Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka mbajtur fjalim në samitin e shtatë shteteve më të industrializuara (G7), dhe u ka bërë thirrje liderëve botërorë që të bllokojnë sektorin rus të energjisë me sanksione tjera, për t’ia pamundësuar përfitimet financiare.
Gjatë fjalimit, Zelensky theksoi se nuk mund të ketë dialog me presidentin rus, por mund të ulen në bisedime me një tjetër lider rus që respekton Kartën e OKB, si edhe integritetin territorial të Ukrainës. Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm rus ka deklaruar që janë të hapur për bisedime me SHBA-në.
Zelensky gjithashtu propozoi vendosjen e një “misioni vëzhgues ndërkombëtar” në kufirin midis Ukrainës dhe Bjellorusisë, një aleat kyç i Rusisë.
Liderët e G7 dënuan sulmet brutale të Rusisë ndaj Ukrainës, ndërsa u zotuan se Putin dhe udhëheqësit rus do të mbajnë përgjegjësi. G7 tha se do të vazhdojë të vendosë sanksione të mëtejshme ekonomike ndaj Rusisë dhe përsëriti thirrjen e saj ndaj autoriteteve bjelloruse që “të ndalojnë së mundësuari luftën ruse të agresionit”. Ky takim i G7 vjen një ditë pasi Rusia nisi një valë sulmesh me raketa në të gjithë Ukrainën, në atë që shihet si një përshkallëzim i luftës.
Sot ka pasur sulme të tjera në qytetin perëndimor të Lviv, ku raketat ruse kanë goditur termocentralet e energjisë, duke ndërprerë energjinë elektrike.