18.8 C
Tirana
10 / 10 / 2026

Sa Maricarmen ka sot në Shqipëri?

Nga Skënder Minxhozi

Një grua 87-vjeçare spanjolle ka qenë javët e fundit heroina e mediave vendase dhe botërore, duke i dhënë hov një krize politike që po largon të majtën nga pushteti në gadishullin iberik. Maricarmen Abascal, pensionstja spanjolle 87 vjeçare që u nxorr forcërisht në 23 shtator nga shtëpia se nuk paguante dot qeranë e ngritur, u bë simboli i një krize sociale të thellë në Spanjë, sepse në fund të jetës ajo humbi shtëpinë ku kishte jetuar për 70 vite. Një dramë personale e cila u miksua me situatën e rëndë ku mijëra spanjollë nuk janë në gjendje të kapin fundin e muajit për shkak të krizës ekonomike dhe pagave të pamjaftueshme.

Disa mijëra kilometra më në lindje, në Shqipërinë tonë qindra mijëra të moshuar, invalidë e të papunë në zonat urbane e rurale përballen çdo ditë në heshtje me dilemat ekonomike të zonjës së moshuar spanjolle. Mbijetojnë me pensione e pagesa sociale që nuk u garantojnë as mbijetesën mujore. Në një Shqipëri që vetëmburret me buxhetin prej dhjetë miliard eurosh, një shtresë e madhe gri e shoqërisë as flet, as dëgjohet dhe as shikohet. Jeton në anonimat një mbijetesë të komplikuar ku dyqani i lagjes, farmacia dhe zyra e pensionit është metafora e vuajtjes së përditshme.

E moshuara Maricarmen merrte një pension prej rreth 1.400 eurosh në muaj. Me to kishte paguar me rregull qiranë prej 500 eurosh, recetat e ilaçeve dhe faturat e tjera. Nxirrte muajin në pritje për të ikur nga kjo botë, deri ditën kur pronarët e ndërtesës i vunë përpara një faturë të re qeraje: 2650 euro në muaj! Një shifër e çmendur për çdo pensionist të këtij globi. Maricarmen u detyrua ta linte shtëpinë. Fotoja e saj teksa e nxjerrin nga shtëpia në karrocë invalidësh u bë dëshpërimisht virale në të gjithë botën. Dhe megjithëse reagimi i fortë i opinionit publik i detyroi palët që të ofronin një marrëveshje për ta lejuar të kthehej në shtëpi, ajo nuk e pa më kurrë derën e banesës 70 vjeçare. Vdiq në spital në 7 tetor, e pastrehë dhe e pashpresë.

Maricarmen Abascal u kthye në një imazh simbol i krizës sociale që kalon sot kontinenti evropian. Në një vend si ky i yni, i cili krizat i ka të ngritura në fuqi të dytë apo të tretë për arsye të kuptueshme, personazhe anonimë si kjo grua fisnike në varfërinë e saj, ka plot dhe kudo. Mjafton të trokasësh në derën, katin apo pallatin përballë. I gjen në Tiranë, në qytetet e tjera të mëdha, në provincë patjetër dhe me shumicë. Pleq, invalidë, persona të mbetur vetëm me bashkëshortë të vdekur apo fëmijë në emigracion ose që thjesht i konsiderojnë prindërit si një “barrë e lagur”.

Nuk ka nevojë që mediat të shkojnë e të gërmojnë ndonjë Maricarmen nëpër rrugët e Tiranës apo Shkodrës. E para për mediat ky është një subjekt pa peshë dhe “pa klikime”. E dyta jetojmë prej dekadash të zhytur në kulturën cinike e cila thotë se të merresh me dikë që ka nevojë është humbje kohe. Figurativisht sot mosha e tretë në Shqipëri është e gjitha e ulur në karrocën e invalidit të Maricarmen. Dhe arsyeja bazë e këtij rrënimi social ku jemi zhytur qëndron e gjitha tek cinizmi financiar që përdoret sot ndaj një mase të stërmadhe njerëzish që nuk kanë mjaftueshëm për t’u ushqyer. E jo më të për të blerë ilaçe, për t’u veshur apo për të tjera rituale të jetës së përditshme. Fiton gjithmonë Shqipëria e bareve, restoranteve dhe dolce vita-s, jo ajo e azileve, spitaleve apo e skutave ku konsumohen funde jetësh njerëzore të cilave shumëkush refuzon edhe t’u hedhë një vështrim.

