16.5 C
Tirana
22 / 04 / 2026

Udhëtim që zbulon papninë

Vizita në Afrikë po zbulon zemrën misionare të Leonit XIV dhe fytyrën e një Kishe që i afrohet vuajtjeve të njerëzimit

Nga Andrea Tornielli


Dita e parë e udhëtimit të Leonit XIV në Afrikë, e edhe dy pasueset e tjera, u karakterizuan, në këndvështrim mediatik, nga komentet mbi deklaratat e Presidentit Donald Trump. Ishte një polemikë që vetë Papa u përpoq ta rivlerësonte, në mënyrë që çdo fjalë e thënë gjatë udhëtimit të interpretohej në termat e marrëdhënieve ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shtëpisë së Bardhë.

Kaloi, kështu, në plan të dytë, e gati-gati u harrua, një frazë veçanërisht domethënëse, që Pasardhësi i Pjetrit e theksoi në mëngjesin e së hënës, 13 prill, në përshëndetjen e tij të parë për gazetarët gjatë fluturimit që sapo ishte nisur e që po e çonte në Algjeri: ky i Afrikës “do të duhej të ishte udhëtimi i parë i papnisë”. “Që vitin e kaluar, në muajin maj, pata thënë se udhëtimin tim të parë do të doja të bëja në Afrikë”.

I sapo zgjedhur, Leoni XIV ua shprehu bashkëpunëtorëve të tij këtë dëshirë të veçantë, që në fund të fundit nuk mundi ta realizonte për arsye logjistike, por që flet shumë për mënyrën si e koncepton misionin e tij Papa i parë i lindur në Amerikë. Nuk duhet të harrojmë një aspekt themelor të jetëshkrimit të Robert Francis Prevost: ishte rregulltar misionar, karakteristikë unike dhe e rrallë në historinë e shekujve të fundit të papnisë.

Leoni shërbeu për shumë vite si misionar e famullitar në Peru, e më pas u kthye atje për t’u bërë ipeshkëv, me dëshirën e Papës Françesku. Në dritën e kësaj thirrjeje mund ta kuptojmë dëshirën për udhëtimin e tij të parë në Afrikë, si dhe atë që po ndodh këto ditë, me Papën buzagaz dhe të qetë, ndërsa ndjek këngët ritmike dhe vallet tradicionale që shoqërojnë kremtimet eukaristike; e ndërsa i kushton shumë kohë edhe takimit e përqafimit të të vegjëlve, si dhe shtrëngimit të duarve e përshëndetjeve. Por, mbi të gjitha, flet për risinë e Ungjillit, i cili i takon kulturat dhe popujt, duke u bërë forcë lëvizëse për paqe dhe ndryshim.

Kjo u pa në Bamenda të Kamerunit, ku Ipeshkvi i Romës arriti për të mbështetur ndërtimin e paqes dhe bashkëjetesës në një kontekst të shënuar në mënyrë dramatike nga lufta civile. Apo në Yaoundé, kur, duke iu drejtuar botës universitare, foli për rëndësinë e “formimit të ndërgjegjeve të lira dhe të shenjta e të shqetësuara” si “kusht që feja e krishterë të duket  propozim plotësisht njerëzor, e aftë ta shndërrojë jetën e individëve dhe të shoqërisë si dhe të shkaktojë ndryshime profetike në lidhje me tragjeditë dhe varfërinë e kohës sonë”.

Nuk është e rastit që Leoni XIV e quajti ringjalljen dhe thellimin e nxitjes apostolike të Françeskut Evangelii Gaudium, si programin e punës për koncistorin e ardhshëm. Ai dokument programatik i paraardhësit të tij, përvjetori i parë i vdekjes së të cilit ndodhi dje, i rekomandohet edhe një herë Kishës sepse sqaron thelbin e misionit të saj: kerygmën, domethënë shpalljen e thelbit të fesë; fytyrën e një Kishe që di të jetë pranë atyre që vuajnë, duke ndarë bashkë tragjeditë e njerëzimit dhe angazhimin për ta shndërruar shoqërinë në një mënyrë më njerëzore e më të drejtë. Një Kishë, siç e kemi lexuar në nxitjen apostolike Dilexi te, që e njeh dashurinë për të varfrit si pjesë themelore të mesazhit të krishterë, sepse “kontakti me kë nuk ka pushtet as madhështi, është mënyrë themelore për t’u takuar me Zotin e historisë”.

Këmbëngulja për paqen, për kthimin në negociata dhe për respektimin e së drejtës ndërkombëtare – ndërhyrje që kanë provokuar reagime ditët e fundit – janë pjesë e këtij konteksti. Ndihmojnë për të sqaruar, edhe një herë, natyrën e shërbimit të Kishës e, në veçanti, atë të Pasardhësit të Pjetrit, i cili vepron jo si politikan, por si bari! Por është e natyrshme të jetë bari e, larg çdo reduktimi spiritualist dhe të pamishëruar, të ketë në zemër paqen, drejtësinë, dialogun, takimin, ndërtimin e shoqërive më të drejta, afërsinë me ata që persekutohen ose diskriminohen, afërsinë me viktimat e pafajshme të luftës, profecinë e atyre që kujdesen për fatin e njerëzimit në këtë “orë dramatike të historisë”.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x