Pogradeci njihet gjerësisht për liqenin, por ky qytet nuk frekuentohet nga turistët vetëm në verë. Qyteti liqenor mbetet gjithmonë një destinacion i preferuar edhe në stinën e dimrit, sidomos kur ka reshje bore.
Sipas nënkryetares së bashkisë Entela Gusho, ky sezon turistik dimëror ka qënë i suksesshëm. Pavarësisht mungesës së reshjeve të borës, të shumtë kanë qënë ata që kanë zgjedhur të vizitojnë Pogradecin gjatë stinës së dimrit.
Kryesisht kanë qënë vizitorë vendas nga qytete të ndryshme të Shqipërisë por edhe nga Kosova, të cilët janë ndalur në Pogradec dhe fshatrat turistikë të kësaj bashkie gjatë fundjavave.
Këtë sezon dimëror sipas Gushos, referuar të dhënave nga operatorët turistikë, Pogradeci ka patur një fluks të shtuar turistësh, duke shënuar një rritje me gati 20% të numrit të tyre krahasuar me vitin e kaluar, pa llogaritur këtu turistët ditorë.
Jo vetëm qyteti i Pogradecit por edhe fshatrat turistikë të Tushemishtit dhe Linit këtë vit kanë tërhequr një numër të konsiderueshëm turistësh vendas e të huaj.
Vetëm fshati Tushemisht ka një kapacitet akomodues hotelerie që shkon deri në 800 vende, ndërkohë që vitet e fundit ka patur rritje të kapacitetit akomodues edhe në fshatin Lin, kryesisht me hapjen e bujtinave të reja.