Në një takim me strukturat e Partisë Socialiste në Kamzë, me fokus tek zgjedhjet e 14 Majit, drejtuesi politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, tha se në këto 4 vjet qyteti i Kamzës është kthyer në model, për të gjitha investimet në kopshte, çerdhe, shkolla etj. I shoqëruar nga deputetja e PS, Lindita Nikolla dhe kryetari i Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, Veliaj shtoi se Tirana dhe Kamza janë si dy mushkëri ekonomike, ndërsa në 14 maj njerëzit duhet të shohin punën e mirë që ka bërë këto 4 vjet kryebashkiaku Rakip Suli.
“E them me krenari, si në Tiranë, edhe në Kamzë, kemi dy mushkëri ekonomike, biznesi, arsimi dhe të një zhvillimi të jashtëzakonshëm urban. Sot familja jonë në Kamzë është model, është e balancuar dhe është gati për fitore në datën 14 maj, edhe për të gjitha punët që do të vijnë më pas. Unë jam shumë krenar për atë që ka bërë Rakipi në 4 vjet. Unë në Tiranë kam pasur dyfishin e kohës, por transformimi në Kamzë ka ndodhur vetëm në 4 vite”, tha Veliaj.
Për kundërshtarët politikë, Veliaj tha se ata janë ‘vulëhumbur’, që kanë hallin e tyre dhe jo të popullit dhe se Kamzën e shohin si një depozitë për sherr në bulevard.