, atëherë nuk po zgjedhim ndryshim, por po e pranojmë këtë gjendje.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x