Një grua nga Nju Jorku akuzon FIFA-n se i detyrohet më shumë se 9 mijë dollarë, pasi një përpjekje për të blerë bileta për Kupën e Botës 2026 përfundoi me një pagesë të gabuar dhe me premtime për rimbursim që nuk u mbajtën. Lajmi raportohet nga mediat amerikane.
Ngjarja nisi në tetor të vitit 2025, kur Christina Anne tentoi të blinte vetëm dy bileta për kompeticionin, me vlerë 3.700 dollarë. Megjithatë, ajo u përball me një surprizë të pakëndshme: në kartën e saj të kreditit u debitua shuma 9.250 dollarë, që korrespondonte me pesë bileta, e jo me dy siç kishte kërkuar.
Menjëherë pas pagesës së papritur, Christina kontaktoi FIFA-n, duke dërguar prova të qarta të gabimit. Për shkak të mungesës së përgjigjes, ajo iu drejtua edhe bankës së saj, Chase Bank, por pa rezultat. Vetëm pas një jave FIFA reagoi, duke ofruar një zgjidhje që ankimuesja e cilësoi absurde.
“Më thanë se mund të më rimbursonin për tri nga pesë biletat”, shpjegoi Christina, duke cituar një e-mail nga organizata. “Por për ta bërë këtë, duhej të paraqisja një kërkesë të re për dy bileta të tjera dhe vetëm më pas do të më rimbursonin për pesë”. Ideja për të blerë gjithsej shtatë bileta për të marrë rimbursimin u refuzua menjëherë.
Situata u përkeqësua edhe më shumë nga fakti se biletat e debituara nuk shfaqeshin fare në llogarinë e saj në FIFA, çka do të thoshte se ajo nuk mund t’i përdorte, edhe sikur të vendoste t’i mbante. Përpjekjet për zgjidhje pranë FIFA-s dhe Chase Bank vazhduan.
Më vonë, një menaxher i FIFA-s e informoi se rimbursimi ishte procesuar më 3 dhjetor 2025, por paratë nuk mbërritën kurrë në llogarinë e saj. Pavarësisht pritjes deri në Krishtlindje, rimbursimi nuk u realizua dhe çështja u mbyll. Në një përditësim të mëvonshëm, Christina tregoi se banka i kishte komunikuar se nuk mund të bënte asgjë, ndërsa FIFA e kontaktoi sërish dy herë duke premtuar pagesën, e cila ende nuk ka ndodhur.
E indinjuar, ajo deklaroi: “Nuk e kuptoj si ndihen rehat të vjedhin 9.250 dollarë nga dikush, kur janë një kompani shumëmiliardëshe”. Ndërkohë, rasti ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, me thirrje për bojkot të Botërorit dhe komente që flasin hapur për një proces të mundshëm gjyqësor ndaj FIFA-s.
- Beteja e Edi Ramës me drejtësinë nuk ka nevojë për spektakël, por për reforma - 04/02/2026
- “Kërkuat rritje pagash edhe për ata që i përjashtoi vettingu”, Rama i përgjigjet Shoqatës së Gjyqtarëve: Doni që të përfitojnë edhe të korruptuarit - 04/02/2026
- Ish-zyrtarë e deputetë të PD morën poste në administratë, Berisha demokratëve: Nuk kemi keqardhje për ta - 04/02/2026