Sot në Shqipëri 540 mijë pensionistë marrin 200 euro e poshtë në muaj. Kjo shumë përfaqëson rreth 6,7 euro në ditë. Nuk ka nevojë të marrësh vesh nga ekonomia për të kuptuar se çfarë do të thotë kjo shumë për një njeri që duhet të paguajë ushqimin, energjinë, ujin, transportin dhe shpenzimet shëndetësore. Duke qenë në një moshë kur të gjitha këto janë më të nevojshme se për një 30 apo 40 vjeçar.

Nëse pensionisti ka fatkeqësinë të jetojë vetëm, jeta e tij duhet të rrjedhë fjollë në një moshë kur ajo asnjëherë  nuk shkon fjollë. Çdo shpenzim i paparashikuar mund të përmbysë buxhetin e muajit, ndërkohë që edhe ashtu, i “shëndetshëm”, ai duhet të hajë e të pijë tre herë në ditë gjatë një muaji me më pak se 200 mijë lek të vjetra. Dhe kjo nuk është një çështje thjesht aritmetike. Mbi të gjitha është çështje dinjiteti.

Kur një i moshuar vendoset në dilemën egzistenciale që të zgjedhë mes ushqimit dhe një ilaçi, kemi të bëjmë faktikisht me kufizimin e lirisë së tij për të jetuar. As më pak as më shumë!

Dhe si gjithmonë djalli fshihet tek detajet. Shifra prej 500 mijë personash me 200 euro në muaj nuk është e gjitha e tillë. Kategoritë e përfituesve dhe shumat e pensioneve ndryshojnë. Në vitin 2026, thonë të dhënat zyrtare pensioni mesatar në shkallë vendi ishte 19.053 lekë, ndërsa pensioni mesatar urban ishte 20.001 lekë e ai rural 12.148 lekë. Edhe brenda varfërisë ka “hierarki”. Ka të varfër, por ka edhe të mjerë.

Problemi i madh i Shqipërisë është se varfëria sot është normalizuar. Aq sa edhe një qeverisje e majtë, gjenetikisht dhe historikisht e fokusuar tek shteti social dhe idealet e ndihmës e përkrahjes ndaj atyre në vështirësi, sot e gjen veten të ftohtë dhe shpërfillëse përballë krizës së thellë sociale për të cilën është edhe ajo vetë përgjegjëse.

Kjo qeverisje sot e ka zyrtarizuar si koncept fjala vjen, se duhet të jetë normale që një njeri të punojë katër apo pesë dekada dhe sërish të mos ketë siguri ekonomi në moshën më delikate kur i duhet kjo siguri. Është një kulturë e mospërfilljes që ka normalizuar edhe konceptin tjetër skandaloz i cili e konsideron të pashmangshme që një pensionist të varet me patjetër nga paratë që i dërgojnë fëmijët nga SHBA apo Evropa e Britania e Madhe. Se ç’duhet të bëjnë ata që nuk kanë fëmijë, këtë s’e thotë askush. Sepse i duket e parëndësishme, episodike, jo përfaqësuese.

Maricarmen shqiptare nuk merr sot 1400 euro në muaj. Merr një të shtatën apo më pak të kësaj shifre. Ajo përballet me një botë ku e ku më të egër dhe shpërfillëse se simotrat e saj në Spanjë, Itali apo vende të tjera të Evropës ku bëhemi gati të aderojmë. Maricarmen shqiptare është sot hipoteka e rëndë të cilën s’do ta shërojë askush, e një tranzicioni të egër e pa shpirt ku ai që “ngul hurin” fiton. Të tjerët vdesin në hije, pa zë, pa emër dhe pa fytyrë.

Shteti shqiptar ka një borxh të madh social ndaj një pjese të konsiderueshme të shtetasve të vet, borxh të cilin po refuzon ta shohë, ta njohë, ta vlerësojë dhe ta shërojë. Maricarmenat shqiptare hyjnë e dalin spitaleve, azileve apo përfundojnë në banesën e fundit pa e ciflosur indiferencën e shtetit për situatën  sociale urgjente ku ndodhet sot një pjesë e Shqipërisë reale. E asaj Shqipërie që nuk del në lajme siç doli Maricarmen dhe që çoi një shtet 50 milionësh në zgjedhje të parakohshme.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x