Nga Eduard Zaloshnja
Në qoftë se do të ishin zhvilluar zgjedhje të djelën, vetëm 52.6% e banorëve të rritur të vendit do të kishin votuar. Kështu rezultoi nga sondazhi që zhvillova në fundjavë. Dhe meqë kampioni i sondazhit i përfaqësonte 1.9 milionë banorët e rritur demografikisht, gjeografikisht dhe politikisht, mund të ekstrapolohet me afërsi se vetëm 1 milionë prej tyre do të kishin votuar (52.6% e 1.9 milionë).
Nga 1 milion që ishin gati të votonin të djelën, rreth 670 mijë ia jepnin votën PS-së dhe rreth 330 mijë partive të tjera (PD, PL, PR, PDIU, PAA, PBDNJ, PSD, Bashkë, Mundësia, Nisma Bëhet, etj, etj.). Kurse rreth 900 mijë nuk do të votonin fare (shihni grafikun 1).

Për krahasim, vjet më 11 maj, votuan në Shqipëri për PS-në rreth 765 mijë banorë të rritur (rreth 30 mijëve u rezultuan votat e pavlefshme prej fletëvotimeve si fleta gazetash). Për partitë e tjera të sipërcituara votuan rreth 700 mijë (rreth 27 mijëve u rezultuan votat e pavlefshme). Kurse rreth 435 mijë nuk votuan fare (shihni grafikun 2).
