Çmimi tavan për blerjen e naftës ruse ka shkaktuar pa dashje një bllokim të anijeve që transportojnë karburant në ujërat pranë Stambollit, ndërsa Ankaraja vendos rregulla të reja pavarësisht trysnisë perëndimore.
Që nga hyrja në fuqi e çmimit tavan për naftën ruse, Ankaraka ka kërkuar që të gjitha anijet cisterna, që përdorin ngushticën e Bosfori të jenë të pajisura me siguracione.
Dhjetëra nga anijet më të mëdha në botë të transportit të naftës janë bllokuar në ujërat pranë Stambollit, pre e mospajtimeve në rritje mes Turqisë dhe aleatëve perëndimorë.
Që nga hyrja në fuqi e çmimit tavan për blerjen e naftës ruse, Ankaraja ka kërkuar që të gjitha anijet që përdorin ngushticën e Bosforit pranë Stambollit të kenë siguracione.
Ekspertët thonë se kjo është domosdoshme duke patur parasysh rreziqet që mund t’i vijnë qytetit më të madh të Turqisë.
Zëri i Amerikës bisedoi me konsulentin për energjinë Mithat Rende, i cili më parë ka shërbyer si ambasador i Turqisë në Katar.
“Anijet e transportit të naftës duhet të kenë siguracione për mallrat që transportojnë, në rast aksidentesh, si përplasjet, apo derdhjet e naftës. Duhet patur parasysh se anijet kalojnë pranë një qytetit si Stambolli, ku jetojnë 16 milionë banorë. Problemi qëndron tek derdhjet e naftës dhe përplasjet”.
Sanksionet e reja kundër Moskës i ndalojnë kompanitë e sigurimeve që t’u shesin siguracione anijeve cisterna nëse nafta ruse që transportojnë shitet mbi kufirin e çmimit tavan.
Kompanitë perëndimore të sigurimeve argumentojnë se kërkesa e Ankarasë për siguracion të përgjithshëm mund t’i ekspozojë ato ndaj sanksioneve, nëse ngarkesa e anijes shkel kufirin ndërkombëtar të çmimit.
Ndërsa Ankaraja u ka kërkuar të gjitha anijeve cisternë që të blejnë siguracione, përfshirë ato që nuk transportojnë naftë ruse, Uashingtoni është shprehur i zhgënjyer. “Kemi komunikuar me Turqinë për mënyrën se si kufiri i çmimit zbatohet vetëm për naftën ruse. Kemi shpjeguar se çmimi tavan nuk kërkon kontrolle shtesë në anijet që kalojnë nëpër ujërat turke. Praktikisht të gjitha anijet e bllokuara nuk po transportojnë naftë ruse dhe nuk preken nga rregulli i çmimit tavan”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre